Adem Salihaj: Isa Mustafa e Fatmir Sejdiu bashkëpunuan me vrasësit e veprimtarëve të LDK-së

Intervista

Adem Salihaj: Isa Mustafa e Fatmir Sejdiu bashkëpunuan me vrasësit e veprimtarëve të LDK-së

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 qershor 2021 Në ora: 10:34
Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj dhe Isa Mustafa

Në një intervistë dhënë për gazetën “Bota sot”, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj ka folur për gjendjen aktuale politike në Kosovë, me qeverisjen e re të udhëhequr nga Albin Kurti. Po ashtu, Salihaj ka folur edhe për dështimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai ka thënë se LDK-në fillimisht e ka fundosur Fatmir Sejdiu e grushtin e fundit ia ka dhënë Isa Mustafa. Mirëpo, sipas tij, zgjedhjet lokale mund të shënojnë një ngritje të lehtë.

Salihaj ka folur edhe kryesinë e re të kësaj partie e po ashtu edhe dialogun dhe takimin që pritet të mbahet më pas në Bruksel.

Gjithashtu, ka folur dhe për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së, të cilat ende nuk janë zbardhur.

“Vrasjet e veprimtarëve të LDK-së nuk u zbuluan, sepse kryesia e LDK-së, në krye me Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën , bashkëpunoi me këta vrasës”, ka thënë tutje Salihaj.

Intervista e plotë:

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Adem Salihaj: Gjendja aktuale politike ende nuk është e mirë, kemi stagnim në zhvillimin ekonomik, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret në luftimin e krimit dhe korrupsionit, në politikën e jashtme ende nuk kemi hapa konkret, procesi i njohjeve ka stagnuar, po ashtu edhe procesi i anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare. Në anën tjetër, nuk shihet asnjë shenjë për liberalizim të vizave, ndërsa procesi i anëtarësimit në BE është me shumë të panjohura.

Bota sot: LDK pati rënie në zgjedhjet parlamentare. Sa mendoni se do të shënojë ngritje në zgjedhjet lokale?

Adem Salihaj: LDK-në e kanë fundosur fillimisht Fatmir Sejdiu, kurse grushtin e fundit ia dha Isa Mustafa. Edhe Isa Mustafa, edhe Fatmir Sejdiu qenë vegla të Thaçit dhe PDK-së dhe punuan me vetëdije të plotë për rrënimin e LDK-së.

Zgjedhjet lokale do të jenë sprova e parë, pas largimit të Isa Mustafës, mendoj se një ngritje e lehtë mund të shënohet, sepse arsyeja e ndëshkimit të LDK-së më nuk ekziston.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për kryesinë e re të LDK-së, me kryetar Lumir Abdixhikun?

Adem Salihaj: Dëshiroj që kryesia e re e LDK-së të arrijë ta ngritë pak atë, sado që vështirë do të jetë. Secili kryetar e ka një koncept për ecjen e mëtutjeshme të partisë. Lumir Abdixhiku e sheh partinë pa kuadrot e vjetra rugoviste, duke vënë si kriter moshën, e jo vlerat. Po ashtu, ka një orientim të theksuar kah kuadro nga shoqëria civile, kuadro të ish partisë Ora dhe kuadro tjera, që s'kanë qenë kontribuues në LDK. LDK, si çdo parti tjetër, ka nevojë për të gjitha kuadrot me vlera dhe për të gjitha gjeneratat, nuk duhet të jetë përjashtuese, por të ketë koherencë në mes gjeneratave. Nuk më pëlqeu fakti që kryetari i posazgjedhur e lavdëroi aq shumë Isa Mustafën dhe e shpalli kryetar nderi, sepse, siç dihet, Isa Mustafa ishte shkatërruesi më i madh i LDK-së. Sido që të jetë, i kemi përpara shumë procese dhe do t'i shohim rezultatet.

Bota sot: Sa mendoni se ai do ta rikthejë partinë sikur ishte dikur e fuqishme?

Adem Salihaj: Dëshira ime e përhershme është që LDK të kthehet e fuqishme dhe ta ketë rolin që kishte në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Mendoj se realiteti nuk është i tillë që të kemi shpresa aq të mëdha. Megjithatë, nuk dua të paragjykoj, shpresoj se LDK do të rikthehet gradualisht për të qenë faktori zhvillimor dhe stabilizues i shtetit.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për emrat e kandidatëve të LDK-së për komuna të Kosovës, të bërë publik deri tani?

Adem Salihaj: Mendoj se kandidatët e shpallur janë më të mirët në ato komuna dhe i kanë gjasat më të mëdha për të fituar. Nëse eventualisht ndonjë apo disa nuk fitojnë, nuk do të jetë faji i tyre, sepse LDK-në e kanë rrënuar politikat e gabueshme të kryetarit dhe të kryesisë në Prishtinë, jo të degëve.

Bota sot: Z.Salihaj, flasim pak për Qeverinë Kurti. Cili është vlerësimi juaj për punën e saj tani kur pothuajse i ka bërë 100 ditë?

Adem Salihaj: Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha për luftimin e krimit dhe korrupsionit, për hapjen e perspektivave zhvillimore dhe për kthimin e shpresës. Elektorati i Kosovës ia dha besimin, por edhe mundësinë e plotë për t'i arritur këto qëllime. Këto 100 ditë kjo qeveri nuk u shqua për ndonjë veprim apo vendim të rëndësishëm, disi kam përshtypjen se po heziton për të vepruar. Po ashtu ka mjaft vërejtje se ka emërime dhe punësime në vende kyçe në baza partiake dhe familjare, gjë që do të ndikojë dukshëm në rënien e besimit. Kjo qeveri e ka fuqinë politike për të vepruar. Nëse vërtetë ka qëllime të mira, e ka mundësinë për t'i arritur ato. Ka shumë punë për të bërë dhe nuk e kuptoj arsyen e hezitimit dhe të pasigurisë.

Bota sot: Një nga çështjet më aktuale është dialogu me Serbinë që rifilloi këtë muaj. Si e vlerësoni paraqitjen e kryeministrit Kurti përballë Vuçiqit?

Adem Salihaj: Bisedimet me Serbinë janë thembra e Akilit dhe nuk do të jenë aspak të lehta. Kjo qeveri duhet të afrojë kuadro të forta dhe të dëshmuara, edhe në ekipet për përgatitjen e bisedimeve, edhe në ekipet e bisedimeve. Në këtë kuptim, nuk duhet shikuar aspak përkatësinë partiake. Kufizimi me kuadro vetëm brenda partisë e dobëson shumë përfaqësimin e Kosovës dhe mundësinë për arritjen e suksesit.

Mund të them se paraqitja e parë në takimin e parë ishte më e mirë se ato të përparshmet. Së paku, delegacioni i Kosovës pati dinjitet dhe integritet, të cilat kanë munguar plotësisht në delegacionet e mëparshme. Por, po ashtu pati improvizime dhe jo një plan apo platformë të menduar mirë.

Përfaqësuesit e Kosovës deri tash kanë shkuar në takime plotësisht të papërgatitur, janë munduar të improvizojnë, por kanë dështuar dhe si pasojë, kanë nënshkruar marrëveshje shumë të rrezikshme për Kosovën. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa ia hapën dyert Serbisë për rikthim në Kosovë. Tash qeveria Kurti duhet ta ndalë këtë proces negativ dhe t'i mbrojë interesat e Kosovës. Tash e kemi në krahun tonë më shumë se kurrë aleatin tonë të fuqishëm, SHBA-të në krye me presidentin Biden. Këtë fakt duhet shfrytëzuar maksimalisht. Çdo veprim i Kosovës në këto bisedime duhet të jetë i koordinuar dhe i harmonizuar me SHBA-të, por edhe me aleatët tanë evropianë, veçanërisht Anglinë dhe Gjermaninë. Qeveria e Kosovës duhet të ketë platformë, objektiva dhe plan të detajuar në bisedimet me Serbinë. Përpjekja për t'u ikur bisedimeve apo për t'i injoruar ato, nuk besoj se është zgjidhje dhe as veprim i mençur.

Bota sot: Çfarë pritni nga takimi që do të mbahet me 25 korrik në mes të Kurtit dhe Vuçiqit?

Adem Salihaj: Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është eliminimi i epërsisë së Serbisë dhe heqja e rolit të saj të viktimës. Serbia duhet demaskuar me fakte se ka qenë dhe është një shtet kriminel, që ka kryer masakra të pashembullta në Kosovë. Për këtë ekzistojnë jo vetëm mijëra, por qindra mijëra fakte, madje për qindra vjet, jo vetëm për periudhën e fundit. Duhet krijuar situatën se Serbia duhet të japë llogari dhe të bëjë koncesione, jo Kosova dhe populli shqiptar.

Bota sot: Një temë mjaft e përfolur dhe e ndjeshme është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. A mendoni se duhet të formohet ai?

Adem Salihaj: Marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, bashkë me marrëveshjen e demarkacionit, qenë dy marrëveshje fatale për Kosovën. Ato qenë një gur i rëndë në qafën e Kosovës dhe Kosova nuk po arrin ta heq këtë gur nga qafa e saj. Ky asociacion ashtu siç është nënshkruar, me asnjë kusht nuk duhet të realizohet, sepse do të shënojë fundin e Kosovës si shtet. Ky asociacion do të jetë Republika Srpska në Kosovë.

Bota sot: Vrasjet politike kanë mbetur peng tash e sa vite, cilat janë pritshmëritë tuaja nga kjo qeveri për zbardhjen e tyre?

Adem Salihaj: Vrasjet e veprimtarëve të LDK-së nuk u zbuluan, sepse kryesia e LDK-së, në krye me Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën , bashkëpunoi me këta vrasës. Unë nuk jam shumë optimist se këto vrasje do të zbulohen ndonjëherë. Zhvillimet e deritashme kanë treguar se s'ka forca serioze që do të luftojnë për ndriçimin e këtyre vrasje. Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, bashkë me kryesinë e LDK-së, duke bashkëpunuar me bandat dhe vrasësit, qenë bërë edhe vetë pjesë e këtij krimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat