Anton Berisha: Osmani t’i kthehet LDK-së, ja pse u prisha me Ramushin

Intervista

Anton Berisha: Osmani t’i kthehet LDK-së, ja pse u prisha me Ramushin

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 17:51
Anton Berisha

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha, në një intervistë për Express, ka thënë se situata politike në vend është ndërlikuar tej mase pas arrestimeve të Gjykatës Speciale, derisa paralajmëron se vendi po shkon drejt zgjedhjeve. Ai ka thënë se një zhvillim i tillë ka dëmtuar imazhin e vendit dhe ka paralajmëruar edhe arrestime të tjera nga Haga. Përveç tjerash Berisha në këtë intervistë ka folur edhe për gjendjen në LDK pas humbjes së Podujevës, fatin politik të Vjosa Osmanit dhe për çështje të tjera të cilat ndërlidhen me marrëveshjen e Washingtonit dhe diplomacinë e Kosovës.

Si e shihni situatën aktuale politike në Kosovë pas shkuarjes se Thaçit dhe Veselit në Hagë dhe a besoni se partitë politike kosovare do të arrijnë te dalin nga gëzhoja e interesave te ngushta partiake për t’i dhënë vendit një shef te ri te shtetit dhe për t’i evituar zgjedhjet e reja?

Anton Berisha: Situata politike është ndërlikuar dhe do të vazhdojë të ndërlikohet me shkuarjen e krerëve më të lartë politië e ish ushtarakë në Hagë. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, mbase jemi të vonuar, ngase qeveria ka kaluar gati më shumë në administrim si rezultat i mungesës së zgjedhjes së presidentit, për faktin se të gjitha partitë politike nuk e kanë në rend të parë funksionimin e qeverisë, por zgjedhjen e presidentit, ose zgjedhjet e reja. Në këto rrethana, e shoh vendin më shumë kah zgjedhjet se sa në arritjen e një marrëveshjeje kualitative dhe të dobishme për vendin.

Z.Haradinaj është duke insistuar që të jetë president i vendit. A është njeriu i duhur marrë parasysh rrethanat politike aktuale?

Anton Berisha: Mendoj që zgjedhja e Presidentit është proces shumë i rëndësishëm, ngase përveç anës protokolare, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti ka kompetenca shumë të rëndësishme politike e institucionale. Për këto arsye, është shumë e rëndësishme rruga që do të ndiqet për të arritur tek një zgjidhje finale. Ajo çfarë kam parë deri më tash tregon moskuptushmërinë e peshës së kësaj detyre dhe reduktimin e saj qoftë si trajtim përmbajtjesor qoftë si ambicie politike apo personale. Si shtetas i këtij vendi, ndihem shumë keq në mënyrën se si po trajtohet dhe në paaftësinë e politikës për të dialoguar për një çështje kaq jetike.

Si i keni parë zhvillimet rreth Gjykatës Speciale dhe a mendoni se do të dëmtohet imazhi ndërkombëtar i Kosovës nga arrestimet e Hagës?

Anton Berisha: Imazhi i Kosovës është duke u dëmtuar përditë me sjelljet tona dhe me paaftësinë tonë organizative, që të ndërtojmë institucione që aplikojnë standarde sipas normave të një shteti demokratik që ka synimin integrimin në familjen evropiane.

Natyrisht, arrestimet e krerëve te shtetit dhe arrestimet që pritet të ndodhin do të na dëmtojnë në vazhdimësi, ngase në mediumet evropiane dhe botërore do të jemi pala që akuzohet për krime të rënda duke përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit, e që pavarësisht epilogut, ato do të zgjasin si një përballje me drejtësinë në vend që energjia të fokusohej në hapat e mëtutjeshëm të sëndërtimit të shtetit.

Cili është vlerësimi juaj për Marrëveshjen e Washingtonit dhe qasjen e kryeministrit Hoti karshi raporteve me SHBA’në?

Anton Berisha: Vlerësimi im ka qenë pozitiv dhe jetik do të thoja për shtetin e Kosovës. Pse nuk është arritur më shumë, ne duhet të mësojmë ta pyesim edhe veten, nuk po sillemi si te rritur, por po ankohemi në padrejtësi pa marrë përgjegjësi për detyrimet që na takojnë. Moskordinimi i brendshëm dhe krizat e njëpasnjëshme kanë ulur kualitetin e marrëveshjes dhe këtu faji është i yni.

Qasja e Hotit ka qenë në fakt qasje e LDK-së në raport me SHBA-në dhe një qasje të tillë do ta kishte çdo zyrtar nga ky subjekt.

A mendoni se këto raporte do të rrënoheshin nëse Kurti do të vazhdonte të qëndronte në pushtet?

Anton Berisha: Kjo është një pyetje hipotetike për të cilën nuk mund ta dimë saktë se si do të vepronte z. Kurti. Ajo çka është parë, është se kishte probleme gjatë qeverisjes së tij në komunikim me SHBA, që dua të besoj se ishin rezultat i mospërvojës dhe mosmarrjes së përgjegjësisë në tema të mëdha.

Sidoqoftë, nuk mund të rrënohen marrëdhëniet me SHBA nga asnjë lider as parti politike, ngase ato janë bartëse dhe më meritorët për projektin e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Është naivitet politik të mendoj dikush në Kosovë se mund të bëhen hapa të çfarëdo natyre pa koordinim me SHBA dhe aleatët e saj perëndimor.

Si e keni parë moratoriumin 1 vjeçar për punën e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare?

Anton Berisha: E kam parë si pjesë e marrëveshjes për t’i dhënë kohë palëve të jenë konstruktive dhe të ecin përpara. Në rrafshin praktik, si një ish zëvendësministër i jashtëm dhe diplomat, është e ditur se pa përkrahjen e ShBA dhe shteteve të BE-së, asgjë nuk mund të bëhet edhe poqëse nuk ka moratorium. Tash, këto vlerësimet e rrymave enveriste se “populli çan malin” tregojnë ngecjen e tyre në kohë dhe vetëm sa dëmtojnë pozicionin tonë në raport me aleatët tonë.

Pas përfundimit të këtij moratoriumi, cila mendoni se duhet të jetë strategjia e diplomacisë kosovare për të marrë njohje të reja dhe për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare?

Anton Berisha: Mendoj që koordinimi me miqtë tonë është e vetmja rrugë për të ecur përpara me promovimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në drejtim të njohjeve të reja. Për momentin Ministria e Jashtme jo vetëm që nuk ka një strategji, por ajo vetëm sa është duke e dëmtuar Kosovën me organizimin e dobët dhe me gabime elementare dhe me papjekuri të trajtimit të temave që në fund të fundit kapërcejnë edhe kompetencën tone, e që janë të natyrës gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

A mendoni se Kosova do të mund të avancojë ndërkombtarisht pa marrë njohjen e 5-shes së BE’së?

Anton Berisha: Fokusimi dhe kërkesa ime e vazhdueshme edhe në mandatin e kaluar ka qenë të punojmë me 5shen evropiane. Kam pasur edhe takime e plane konkrete të ndihmesës nga miq të Kosovës me peshë evropiane, por në atë kohë ministria e jashtme ishte e fokusuar në vizita turistike nëpër Afrikë e Azi, në vende krejt pa peshë dhe pa ndonjë dobi.

Edhe tash, njëjtë mendoj, se pa njohjen e 5-shes evropiane është e pamundur të ndodhë integrimi i vendit tonë, prandaj duhet të ketë fokusim të plotë si dhe një fokusim i plotë në drejtim të përafrimit deri në anëtarësim në NATO.

Si e shihni faktin që BE dështon të mbajë premtimin për liberalizim të vizave dhe a e dobëson kjo pozicionin e BE’së karshi SHBA’së kur vjen puna te negociatat Prishtinë-Beograd. Pra a mendoni se Kosova do të kishte një qasje tjetër për BE-në, nëse Brukseli do t’i mbante premtimet?

Anton Berisha: Çdo qasje e Kosovës në drejtim të orientimit parcial është fatale për ne. Ne jemi produkt i një beteje shekullore për jetesë e liri, dhe falë këtyre sakrificave dhe përkrahjes së aleancës SHBA-BE jemi shtet, dhe vetëm në një koordinim me të dy palët mund të ecim përpara.

Sa i përket liberalizimit, mendoj që është dashur të ndodhë moti, por duhet edhe ne të adresojmë çështjet që na janë kërkuar, sidomos në fushën e gjyqësisë dhe të sigurisë.

Në pikëpamjen tuaj, kur e shihni të mundur arritjen e një marrëveshje finale, dhe kë e shihni protagonist të fundit të procesit, SHBA-në apo BE’në?

Anton Berisha: Shpresoj në rritjen e një dinamike në vitin e ardhshëm, e në të cilën ne të jemi kooperues e palë konstruktive me partneret tonë, në mënyrë që presioni të rritet ndaj Serbisë për të hequr dorë nga logjika e saj hegjemoniste ndaj Kosovës dhe të pranoj realitetin se jemi dy shtete fqinje.

Ju keni qenë për një kohë në AAK, dhe tashmë jeni kthyer në shtëpinë e vjetër. Çfarë nuk shkoi me z Haradinaj?

Anton Berisha: Si kryeministër i vendit, z. Haradinaj ka deklaruar se: “Anton Berisha ka qenë kujdestar në politikën e jashtme të Kosovës.” Në fakt, në pikat thelbësore në mandatin kaluar, në raport me partnerët kryesor unë praktikisht kam qenë personi kryesor në ministrinë e Jashtme. Kjo nuk ka sjellë ndonjë problem me ish ministrin e Jashtëm, ngase ai nuk paraqiste ndonjë faktor, por problemet u shfaqen me të tjerë duke përfshirë edhe presidentin Thaçi. Për të mos mbetur me kaq, edhe dallimet me z. Haradinaj u thelluan. Vizita në Vatikan dhe audienca me Papën, vizita në Berlin te kancelarja Merkel, e në të cilat isha i involvuar drejtpërdrejt shpërfaqen dallime të pakapërcyeshme ndërmjet nesh pavarësisht bashkëpunimit të mirë në fushën e sigurisë me partnerin tonë kryesor.

Paaftësia për të adresuar shqetësimet e disa vendeve mike rreth koordinimit të çështjeve serioze duke përfshirë edhe emërimet e diplomatëve ishte një pengesë tjetër, që në pikëpamjen time dëmtonte jo vetëm imazhin, por edhe funksionimin e diplomacisë tonë dhe mbaj mendimin që qasja ime ishte e duhura.

Në qoftë se shtrohet pyetje e mbetjes time në rrethana të tilla deri në fund të mandatit, ajo ishte tregues i përkushtimit tim në tema shtetërore dhe korrektësisë politike ndaj subjektit.

Si po i shihni përplasjet brenda koalicionit, dhe a prisni që vendi të shkojë në zgjedhje?

Anton Berisha: Nuk duhet shumë dijeni për të parë se ato përplasje pengojnë funksionimin normal të qeverisë dhe në qoftë se vazhdon kështu është mirë që të shkohet në zgjedhje.

Cili është projeksioni juaj për LDK’në në zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe si e keni lexuar humbjen në Podujevë?

Anton Berisha: Mendimi im mbetet i njëjtë sa i përket LDK-së, që nga gjeneza, që ajo është lëvizja më jetike e kombit shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë, ngase u krijua si një lëvizje antikomuniste dhe antirobëruese me qëllim të krijimit të shtetit të Kosovës si një organizim demokratik dhe properëndimor. Natyrisht se bartësi kryesor i saj ishte dr. Rugova dhe pas ikjes së Tij në amshim, funksionimi i LDK-së është vështirësuar shumë.

Besoj në potencialin e LDK-së për t’i tejkaluar pengesat dhe në rolin e saj të përfshijë në vete kontribuesit e saj në vite dhe intelektualet me prirje të djathtë e tradicionalë, dhe në këtë kontekst jam pajtuar me nënkryetarin z. Lutfi Haziri për të punuar së bashku në arritjen e objektivave partiake e shtetërore, pa humbur energji në çështje periferike e të padobishme. Natyrisht, si një ndër kontribuesit e LDK-së që nga fillimi dhe bashkëpunëtor i Dr.Rugovës, kjo për mua përveç tjerash paraqet kënaqësi edhe në dimensionin njerëzor, ngase kemi kaluar së bashku periudha të rënda.

Cili është vlerësimi juaj për punën e kryetarit Mustafa dhe a mendoni se ai duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të LDK’së nëse shkohet në zgjedhje?

Anton Berisha: Nuk besoj që më takon, në këtë kontekst që jam, të bëj një vlerësim të z. Mustafa, por besoj që përvoja e tij jetësore, institucionale, politike dhe njerëzore janë argumente të mira për të pritur që ai do të jep kontributin në të mirë të LDK-së dhe të interesit të shtetit të Kosovës. Mendoj që qëllimi i tij, dhe i secilit prej nesh duhet të jetë që të punojmë që LDK të kthehet, aty ku e ka vendin, partia e parë në Kosovë.

Si e keni parë qasjen e Vjosa Osmanit karshi LDK’së, dhe a mendoni se ka ende mundësi që ajo të kthehet në parti? Nëse jo, si e shihni të ardhmen politike të saj jashtë LDK’së?

Anton Berisha: Me Vjosën kam pasur bashkëpunim në kohën kur ka qene në Zyrën e Presidentit Sejdiu, por edhe në LDK. Ajo është rritur politikisht aty, dhe kush është rritur në LDK mund të ketë debate e mospajtime politike qoftë brenda partisë qoftë me të tjerët, por në qasjen institucionale mbetet formimi shtetëror. Në këtë kuptim, jam i sigurt, siç u pa edhe me veprimet e saj të fundit, se ajo do të ndjekë një linjë shtetërore në interes të Kosovës; rrjedhimisht e shoh të arsyeshme gjetjen e një gjuhe të përbashkët që ajo të vazhdojë aktivitetin në LDK. Duke marrë parasysh, edhe moshën e saj, i kisha sugjeruar të shikojë përtej konteksteve e mospajtimeve afatshkurta, ngase perspektiva dhe kontributi i saj politik maksimalizohet në LDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat