Plagjiaturë, që dëshmon për paaftësitë e ( ca ) “historianëve” tanë

Historia

Plagjiaturë, që dëshmon për paaftësitë e ( ca ) “historianëve” tanë

Nga: Dr.sc.Astrit Sahitaj Më: 25 tetor 2021 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Ma tërhoqi vëmendjen titulli i librit “HISTORI E ANTIKËS” shkruar nga dr. Mejdi Elezi. Ndoshta, atë ditë, nuk do ta kisha marrë për ta lexuar, sikur mos t’i pikasja në kopërtinë emrat e mirënjohur,që mbajnë mbi supe gjithë ata tituj prof.dr-ësh. Shkurt e bleva për të kënaqur kërshërinë time…Po ndodhi ajo që s’e prisja. Librin e kisha lënë mbi tavolinë. Ne nderkohe dikush, ( ndoshta ndonjë fëmijë ),e kishte hapur mu në faqen 277.

Më ra në sy fjalia e pare në paragrafin e fundit: “ E ashpër qe Lufta e tretë samnite ( 248 – 290 p.e s. )” !? Ata që pak marrin erë në histori e dine se si shënohen vitet e periudhës së p.e.s. Mendova se kishim të bënim me një gabim shtypi, prandaj e shfletova fq.585.Mo’zo’ma keq,do të thoshte “Talush Efendia” i të madhit Zekrija Rexha.

Aty është shënuar viti i luftimeve: 284- 290! Konsultohem me “Historinë e Romës së vjetër” të shkruar nga Mashkini dhe shoh një date tjetër :( 298 – 290 p.e.s). Të them të drejtën këtë gabim e mora si gabim shtypi, me të cilat na janë mësuar sytë dhe as që do ta zija ngojet.

Por kur pashë se autori e kishte kopjuar Mashkinin në shumë vende dhe se çalonte në aspektin gjuhësor- mendova se do ishte mirë t’i vëja në pah ca nga të metat. Për ta bindur autorin e librit në fjalë se lexuesët nuk hanë barë,po e ilustroj me shëmbuj konkretë:

Autori shkruan: “Qyteti i Romës gjendej në bregun e majtë të lumit Tibër,25 km.larg detit dhe shtrihej midis shtatë kodrinave, që janë: Kapitoli, Palatini, Aventini, Celi, Kuirinali, Viminali dhe Eskuilini” (f.248)

Mashkini shkruan: “ Roma e vjetër shtrihej në bregun e majtë të Tibrit,përafësisht 25 km.nga derdhja e tij…shtrihej mbi shtatë kodra (Kapitol, Aventin, Palatin, Kuirinal, Viminal, Eskvinil dhe Celi) “ fq.75.

Dr. Mejdi Elezi:” Pas pushtimit të Italisë Qendrore, romakët depërtuan në Italinë Jugore dhe ranë në kontakt të drejtpërdrejtë me kolonitë e atjeshme greke “( fq. 278)

“Pas fitores mbi samnitët romakët ranë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetet greke të Italisë. (fq. 98)

Dr. M. Elezi: “… të gjithë mëshkujt nga mosha 17 vjeçe deri në moshën 46 vjeç ishin të detyruar të shërbenin në ushtri.!!!? ” f.281

Mashkini: ” Të gjithë qytetarët prej moshës 17 deri në moshën 46 vjeçare ishin të detyruar të merrnin pjesë në të gjitha fushatat ushtarake “ f. 113 .

Si pas M. E. qytetarët romakë paskan shërbyer në ushtri nga mosha 17 – 46 vjeç;

Si pas Mash. Qytetarët romakë që nga mosha 17 – 46 vjeçare merrnin pjesë vetëm në fushatat ushtarake. Kush ka të drejtë, Mejdiu a Mashkini ? Kuptohet.

Pra këtu kemi të bëjmë me përkthim të dobët,që na shpie në gabim shkencor.

Shihni se me çfarë qyfyresh merret:

Dr M : « Qeveria romake do të dërgonte dy përfaqësues të vet tek mbretëresha Teutë për të kërkuar prej saj dëmshpërblimin për humbjet që u kishin shkaktuar tregtarëve romakë piratët ilirë … ajo paskësh urdhëruar që të vritej njëri prej dy delegatëve romakë … » f 293

Thënia e lartcituar më shtyu që të konsultohem me të dhënat e Polibit ke „Ilirët dhe Iliria...“ E hapa faqen 46 Aty thuhet :

« Pikërisht në atë kohë arritën delegatët e Romës,të cilët, si u pranuan prej Teutës, parashtruan ankimet e tyre për padrejtësitë që u ishin bërë.Teuta …dërgoi njerëz…të vrasin atë që kishte guxuar të fliste në atë mënyrë… »

Polybi nuk përmend numrin e delegatëve as nuk përmend kurrfarë dëmshpërblimi . Lind pyetja a lejon shkenca « futja kot » ?

Më poshtë po jap disa të meta në lëmin gjuhësor.

« Mirëpo,shumë shpejtë,në vitin 231 – mbreti Agron do të vdiste dhe pushtetin do ta merrte e veja e tij,Teuta,që do të sundonte si mbrojtës (tutor) i mbretit të mitur Pines. » f. 292

Të tria foljet e kanë bërë mishmash kuptimin.Foljet e mënyrës dëftore në kohën e së ardhmës së shkuar janë përdorë në vend të së kryerës së thjeshtë të së njëjtës mënyrë.Kështu ne mësojmë se Agroni do të vdiste (kur ?) ;se pushtetin do të merrte Teuta (kur ? ) ; se do sundonte (kur ?) . Shih « Teuta si mbrojtës i mbretit … » Pa koment.

Më poshtë po shkëpus disa fjali të ndërtuara keq në aspektin gjuhësor :

« Ndër qytetarët romakë do të lindte bindja se patat e paskëshin shpëtuar Romën…

Galët do të mbanin të rrethuar kështjellën e kapitolit për gjashtë muaj,por nuk do ta pushtonin.

Megjithëkëtë ata do të provonin disa herë të tjera ta pushtonin Romën,por nuk do të kishin sukses në përpjekjet e tyre. Fq.275 . »

Pa koment,por ta shoqërojmë me këngën « Hajde Shot-o… »

Ja edhe një periudhë e gatuar në stilin „çorbë derrash“ :

„ Sipas traditës së vjetër romake dhe Tit Livit,pas një lufte të ashpër e të suksesshme kundër ekëve,në vitin 494 p.e.s. plebenjtë të pakënaqur nga patricët, braktisën Romën dhe u vendosën në „Kodrën e shenjtë“ në Nakavë,me qëllim që atje të themelonin qytetin e tyre të ri „ f. 265

Kjo lloj periudhe përbëhet prej dy fjalish të pavurara bashkërenditëse: plebenjtë braktisën (birakmak = braktis) Romën; dhe u vendosën në ...; fjalia e fundit është e varur qëllimore.Po të ishte krehur si duhet kjo periudhë, shumë fjalë do të ishin fshirë.

Po citojmë edhe ca fjali:

„Sipas traditës historike romake mbreti i shtatë dhe i fundit ishte Farkuini (!?) Superbi Krenari …Kështu,në krye të shtetit të dikurshëm tani qëndronin dy zyrtarët më të lartë shtetërorë fq.263

Korrigjim: Nuk ekziston mbret me emrin Farkuin.

Nuk thonë as bebet : tani qëndronin. ( Nuk njihen kohet e menyres deftore )

Më poshtë po citoj:

“Meqenëse në historinë e lashtë të Romës marrëdhniet e vjetra gjinore ishin ende të forta,kjo kishte ndikuar që ata t’i respektonin shumë shpirtrat e mira (!?) ,mbrojtës të gjinive,familjes dhe vatrave . Në këtë kohë çdo familje romake kishte vatrën e vet (!) Për këtë arsye romakët e vjetër si hyjni të familjes adhuronin edhe stërgjyshët e tyre të vdekur kohë më parë .fq.25! “

Edhe bufi do të hiqte me sqep rrethanorin e kohës.Lidhëza shkakore “meqenëse” nuk e ka vendin në ballë të periudhës. Fjala “shpirt” në morfologji është emër i gjinisë mashkullore. Në shumës nuk ndërron gjini,sepse nuk e lejon natyra e gjuhës shqipe.Prandaj nuk është dashur të shkruhej “shpirtrat e mira”. Gramatika e gjuhës shqipe e përcakton prerazi se në ç’raste kemi të bëjmë me ambigjininë. Ajo është bazuar në gjuhën e popullit, këtij gjeniu meritor.

Fjalinë: “Në këtë kohë çdo familje romake kishte vatrën e vet…” një i pashkolluar do të thoshte: Në atë kohë çdo familje romake e kishte vatrën e vet…

Fjalia e cituar në fund është përpiluar aq prapsht,sa le për të kuptuar se intelektuali ynë bashkëkohor qëndron në fund të pusit

Durim!

I nderuari lexues shihe vetëm edhe këtë citat:

“Mirëpo Rea Silvia do të martohej fshehurazi me perëndinë Mars dhe do të lindte dy djem bineq,Remin e Romulin…”

Rea Silvia do të martohej- domethënë në të ardhmën; do të lindte dy fëmijë- dmth. në të ardhmen- as shkenca bashkëkohore nuk mund të prognozojë për një femër se sa fëmijë ka për t’i lindur, e aq më hiç, kur ata janë të pangjizur.A shkencëtari ynë e di jo vetëm se do të martohej Rea Silvia e do lindte dy djem bineq, por ai edhe i pagëzon ata.

Siç shihet këto të meta janë nxjerr vetëm prej katër-pesë faqesh.Për fat të keq libri është aq i stërngarkuar me kopjime,me gabime shkencore dhe me gabime të rënda në lëmin gjuhësor,sa le për të dëshiruar. Si i tillë mbetët me vlera të kufizuara.

E kuptoj dëshirën e madhe të autorit për të bërë emër, por kjo nuk e justifikon as plagiatën e mirëfillt as kompilimin e sterqelosur.

E mora si shembull për të keq këtë libër me qëllim të mire.Autori i librit nuk duhet të brengoset,sepse nuk është i vetëm .

Libri “Histori e antikës” dëshmon për paaftësitë e dr.-vë tanë.

Populli na meson: - Fjala serm, heshtja flori!

Postscriptum : Apeloj te organet përkatëse që mësimin e gjuhës shqipe ta fusin në të gjitha degët e fakulteteve,sepse pa njohjen e gjuhës amtare nuk mund të krijohet në asnjë fushë të shkencës e të artit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat