Pas shkëlqimit 1123 vjeçar, me 29 maj 1453, Konstandinopoja nuk është më!

Historia

Pas shkëlqimit 1123 vjeçar, me 29 maj 1453, Konstandinopoja nuk është më!

Nga: Nikollë Loka Më: 10 qershor 2022 Në ora: 16:35
Më 29 maj 1453 - Konstandinopoja nuk ishte më

Pas një shkëlqimi marramendës për 1123 vjet, me 29 maj 1453, Konstandinopoja nuk është më. Qytetërimi perëndimor humbi qendrën e vet të rëndesës; humbën gjurmët ilire të atij qyteti madhështor, të simbolizuara në trashëgiminë konstandiniane dhe justiniane.

569 vite më parë, pikërisht më 29 maj 1453, pushoi së ekzistuari Perandoria Bizantine dhe filloi ngritja e Perandorisë Osmane. Proceset historike në Europë u frenuan dhe pjesa lindore e kontinentit kaloi për 300-500 vjet në periudhën e “kohës zero”.

Perandoria Romake e Lindjes vazhduese e universalitetit romak

Perandoria Romake e Lindjes ishte Perandoria universale Romake e ndarë përgjysmë dhe për mbi njëmijë e njëqind vjet u përpoq të mbetej e tillë. Gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së saj, ajo ruajti madhështinë, universalitetin dhe romanitetin, madje në epokën justiniane rifitoi shumicën e territoreve në Perëndim dhe shkonte nga lumi Eufrat deri në Spanjë dhe në tërë hapësirën që shtrihej prej lumit Nil e deri në Danub.

Perandoria Romake e Lindjes në Evropë përfshinte gadishullin Ilirik, në Azi Anatolinë, Sirinë dhe territore të tjera në shkretëtirën arabike, pranë Detit të Kuq, në Afrikë zotëronte Egjyptin, Kartagjenën deri në qytetin e Sirtës në Algjeri. Mjafton t’i hedhim një sy hartës për të konstatuar se këto territore bashkoheshin prej ujërave që i lagin, të cilat sa i ndanin, aq dhe i bashkonin dhe e bënë Bizantin një fuqi detare të jashtëzakonshme.

Banorët e këtyre territoreve, nënshtetasit e kësaj Perandorie, ndër shekuj e quanin veten romakë, ku binte në sy struktura bazë e kulturës politike romake, shteti multietnik dhe i krishterë, i bazuar në tërësinë e qendrave urbane dhe i mbrojtur prej forcave ushtarake të specializuara.

Nëse historia botërore do të ndalet ndonjëherë hollësisht në triumfin evropian mbi pjesën tjetër të botës, patjetër që duhet të vlerësojë rolin e romakëve të Lindjes. Është e padrejtë që njëmijë e njëqind vjet histori e Bizantit të shihet si periudhë e rënies. Asnjë shtet nuk ka një histori të tillë të famshme dhe tronditëse. Gjatë njëmijë vjetëve Perandoria Romake e Lindjes ndërtoi kështjella dhe ngriti armët kundër barbarëve dhe ndonëse nganjëherë goditej rëndë gjente energji të pashtershme për t’u ringjallur. Në momentet më të rrezikshme, kur dukej se gjithçka kishte marrë fund, dilte një burrë, apo një dinasti, që zmbrapste pushtuesit, qetësonte trazirat, gjallëronte ekonominë dhe zhvillonte artet. Por, megjithëse ky qytetërim evoluoi, bizantinët janë quajtur vazhdimisht “romakë” dhe latinishtja mbeti për shumë shekuj gjuha zyrtare e Perandorisë. Bizanti ruajti çfarë kishte mbetur prej Romës së Vjetër për një kohë shumë të gjatë. Një tjetër meritë e tij ishte pengimi i ekspansionit persian dhe më vonë arab drejt Perëndimit. Shqetësimi i Perandorëve të parë të Bizantit ishte ruajtja e shtetit në Lindje, pastaj edhe rifitimi i territoreve në Perëndim.

Gjatë njëmbëdhjetë shekujve Perandoria Romake e Lindjes mbeti vatra e një qytetërimi, madhështinë dhe shkëlqimin e të cilit nuk e arriti asnjë shtet tjetër. Qytetarët e Bizantit e quanin veten qendra e botës së qytetëruar. Dhe mbeti e tillë për njëmijë e njëqind vjet, deri në vitin 1453, kur Konstandinopoja bëhet qytet osman.

Roma e re në buzë të Bosforit

Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjesht të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit. Sipas legjendës ishte vetë zoti, që iu shfaq Augustit në ëndërr dhe i tregoi vendin e kryeqytetit të ardhshëm. Me pretendimin e frymëzimit hyjnor, Konstandini i vendosi vetë kufijtë e qytetit të ri, duke i lënë pa mend bashkëkohësit, që shihnin atë hapësirë të pafund, e cila një shekull më vonë do të dukej tepër e ngushtë.

Dyzet mijë gotë morën pjesë në ndërtimin e Kryeqytetit të ri, për zbukurimin e të cilit nuk u kursyen thesaret e Romës, Aleksandrisë, Efesit, Antiokes dhe Athinës. Vëmendje iu kushtua mbrojtjes së qytetit. Muri, që shtrihej prej bregut të Marmarasë në Bririn e Artë, e mbronte prej sulmeve tokësore. Në qendër të qytetit u ndërtua Milioni, vendi ku gjendej guri i parë miliar (gur miljesh në rrugët romake). Ai vend konsiderohej si qendra e botës. Dhe prej aty fillonte llogaritja e hapësirës së territoreve deri atëherë të njohura të Planetit. Katër harqe triumfi formonin një shesh katror, me një kupolë përsipër, mbi të cilën qe vendosur Kryqi i vërtetë i Kryqëzimit të Krishtit, që Nëna Perandoreshë, Helena e kishte sjellë nga Jerusalemi. Pak më në lindje, aty ku më parë ishte Tempulli i Afërditës, u ndërtua kisha e parë e madhe, Shën Irena, që nuk i kushtohej ndonjë shenjtoreje, por paqes së shenjtë të Zotit. Disa vjet më vonë u ndërtua edhe Shën Sofia, kisha e mençurisë hyjnore. Qindra metra më larg, në drejtim të Detit Marmara u ngrit Hipodromi i Konstandinit, në qendër të cilit ngrihej “Kolona e Gjarpërit”, që Perandori e kishte marrë nga tempulli i Apollonit në Delf.

Në anën perëndimore të Hipodromit ishte Lozha Perandorake, që lidhej me shkallare spirale me kompleksin e gjerë të salloneve, zyrave qeveritare, apartamenteve, banjove, e tjerë. Nga Milioni drejt perëndimit u ndërtua një Forum i mrekullueshëm oval me dysheme mermeri. Në qendër ngrihej një kolonë porfidi tridhjetë metra e lartë, e sjellë nga Helipoli i Egjyptit, që u vendos mbi një bazament mermeri gjashtë metra të lartë. Brenda kolonës kishte relike shumë të çmuara, që do t’i kishin lakmi të gjitha qytetet e botës të marra së bashku, ndër të cilat sëpata me të cilën Noea kishte ndërtuar arkën; copat e bukës, me të cilat Krishti pati shuar urinë e njerëzve; shishja e pomadës e Maria Magdalenës dhe statuja e perëndeshës Athina, që Enea e pati marrë me vete, kur iku nga Troja. Ndërsa, në majë ishte një statujë me trupin e Apollonit dhe kokën e Perandorit Konstandin, të rrethuar me një brerore rrezesh. Perandori me dorën e djathtë mbante skeptrin, ndërsa me të majtën një glob që kishte brenda një copë të Kryqit të Vërtetë.

Atëherë çfarë i mungonte Konstandinopojës për të qenë e barabartë me Romën? Atje kumbonte gjuha e romakëve dhe banorët e saj vazhdonin të quheshin romakë. Ja si e përshkruante Konstandinopojën një kryqtar, që mori pjesë në pushtimin e saj: “Që nga krijimi i botës nuk ka pasur aq shumë thesare, fisnikë, njerëz të pasur, as në kohën e Aleksandrit dhe as në kohën e Karlit të Madh, as përpara dhe as prapa, dhe unë mendoj se në dyzet qytetet më të pasura të botës nuk kishte aq pasuri sa në Konstandinopojë. Grekët thonin se dy të tretat e pasurisë së botës ishin në Konstandinopojë dhe një e treta ishin shpërndarë nëpër botë”.

Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Konstandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Konstandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i Zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Konstandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat