PDK synon “timonin” e Vushtrrisë/Idrizi flet edhe për dorëheqjet e fundit në partinë e tij!

Intervista

PDK synon “timonin” e Vushtrrisë/Idrizi flet edhe për dorëheqjet e fundit në partinë e tij!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 shtator 2021 Në ora: 17:14
Ferit Idrizi

Zgjedhjet lokale në vend priten të mbahen më 17 tetor.

Këto zgjedhje do të përcaktojnë kryetarët e komunave që qytetarët do të dëshirojnë t’i përfaqësojnë gjatë mandatit të tyre.

Të gjendur para këtyre zgjedhjeve, partitë politike veçse kanë filluar fushatën e tyre parazgjedhore duke qëndruar shumë afër qytetarëve dhe kuptuar problemet që ata po përballen.

Gazeta “Bota sot” ka realizuar intervistë ekskluzive me kandidatin për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Ferit Idrizi.

Idrizi ka 17 vite që ka kontribuar në vazhdimësi në qytetin e Vushtrrisë, ndërsa në këto zgjedhje ai do të kandidojë për kryetar të kësaj komune.

Kandidati shprehet se pritshmëritë e tij për këto zgjedhje janë të dalë i pari ndër të gjithë kandidatët që synojnë të postin e kryetarit të Komunës.

Duke biseduar në lidhje me situatën politike në vend, ai shprehet se ka një situatë të rëndë brenda dhe ka presione politike nga jashtë, e duke mos mjaftuar gjendja e rënduar nga situata pandemike ka vështirësuar mjaftë shumë vendin tonë.

I pyetur për synimet që ai ka për qytetin e Vushtrrisë, ai ka thënë se programi qeverisës do të prek të gjitha shtresat e qytetarëve duke pasur në qendër punësimin e të rinjve në vend.

Ndërsa, për qeverisjen e LDK-së përgjatë kësaj periudhe, Idrizi thotë se 80% e premtimeve nuk janë përmbushur, mirëpo që nuk lë anash aktivitetet kulturore që ka realizuar dhe rregullimin e sheshit së bashku me ngritjen e shtatores së Heroit të kombit Ahmet Krasniqi.

Por, një çështje tjetër që u bisedua në këtë intervistë ishte edhe largimi i dy ish-deputetëve nga PDK, e që për Idrizin ato zgjodhën rrugën që dëshironin mirëpo i falënderoi për bashkëpunimin ndër vite që kanë pasur.

Gjithashtu në bisedë e sipër, Idrizi u pyet për reformat që kryetari Krasniqi ka ndërmarrë brenda PDK-së, e që sipas tij këto reforma kanë filluar që nga qeverisja e tij e po shihet puna edhe në Vushtrri ku bartës i listës është një kuadër i ri, i përgatitur mirë.

Në fund, Idrizi tregoi disa nga arsyet që ai është i denjë për kryetar të Vushtrrisë, duke filluar nga puna 17 vjeçar për komunën e Vushtrrisë, pastaj përgatitja cilësore akademike brenda dhe jashtë vendit, ai shton se ka përvojë të gjatë në hartimin e politikave, si dhe në udhëheqje të projekteve vendore dhe ndërkombëtare, mbi të gjitha Idrizi shprehet se njoh shumë mirë funksionimin e administratës, si dhe qytetin e Vushtrrisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Ferit Idrizi: Është një situatë e rëndë, me presione socio-ekonomike nga brenda dhe me presione politike nga jashtë.

“Bota sot”: Ju jeni pjesë e listës së PDK-së për kryetar të komunës së Vushtrrisë, cilat janë pritshmëritë e juaja nga këto zgjedhje?

Ferit Idrizi: Kosova tanimë ka një traditë të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Si kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, pres që të dal bindshëm fitues në Komunën e Vushtrrisë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet që keni për Komunën e Vushtrisë?

Ferit Idrizi: Synoj ta ngris cilësinë e shërbimeve të qytetarëve të Vushtrrisë, përmes një qeverie që qytetarin e ka në qendër të vëmendjes pa dallim partie. Qytetarët janë lodhur nga qeveri të polarizuara pa nevojë. Sundimi i ligjit dhe barazia do të jenë të pa negocueshme, ndërsa programi qeverisës do t'i prekë të gjitha fushat dhe shtresat e qytetarëve, duke u fokusuar te zhvillimi ekonomik, rinia, të papunët dhe ngritja e cilësisë në arsim.

“Bota sot”: Z.Idrizi, sipas jush sa ka arritur LDK të menaxhojë situatën në qytetin e Vushtrrisë? Cilat janë vërejtjet që keni për këtë parti?

Ferit Idrizi: Në pjesën më të madhe të mandatit, qeverisja ishte e përbashkët në Vushtrri LDK-VV-AKR. Pa qenë mohues i asaj që është punuar, mbi 80% e premtimeve nuk janë përmbushur (largimi i fabrikës së betonit nga fshati Sfaraqak, kthimi i stacionit të autobusëve aty ku ishte më parë, që tani është bllok i banesave, ndërtimi i një tregu të gjelbër të tipit të Tiranës, ndriçimi solar në qytet, organizimi i mësimit tërë ditor në të gjitha shkollat, riaktivizimi i Minierës së Magnezitit në Dubofc, investime milionëshe në malet e Çyqavicës, e shumë e shumë premtime tjera, të cilat asnjë nuk janë realizuar). Të vetmin premtim që ka realizuar Kryetari është ndërtimi i sheshit dhe ngritja e shtatores së Heroit të kombit Ahmet Krasniqi, që është për përshëndetje, si dhe vërehet një dinamikë e aktiviteteve kulturore nga Drejtoria e Kulturës, veçanërisht në tetë mujorin e fundit. Të gjitha projektet tjera ishin nga qeverisja e ish kryetarit Bajram Mulaku.

“Bota sot”: PDK në zgjedhjet e 14 shkurtit doli e dyta nga partitë e tjera, sa mendoni që do të ndryshojë kjo renditje në zgjedhjet e 17 tetorit?

Ferit Idrizi: Pritjet tona reale janë të dalim të parët në zgjedhjet e 17 tetorit, madje të fitojmë në raundin e parë. Isha fitues bindshëm edhe në raundin e parë në vitin 2017, por balotazhi krijoi një koalicion LDK-LVV-AKR, dhe e përmbysën rezultatin, koalicion ky i cili u prish në vitin e fundit të qeverisjes.

“Bota sot”: Gjithashtu kohët e fundit nga PDK janë larguar emra të njohur, si I komentoni këto dorëheqje?

Ferit Idrizi: Nuk i kam mirëpritur këto largime, pasi kam bashkëpunuar ngushtë dhe kam bashkërrugëtuar gjatë me dy miket e mia që u tërhoqën. Megjithatë, ishte vullnet i tyre i njëanshëm dhe unë e respektoj, gjithsesi duke i falënderuar për punën dhe kontributin e tyre.

“Bota sot”: Memli Krasniqi tashmë është kryetar i ri i partisë, cilat janë ndryshimet që ka sjellë brenda kësaj kohe në parti?

Ferit Idrizi: Ndryshimet nga ardhja e kryetarit të ri veç kanë filluar me reformat në parti dhe hapjen e partisë për kuadro dhe rini. Tregues i qartë është edhe lista jonë në Vushtrri ku bartës i listës është një kuadër i ri, i përgatitur mirë. Edhe pjesa tjetër e listës me shumicë janë të reja dhe të rinj me përgatitje akademike.

“Bota sot”: Situata pandemike mbetet ende një sfidë për vendin, a mendoni që qeveria po arrin të menaxhojë si duhet?

Ferit Idrizi: Kjo që duket për të gjithë, nuk do edhe koment, situatë shumë e rëndë!

“Bota sot”: Në fund, a mund të na tregoni disa nga arsyet që qytetarët e Vushtrrisë duhet të ju votojnë juve?

Ferit Idrizi: Janë disa arsye pse qytetarët e Vushtrrisë duhet të më votojnë. Jetoj në Vushtrri dhe jam afër qytetarëve (menaxhimi nga afër) Kam punuar 17 vite në Vushtrri, si mësimdhënës, drejtor shkolle dhe kryesues kuvendi. Gjithë kjo periudhë u vlerësua shumë e suksesshme. Njihem si faktor unifikues dhe shumë bashkëpunues me subjekte tjera politike dhe qytetarët. Kam eksperiencë të gjatë në menaxhim, pasi, përpos 17 viteve punë në Vushtrri kam edhe 11 vite tjera në menaxhim, 10 si drejtor për Integrime Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Statistika në Ministrinë e Arsimit, dhe një si Drejtor i Agjencisë për Arsim Profesional. Kam përgatitje cilësore akademike brenda dhe jashtë vendit (një master në Prishtinë, një tjetër në Universitetin e Shefilldit, si dhe PHD(c) në Universitetin e Shkupit. Një specializim për arsimin profesional dhe lidhjen me tregun e punës në Japoni, dhe një në Izrael. Kam përvojë të gjatë në hartimin e politikave, si dhe në udhëheqje të projekteve vendore dhe ndërkombëtare. E njoh shumë mirë funksionimin e administratës, si dhe qytetin e Vushtrrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat