Hailee Steinfeld u rikthye me stil në tapetin e premierave. Aktorja 29-vjeçare shkëlqeu të shtunën në mbrëmje në Londër, në premierën europiane të filmit të animuar të Disney-t “Hexed”, me një krijim dramatik të stilistit Harris Reed, vetëm shtatë muaj pasi u bë nënë.
Siç raporton Hello!, fustani kishte një dekolte të thellë të zezë, një xhaketë të skulpturuar në ngjyrë ari rozë dhe supe të theksuara në mënyrë teatrale. Beli i ngushtë, silueta “orë rëre” dhe një fund i gjatë i zi me qëndisje metalike lulesh në buzë e plotësonin pamjen.
Steinfeld i mblodhi flokët në një topuz të lëmuar dhe zgjodhi grim me sy të tymosur e buzë natyrale. Në tapetin vjollcë të kinemasë Odeon Luxe në Leicester Square ajo pozoi edhe me kolegët e filmit: Jodie Foster, me një kostum gri të gjerë dhe këmishë të bardhë, dhe Rashida Jones, me një fustan blu të errët.
Në “Hexed”, Hailee i jep zërin Billie-t, një adoleshenteje që zbulon se ka fuqi magjike. Rashida Jones interpreton nënën e saj, Alice, ndërsa Jodie Foster zuzaren, Mbretëreshën Celeste. Në kast janë edhe Walton Goggins, Tracey Ullman dhe Stephen Fry. Filmi del në kinematë amerikane më 25 nëntor.
Aktorja dhe bashkëshorti i saj, quarterbacku i Buffalo Bills Josh Allen, u bënë prindër për herë të parë në prill. Në një intervistë për People, Steinfeld ka thënë se amësia i dha një këndvështrim krejt të ri për marrëdhënien nënë-bijë, që është edhe në zemër të filmit.