66 vite nga themelimi i Shoqatës “Përpjekja” të studentëve shqiptarë në Beograd

Historia

66 vite nga themelimi i Shoqatës “Përpjekja” të studentëve shqiptarë në Beograd

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 22 nëntor 2023 Në ora: 13:07
Një mbrëmje letrare e “Përpjekjes”-1967, nga e majta Maksut Shehu, Rexhep Hoxha dhe Rexhep Torte

“Përpjekja” e studentëve shqiptarë në Beograd përbënte organizim dhe ishte vatër e fuqishme e sypatrembur në ngritjen e vlerave të vetëdijes kombëtare shqiptare.

Gjenerata më e suksesshme ishte ajo e vitit 1967 kur u shënua 10-Vjetori i themelimit të Shoqatës “Pwrpjekja” dhe 500-Vjetori i lindjes së Gjergj Katriotit Skënderbeut, e cila këto manifestime i shënoi së bashku me studentët dhe simpatizantët në Beograd, Zagreb, Lubjanë, Prishtinë, Shkup Dibër dhe Strugë.

Në mes të Beogradit, në mes të Serbisë dhe të Ish Jugosllavisë, përkundër përndjekjeve të UDB-së së Serbisë, jehonim krijimet letrare, jehonin këngët dhe vallet shqiptare të Shoqatës “Përpjekja”, Shoqatë e studentëve shqiptarë në Beograd.

Në vitin 1967 qarqet shoviniste nacionaliste të Serbisë për t’i pezulluar aktivitetet e Shoqatës “Përpjekja” që ishte në majën e sukseseve, u përpoqën që “Përpjekja” t’i bashkëngjitet Shoqatës “Zhikica Jovanoviq Shpanac”, shoqatës studentore serbë, gjë që nuk arritën ta realizojnë.

Në vitin 2001 në Maqedoni u dha mundësia ligjore që mbi bazën e një kërkese ta marrim dosjen personale nga policia. Unë në dosjen time pata rastin t’i lexoj evidentimet e përndjekjeve nga ana e Sigurimit Shtetëror Maqedoni-Serbi, janë shënuar të gjitha diskutimet dhe aktivitetet tona në mbrëmjet letrare dhe në koncertet e organizuara në Beograd dhe gjatë vizitave të “Përpjekjes” në Kosovë dhe në Maqedoni dhe të gjitha këto i kam stigmatizuar në romanin tim me titull “Buka e hidhur e gazetarit” që është gati për botim.

Në këtë dosje time të policisë, gjendet edhe një poezi e imja me titull “Elegji ”kushtuar gjendjes së vështirë të shqiptarëve, qe asokohe nga Dibra e pata dërguar me postë për tu botuar në “Zëri i Rinisw” në Prishtinë, por që nuk u botua asnjëherë, sepse ishte konfiskuar nga Sigurimi Shtetëror.

Themelimi dhe rrugëtimi i “Përpjekjes”

Shoqata Letrare “Përpjekja” e studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit u themelua më 22 nëntor të vitit 1957.

Idea për themelimin e Shoqatës Letrare “Përpjekja” e studentëve shqiptare në Beograd asokohe ishte që të themelohej më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, por për të mos shkaktuar ndonjë reagim të panevojshëm represiv nga klika Titiste-Rankoviqiane e Beogradit, u ra dakord që kjo shoqatë të themelohet në 22 nëntor, gjë që megjithatë u themelua në frymën të Festës së Flamurit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Shoqata Letrare “Përpjekja” ishte shoqata e parë e studentëve shqiptarë që u themelua në ish Jugosllavi.

“Përpjekja” u themelua në “Qytetin Studenti” në Bllokun e dytë të konvikteve të studentëve në Beogradin e Ri.

Kjo shoqatë fillimisht u quajt Shoqata Letrare “Përpjekja” dhe gjatë tërë ekzistimit ë saj ka zhvilluar veprimtari dhe aktivitete të shumta në Beograd jo vetëm letrare, por më vonë edhe aktivitete muzikore e kulturore kombëtare shqiptare gjer më 4 shator 1985, kur autoritetet nacionaliste e shoveniste serbe të Beogradit kësaj shoqate studentore shqiptare ia vunë çelësin.

Udhëheqësia e parë e Shoqatës letrare “Përpjekja” përbëhej nga kryetari Latif Berisha, sekretari Zekeria Cana, kryetari i Këshillit artistik Muhamed Kërveshi dhe arkëtarja Nahile Kabashi.

Anëtarë të kryesisë ishin Idriz Ajeti, Anton Çeta, Sitki Imami, Kadri Kusari, Avni Lama, Yll Zaimi, Ali Aliu, Zekije Budima, Agim Gjakova, Skender Skenderi, Nehat Bellçishta, Adem Demaçi, Ejup Haliti dhe Hysni Hoxha.

Unë si student i letërsisë në Beograd, si të gjithë studentët e tjerë shqiptarë u anëtarësova në këtë vatër studentore shqiptare, ku të gjithë studentët shqiptarë e ndjenim veten më të më të sigurt dhe më të relaksuar, duke u shoqëruar në ambientet që i kishim ku e lexonim shtypin në gjuhën shqipe, lozmim ndonjw lojë shahu, dhe merrnim pjesë në mbrëmjet letrare të shumta që organizoheshin në sallën 34 të Fakultetit Filologjik.

Në grupin letrar të “Përpjekjes” asokohe merrnin pjesë Ekrem Kryeziu, Mustafa Cakaj, Nusrete Vula, Ramadan Sinani, Faik Mustafa, Xhemal Bytyqi, Zaudin Gazidede, Sefedin Fetiu dhe Rexhep Torte.

Në nëntor të vitit 1966 në zgjedhjet e radhës për udhëheqësinë e re të Shoqatës “Përpjekja”, studentët unanimisht më zgjodhën mua që të jem kryetar për vitet 1966/68.

Në kryesinë qendrore të “Përpjekjes” asokohe ishin kryetar Rexhep Torte, sekretar Atli Piperku dhe arkëtar Burhan Mela, ndërsa anëtarë të kryesisë ishin Mustafa Cakaj, Faik Hima, Musa Piperku Osman Hoxha, Esat Meka Sebiha Maloku dhe Zekeria Cana i cili ishte në studime pasuniversitare.

Viti 1967 ishte viti kur shënoheshin 10-Vjetori i themelimit të Shoqatës Letrare “Përpjekja” dhe 500 vjetori i lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kryesia e shoqatës e pranoi njëzëri propozimin tim që Shoqata Letrare “Përpjekja” të zgjerohet në Shoqatë Letrare-Muzikore, sepse kishte një numër të madh të studentëve që studionin në Akademinë e Muzikës në Beograd dhe shumë studentë tjerë këngëtarë të talentuar.

Kryesia e re e “Përpjekjes” vendosi menjëherë kontakte me shoqatat simotra studentore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, me Shoqatën “Shkëndija” në Zagreb, me Shoqatën “Lulëzimi” në Sarajevë dhe me studentët shqiptarë të Lubjanës dhe Shkupit.

Si kryetar i “Përpjekjes” unë udhëtova për në Prishtinë për tu takuar dhe biseduar me zotin Fadil Hoxha, kryetar i atëhershëm i Këshillit Krahinor të Kosovës për ta njoftuar me progarmin, synimet dhe aktivitetet e “Përpjekjes”.

Zoti Fadil Hoxha me kënaqësi e pranoi kërkesën, dëshirën dhe gatishmërinë e “Përpjekjes “për ta festuar 10-vjetorin e themelimit të Shoqatës “Përpjekja” nën patronatin e tij si edhe 500-vjetorin e lindjes së Skënderbeut.

Zoti Fadil Hoxha me këtë rast e ftoi edhe Xheladin Topçiun i cili udhëheqtë Sekretariatin për veprimtari kulturore në Këshillin Krahinor të Kosovës dhe e urdhëroi që të na akordojë mjete financiare për blerjen e instrumenteve të nevojshme për grupin muzikor dhe për veshjen kombëtare të anëtarëve të grupit muzikor të shoqatës.

Unë udhëtova për në Prishtinë për tu takuar edhe me Ali Gojanin, kryetarin e Shoqatës studentore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, me ç’rast u informova se kjo shoqatë po përgatiste dramën për Skënderbeun me titull “Trimi i mirë me shokë shumë” të autorit Sulejman Pitarka me regjisor Krist Berishën. Ali Gojanin me këtë rast e njoftova me përgatitjen e programit letrar e muzikor që po e përgatiste “Përpjekja”. dhe ramë dakord që Kjo dramë përveç në qytetet e Kosovës të shfaqet edhe na Maqedoni, duke përfshirë Dibrën dhe Strugën, gjë që edhe u realizua.

Në të njëjtën periudhë vendosëm kontakte edhe me shoqatën “Shkëndija” në Zagreb, kryetar i së cilës ishte Mensur Bekteshi, që ishte duke përgatitur recitalin për Skënderbeun, më shoqatën “Lulzimi” në Sarajevë dhe me shoqatat studentore në Lubjanë dhe Shkup. Të gjitha këto shoqata studentore shprehën gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar.

Orkestrën muzikore të “Përpjekjes” e përbënin instrumentistët Isak Muçolli, Isa jakupi, Haxhere Kuçani, Musa Piperku, Perver Shehu, Luigj Gomilla, Rexhep Munishi, Gjergj Kaçinari, Qazim Oruçi, Xhemil Bytyqi, Mehdi Bajri, Sami Pozhegu, Avni Vula, Shpëtim Vërzivolli dhe Avni Gjakova.

Këngëtarë ishin Hermine Delhysa, Haxhere Kuçani, Litafete Komoni, Bashkim Paloja, Muhamet Shala, Osman Hoxha, Agim Rizvanolli, Esat Meka, Hysen Meka, Silvere Kryeziu dhe Sebiha Maloku.

Në të njëjtën kohë në “Përpjekje” u themelua edhe grupi i muzikës zbavitëse me instrumentistë dhe këngëtarët e talentuar Dashnor Rema-Xërxa, Xhemil Daci, Mehdi Bajri, dhe Antoneta Delhysa.

Mbrëmjet letrare dhe jehona e tingujve të orkestrit dhe e këngëve të bukura shqiptare joshte një numër të madh të studentëve për të dëgjuar dhe për tu kënaqur edhe me punimet letrare.

“Përpjekja” kishte edhe një numër të madh simpatizantësh, qe e shoqëronin në të gjitha aktivitetet e organizuara në Beograd dhe jashtë, në mesin e tyre ishin edhe Musli Mulliqi, Faruk Begolli, Tahir Emra, Shyqyi Nimani, Agim Çavdërbasha, Rexhep Ferri, Zef Ndoja, Hilmi Muhaxheri etj.

Pas përgatitjes së këtij programi të pasur letrar-muzikor në pjesën e dytë të muajit prill në vitin 1967 “Përpjekja” fillimisht organizoi mbrëmje letrare dhe koncerte muzikore në Beograd, e më pastaj nëpërmjet Entit për Përparimin e Aktiviteteve Kulturore nisi turneun e vet nëpër qytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë.

Këto mbrëmje letrare dhe koncerte u pritën me interesim dhe kënaqësi të madhe, gjë që u dëshmua me pjesëmarrje masovike të publikut dhe me duartrokitje të zjarrta gjatë orëve letrare dhe koncerteve muzikore.

Pjesë e rëndësishme e “Përpjekjes” ishin Faik Hima dhe Vera Gjevori, asokohe prezantues në emisionin televiziv “Pasqyra Televizive” në gjuhën shqipe në Televizionin e ish Jugosllavisë, të cilët njëherit ishin anëtarë dhe prezantues të shkëlqyer të koncerteve të “Përpjekjes”, që me aftësinë e tyre prezantuese u jepnin një sharm dhe fizionomi ekstravagante programeve muzikore të “Përpjekjes”.

Pas mbrëmjeve letrare dhe koncerteve të shfaqura në Kosovë, me programin tonë letrar-muzikor vizituam Shkupin dhe Strugën.

Në Dibër arritëm në orët e vona të mbrëmjes. Sipas marrëveshjes që kisha bërë me Kryesinë SHKA “Liman Kaba”, dibranët anëtarë të SHKA “Liman Kaba” dhe dashamirë të tjerë të kulturës shqiptare kishin dalë për të na pritur në qendër të qytetit dhe të gjithë anëtarët e “Përpjekjes” u vendosën nëpër familjet dibrane.

Të nesërmen ishte 1 Maji-festa e punës dhe të gjitha familjet ku ishin vendosur anëtarët e “Përpjekjes” me tepsitë me ushqime të përgatitura për këtë festë së bashku me anëtarët e “Përpjekjes” dolën në natyrë te Kodra e Kasapit për ta festuar bashkërisht me këngë e valle këtë ditë feste.

Në mbrëmje në sallën e kinemasë në qendër të qytetit “Përpjekja” e shfaqi koncertin e saj para publikut dibran, koncert i cili u prit me kënaqësi dhe entuziazëm të madh.

Vendosja e anëtarëve të Shoqatës “Përpjekja” nëpër familjet dibrane u tregua shumë e efektshme në forcimin e miqësive dhe të vëllazërimit mes Dibrës dhe Kosovës. Këto miqësi vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Anëtaret e “Përpjekjes” me mallëngjim rrëfejnë e flasin për këto vizita qoftë në Kosovë, qoftë në Shkup e Dibër.

Vizitat e “përpjekjes” pastaj vazhduan edhe në Zagreb ku u pritën nga Shoqata studentore e atjeshme “Shkëndija”, në Sarajevë ku u pritën nga Shoqata studentore “Lulzimi” dhe në Lubjanë ku u pritën nga studentët shqiptarë që studionin në këtë universitet. Në të gjitha këto qytete “Përpjekja” shfaqi programin e vet letrar-muzikor.

Në 10-vjetorin e themelimit të Shoqatës Letrare-Muziokre “Përpjekja” dhe me rastin e shënimit të 500-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriot-Skënderbeut, “Përpjekja” në Beograd organizoi manifestime madhështore me ç ‘rast ishin të pranishëm z. Fadil Hoxha dhe përfaqësues të shoqatave studentore nga qytetet e sipër përmendur.

Me këtë rast “Përpjekja” shfaqi një koncert madhështor në Shtëpinë e Rinisë në Beograd dhe në hollin e saj paraqiti një ekspozitë me fotografi, ku pasqyroheshin aktivitetet e “Përpjekjes” ndër vite.

Në mbrëmje në Hotel “Jugosllavia” u organizua një darkë gazmore për të gjithë të pranishmit në këtë manifestim jubilar.

“Përpjekja” dhe SHKA “Ramiz Sadiku” vendosën bashkëpunim të ngushtë me SHKA studentore “Ramiz Sadiku”, nga Prishtina në krye të së cilës ishte aktivisti i shquar nga Gjakova Ali Gojani. Në takimin që pata me Ali Gojanin ai më njoftoi se shoqëria që e udhëhiqte ai po përgatiste dramën “Skënderbeu” me titull “Trimi i mirë me shokë shumë”, nga autori Sulejman Pitarka me regji të Kristë Berishës, rolin kryesor e luante Hasan Salaj me një fizionomi të qëlluar të Skënderbeut, Sylë Osmanaj luante rolin e Mojsi Golemit, Myrvete Rugova etj.

Kjo dramë në programin e saj kishte një pikë të veçantë nga këngëtari dhe fizharmonikisti gjakovar Zekeria Çarkaxhiu-Zuka, i cili kishte komponuar këngën me titull “Me ty o Skënderbe”, të cilën e këndonte vetë i shoqëruar me fizharmonikën e tij. Kjo këngë ishte një pikë e ndritur e kësaj drame.

Kjo dramë që asokohe përkonte me shënimin e 500-vjetorit të lindjes së Skënderbeut shkaktoi jehonë të madhe në tërë viset shqiptare ku u shfaq, sepse ishte përgatitur me një profesionalizëm të rrallë teatror të cilin e dëshmuan edhe aktorët e rinj me një cilësi të lartë aktrimi.

Të gjitha këto kontakte, manifestime dhe ky bashkëpunim i ngjeshur kulturor, patën ndikim të madh në forcimin e shoqërimit dhe të miqësisë brenda shqiptare ne trojet që ndodheshin në ish Jugosllavi.

Mbrëmjet letrare i organizonim duke ftuar si pjesëmarrës përveç anëtarëve të “Përpjekjes” edhe penat e shquara shqipe të asaj kohe si, Sitki Imami, Rexhep Hoxha, Rexhep Zogaj, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rahman Dedaj, Maksut Shehu etj.

Sa herë që i takoja pas shumë vitesh autorët e penave shqipe që kishin marë pjesë në mbrëmjet letrare që i organizonim në Beograd, i kujtonin plot kënaqësi e mallëngjim çastet e bukura e të paharruara në këto mbrëmje letrare dhe më përgëzonin për sakrificën dhe kontributin tim në organizimin e këtyre mbrëmjeve letrare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat