Anëtari i Kryesisë së LDK-së: Do të jemi opozitë e fortë, LDK duhet të riorganizohet dhe të kthehet fuqishëm

Intervista

Anëtari i Kryesisë së LDK-së: Do të jemi opozitë e fortë, LDK duhet të riorganizohet dhe të kthehet fuqishëm

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 mars 2021 Në ora: 13:09
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka deklaruar se i është bashkuar LDK-së, pasi beson se përvoja e tij e deritanishme dhe edukimi i tij e bëjnë të përshtatshëm për angazhim politik dhe për t’i shërbyer vendit.

Zogaj në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ka treguar se janë duke analizuar në detaje rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Ndërsa, ka bërë me dije se është më së e domosdoshme që Lidhja Demokratike e Kosovës të riorganizohet dhe të kthehet fuqishëm në skenën politike.

Ai është shprehur i bindur se kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të bëjë punë të shkëlqyeshme në parti, dhe së bashku do të angazhohen në rikthimin e lavdisë së dikurshme të LDK-së.

Sa i përket vendimit të fundit të Abdixhikut dhe LDK-së lidhur me çështjen e presidentit, anëtari i Kryesisë është shprehur se Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht ka qenë kundër sabotimit/obstruksionit të proceseve politike, pasi që, këto sabotime/obstruksione i konsideron si shumë të dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.

Në këtë intervistë, Zogaj ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë opozitë e fortë dhe konstruktive, pra ndërtuese, duke prezantuar kështu idetë për zhvillimin e vendit, dhe duke prezantuar alternativa qeverisëse, e jo duke bllokuar proceset.

Intervista e plotë:

Image
Prof. Dr. Alban Zogaj

“Bota sot”: Ju jeni pjesë e Kryesisë së re të LDK-së, çka ju shtyri t’i bashkoheni Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Alban Zogaj: Në LDK i jam bashkuar grupit më të cilin ndaj idetë e përbashkëta. I jam bashkuar LDK-së sepse dëshiroj të marr pjesë në ndryshim dhe të bëj ndryshimin, si për zhvillimin e vendit, ashtu edhe për zhvillimin e LDK-së. Gjithashtu, besoj se përvoja ime e deritanishme dhe edukimi im më bëjnë të përshtatshëm për angazhim politik dhe për të shërbyer për vendin tim.

“Bota sot”: Në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK-ja ka shënuar një rezultat shumë të dobët që nga themelimi si parti politike. Pse mendoni se pati gjithë këtë rënie?

Alban Zogaj: Ne në Kryesi të LDK-së, jemi duke analizuar në detaje rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Mendimi im personal është që ka një mori faktorësh që kanë sjell këtë rezultat dhe nuk është e lehtë të gjendet një apo dy arsye të forta që kanë sjell në rënien e fundit. Gjithsesi, duhet përmendur që vendimet politike gjatë vitit 2020-të kanë një ndikim të caktuar në rezultatin e fundit, por jo të gjithin, po e ritheksoj.

“Bota sot”: Cila duhet të jetë përgjigjja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj këtij rezultati?

Alban Zogaj: Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të riorganizohet dhe të kthehet fuqishëm në skenën politike. LDK është parti serioze dhe me shtrirje të gjerë, andaj unë jam i bindur që ky rezultat aktual është i përkohshëm. Ne do të jemi në opozitë për një kohë të caktuar dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë kohë për ri-organizim të brendshëm dhe për opozitarizëm konstruktiv e modern.

“Bota sot”: Meqenëse partia juaj ka kryer disa reforma të brendshme, me gjithë këto ndryshime, besoni se do ta ndihmojë LDK-në për zgjedhjet lokale?

Alban Zogaj: Patjetër, unë jam i bindur që vendimet e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të japin efektet e veta menjëherë në zgjedhjet lokale, e pastaj më vonë edhe në zgjedhjet qendrore. Qytetarët do të shohin në LDK atë që vet kanë kërkuar, një LDK të re, me stil të ri të vendim-marrjes, e me stil të ri të komunikimit.

“Bota sot”: Në LDK vazhdimisht është kërkuar që në krye të saj të vije një personalitet i ri. E, partia juaj tashmë ka kryetarin e ri, ai është Lumir Abdixhiku. Sa besoni se z. Abdixhiku do të arrijë ta kthejë lavdinë e dikurshme të LDK-së?

Alban Zogaj: Unë besoj shumë se z. Abdixhiku do të bëjë punë të shkëlqyeshme në udhëheqjen e LDK-së. I jam përgjigjur me kënaqësi ftesës së tij për të punuar bashkë në kthimin e LDK-së, dhe për të komunikuar idetë tona të përbashkëta, të LDK-së.

Image
Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Bota sot”: Cili mendoni se duhet të jetë pozicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës në raport me kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente?

Alban Zogaj: Ne, në Kryesi, kemi vendosur të marrim pjesë në votim për Presidentin e Kosovës, dhe të ushtrojmë detyrën tonë që na e ka dhënë qytetari. LDK vazhdimisht ka qenë kundër sabotimit/obstruksionit të proceseve politike.

Këto sabotime/obstruksione i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë shumë të dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.

Mendojmë - dhe sinjalet janë të qarta - që qytetari i Kosovës nuk ka interesim për zgjedhje të reja, e të shpejta. Kjo gjithashtu është bërë e qartë, çdo ditë, edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Për më tepër, mendojmë se zgjedhjet e reja, të shpejta, janë të dëmshme për vendin, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik e shoqëror. Andaj, të ndërtojmë institucionet e vendit e të vazhdojmë me punë, sepse këtë e pret qytetari i Kosovës.

“Bota sot”: Cili do të jetë roli i LDK-së në opozitë?

Alban Zogaj: Do të jemi opozitë e fortë, por konstruktive, pra ndërtuese. Do të bëjmë opozitë duke prezantuar idetë tona për zhvillimin e vendit dhe duke prezantuar alternativat tona qeverisëse, e jo duke bllokuar proceset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat