Gjenerali i luftës së Spanjës

Historia

Gjenerali i luftës së Spanjës

Nga: Gjon Neçaj Më: 18 prill 2022 Në ora: 16:38
Arkiv

Gjeneralmajor Veli Dedi lindi më 5 prill 1912 dhe vdiq më 3 shkurt 1995. U lind më 5 prill 1912 në Dediq (Dedi), lagje e Medvegjës. Ishte drejtor i xhenios së Ushtrisë Shqiptare, komandant i Garnizonit të Tiranës dhe më pas drejtor i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë. Në Shqipëri është shpallur Hero i Popullit.Stërgjyshërit dhe gjyshërit e Veli Dedit ishin pjesëmarrës të luftërave të shumta, para, gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit, në rezistencë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Veli Dedi, në moshën 4-vjeçare mbeti pa baba. Kjo ndikoi që gjatë tërë jetës të ndiente një zbrazëti të madhe në shpirtin e tij, që u përpoq të kompensonte përmes dashurisë ndaj vendlindjes dhe kombit të vet.Filloren e kreu në Medvegjë dhe Gazdar, gjimnazin në Leskoc, kurse Fakultetin e Makinerisë në Beograd. Më 1932, në moshën 20 vjeçare, erdhi në Shqipëri dhe në Tiranë përfundoj Shkollën Ushtarake Mbretërore dhe më pas u diplomua në Itali në Akademinë e Artilerisë dhe të Xhenjos.Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe gjatë studimeve në Itali njihet me shumë patriotë shqiptarë, si Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Emrush Miftari, Ibrahim Gjakova, Sali Viçitërrna, Xhemajl Kada, Asim Vokshi e tjerë.Më 1933 bëhet anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Pjesëmarrja e tij në luftën e Spanjës dhe Francës.

Pasi plas lufta qytetare në Spanjë, merr pjesë në të dhe më 1937 gradohet kapiten, kurse më 1938 dekorohet me Urdhrin e Kavaleristit të Lirisë "No Pasera" si dhe gradohet në detyrën e shefit Operativ të Divizionit të Ebros. 3 vjet luftoj në brigadat ndërkombëtare në mbrojtje të Republikës së Spanjës.Pas mbarimit të luftës në Spanjë vendoset në një kamp përqendrimi në Francë, gjatë të cilës kohë mësoi rrjedhshëm gjuhën frënge. Si ushtarak i shkëlqyeshëm inkuadrohet në grupet antifashiste dhe shumë shpejt emërohet komandant i Forcave çlirimtare për Dertamentin e Marsejës, kurse për zotësinë dhe guximin që kishte e shpallin "Shqipëtari trim" (Vaillant Albanias). Ai me njësi të vogla operative nëpër rrugët e Marsejës i thyente njësite shumë më të mëdha fashiste.Më 1944, Veli Dedi në sajë të aftësisë së tij dorëzohen 37 mijë fashistë, të cilët po luftonin që ta rrënonin tërë Marsejën.

Arriti që t’i bindë të dorëzohen në sajë të njohjes së të gjitha konventave ndërkombëtare në mënyrë profesionale e në hollësi dhe te sigurisë që ua kishin garantuar njësitë franceze. Në ballë të kryengritësve francezë priu me flamur në dorë dhe vendosi flamurin e fitores në maje të kështjellës në kodrën e Marsejës po me thirrjen ‘Rroftë Franca e Lirë’. Qyteti u çlirua. Më 1946 kthehet në Shqipëri me gradën e majorit francez. Ndërkohë emërohet drejtor i xhenios së Ushtrisë Shqiptare dhe më pas avancohet edhe me gradën gjeneral-major dhe merr titullin e Heroit të Popullit.

Ishte edhe komandant i Garnizonit të Tiranës dhe më pas drejtor i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë. Më pas u zgjedh dhe shërbeu për shumë vite si deputet i rrethit të Tropojë,në krahinën e thellë të Nikaj- Merturit.Pas daljes në pension, Veli Dedi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të veteranëve të Luftës Antifashiste.Veli Dedi e dinte edhe anglishten e gjermanishten, kurse për Hasan Prishtinën thoshte: "Në jetë tri herë kam qëndruar gatitu para shpirtit dhe mendjes së tij të ndritur: herën e parë kur kam dëgjuar pë vrasjen e Hasan Prishtinës,herën e dytë kur i kam lexuar kujtimet e ti për Kryengritjen Shqiptare në Kosovë më 1912 dhe herën e tretë, më 1977, kur eshtrat e Hasanit u sollën në Shqipëri”.Po ashtu e ka lënë të shkruar thënien "Kam frikë se po vdiqa pa e çliruar Kosovën, s’do të më tret dheu”Gjeneralmajor Veli Dedi , vdiq më 3 shkurt 1995 në Tiranë. Varrimi i gjeneralmajor Veli Dedit, si luftëtar veteran i Spanjës dhe si komandant në operacionet e çlirimit të Departamentit të Marsejit, si ushtarak besnik i kombit shqiptar, si deputet shumëvjeçar i Rrethit të Tropojës, u bë me nderime shtetërore. Në ceremoninë e varrimit u lexuan telegramet e Presidentit, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të veteranëve të Shqipërisë.

Në ceremoninë e varrimit përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Tiranë, si atashe ushtarak, ndër të tjera theksoi: "Më vjen keq që një shqiptar që ka luftuar për çlirimin e popullit tim, unë e takoj të vdekur”.Në vitin 1970, në qytetin Bajram Curr, në ceremoninë e zbulimit të bustit të Asim Vokshit, bashkëluftëtar në Luftën e Spanjës dhe Hero i Popullit, në praninë e nënës kosovare, Bije Vokshit, hallë e Asimit, Veliu kishte evokuar kujtimet për luftën e përbashkët në Spanjë, për idealet e larta humanitare dhe guximin e trimërinë e rrallë që kishin treguar luftëtarët shqiptarë disa nga të cilët kishin dhënë jetën.

Oficeri duhet të dallojë nga ushtari, jo nga grada, por nga kultura... Kur je komandant, ke mbi supë hallet e të gjithë ushtarëve.Asnjë oficer që nuk e duan ushtarakët, nuk mund të fitojë në luftë. Ai duhet me rrënjë të njohë historinë e vendit të vet, përkatësisht historinë kombëtare, përfshirë edhe diasporën shqiptare”, thoshte ai. Gjenerali Veli Dedi vdiq në moshën 83 -vjeçare dhe me nderime shtetërore u varros në varrezat e personaliteteve të merituara në Tiranë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat