Zbulimi surprizues, çfarë gjendet poshtë varrit të Skënderbeut në Lezhë - Bota Sot
Zbulimi surprizues, çfarë gjendet poshtë varrit të Skënderbeut në Lezhë

Historia

Zbulimi surprizues, çfarë gjendet poshtë varrit të Skënderbeut në Lezhë

Më: 2 qershor 2018 Në ora: 14:51
Varri i Skënderbeut në Lezhë

Të shumtë janë vizitorët dhe turistët që ndërsa kanë vizituar vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë nuk e kanë ditur se poshtë këmbëve të tyre fshihet edhe një tjetër thesar i çmuar.

Madje as ciceronët nuk e përmendin një fakt të tillë. Kapaku në mes të katedrales së Shën Nikollit nuk hapet prej vitesh duke mbajtur të fshehur edhe pjesë të historisë.

As lezhjanët nuk e dinë se çfarë ndodhet vetëm dy metër poshtë vendit ku janë vendosur imitimet e përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut. Këtë e thotë edhe specialisti i monumenteve të kulturës Dedë Margjoni.

Ai shpjegon se ekzistojnë dyshime se krahas strukturës që është e punuar me një nivel të lartë artistik, i fshehur mund të jetë edhe një sorkofag.

Hapja dhe ekspozimi i këtij zbulimi të madh do të ishte një tjetër tërheqje për vizitorët dhe turistët. Specialisti i monumenteve të kulturës Dedë Margjoni ka edhe sugjerimet e tij sesi mund te realizohet ky qëllim.

Burime nga Bashkia e Lezhës kanë bërë të ditur se do të kërkohet bashkëpunimi me institutin e arkeologjisë që ky vend të hapet dhe të jetë i vizitueshëm, pasi janë të bindur se edhe numri i vizitorëve do të jetë shumë më i madh. Për këtë veçori që fsheh vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë flet edhe ish Përgjegjësi i Kulturës Kombëtarë në Lezhë, historiani Paulin Zefi.

Sipas tij në vitet 1978-1981, gjatë proçesit të punimeve që u zhvilluan tek Katedralja e Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) nga ana e specialistëve të “Ateliesë së Monumenteve të Kulturës” në Tiranë, përveç zbulimit të themeleve të mureve perimetrale të këtij objekti, stratigrafia e pasur antike dhe mesjetare, heqja e suvatimit, zbulimi i rrugës antike Iliro – Romake dhe të tjera gjetje është zbuluar edhe një Kriptë (varr i nëndheshëm).

Gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet e tjera strukturore nxorën në dritë muraturën origjinale që i përket fazave të para ndërtimore deri në shek.XV-të. Gjatë gërmimeve në hapësirën e brendshme të Katedrales së Shën Nikollit pranë vendit ku ndodhej altari (i shkatërruar nga osmanët) u zbulua një varr i fshehte dhe një sarkofag prej guri gëlqeror i punuar sipas tipologjisë së sarkofagëve të periudhës së mesjetës.

Ky sarkofag ishte i mbuluar nga një material me trashësi rreth 1.8 m në raport me nivelin e dyshemesë së Kishës. Ai rezultoi të ishte bosh pra pa asnjë fragment kocke apo relike të tjera. Pozicionimi i sarkofagut nuk ishte sipas aksit të Kishës, lindje – perëndim, por pak i devijuar në aksin veriperëndim – juglindje.

Mendohet se gjatë gërmimit brutal (1478) ka pësuar edhe dëmtime të ndryshme. Specialistët vendosen që pikërisht mbi vendin ku u zbulua ky sarkofag, të vendosej pllaka prej mermeri, përkrenarja dhe shpata ceremoniale prej bronxi (sipas modelit origjinal). Struktura që shohim sot përfaqëson varrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, por realisht ndodhet 2m mbi sarkofagun e zbrazët dhe kriptën e këtij objekti religjioz.

Rikonceptimi i këtij varri simbolik, rihapja e kriptës së Kishës dhe ekspozimi i sarkofagut duke nxjerrë në pah varrin e vërtetë që vazhdon të qëndrojë i fshehur poshtë një kapaku prej betoni, do ti jepte edhe më shumë vlera këtij vendi të shenjtë për Shqiptarët.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test