Praktika e Kosovës për verifikimin e personave të dhunuar “ndër më të mirat në botë”

Intervista

Praktika e Kosovës për verifikimin e personave të dhunuar “ndër më të mirat në botë”

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 12:32
Instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj-Balaj, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, nga 1,000 persona që kanë fituar statusin e viktimave të dhunës seksuale, 36 janë burra.

Ajo thotë po ashtu se për tri vjet janë pranuar 1,564 aplikacione.

Sipas saj, mungesa e shprehjes së lirë për të treguar për dhunën e ndodhur, po bën që shumë gra të mos tregojnë përjetimet e tyre gjatë luftës.

Zonja Begaj-Balaj, prej kohës kur ka nisur të bëhet verifikimi i statusit të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës e deri më tash, sa është numri i përfituesve të pensionit?

Begaj-Balaj: Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ka filluar zyrtarisht punën me 5 shkurt 2018. Deri më tani, Komisioni ka pranuar 1,564 aplikacione në nivel të Kosovës, ndërsa u është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale 1,000 rasteve.

Sa prej tyre janë burra e sa janë gra?

Begaj- Balaj: Shumica janë gra. I kemi 36 raste që ua kemi njohur statusin burrave, të tjerat janë gra.

 Është thënë se numri i personave të dhunuar është rreth 20 mijë. A keni bërë ndonjë analizë se pse nuk ka numër më të madh të aplikimeve?

Begaj-Balaj: Tashmë që Komisioni, brenda kompetencave, shqyrton aplikacionet dhe dokumentet e nevojshme, ne kemi një përgjegjësi që të gjithë ata që aplikojnë për të fituar statusin "viktimë e dhunës seksuale", ne t’i trajtojmë lëndët. Ndërsa çështja e asaj që sa kemi raste të dhunës seksuale, ne kurrë nuk do ta dimë. Kjo për arsye se ka gra, burra ose djem e vajza që kanë mbyllur historinë dhe kanë vazhduar jetën dhe nuk duan që t'i kthehen kësaj traume.

Ka edhe prej atyre që po vdesin. Ka raste që ndoshta edhe për një situatë tjetër, për problemet që i kanë, për një stigmë që e kanë ende, dhe të jemi të sinqertë se prej këtyre viteve që ne po punojmë, kemi kuptuar që ka ende gra që janë ndaluar që të lëvizin e të vijnë në Komision. E kanë problem të vijnë ta marrin edhe pensionin, e kanë problem edhe të vijnë t'iu nënshtrohen intervistave. Kjo për shkak të mentalitetit, patriarkalizmit, stigmës që ekziston në familje, qoftë prej burrit, qoftë prej anëtarëve të tjerë të familjes. Dhe ndoshta këtu nuk kemi mundësi të dimë sa kanë pasur e sa kanë përjetuar dhunë seksuale.

 A është e përshtatshme mënyra e aplikimit për personat që duan të aplikojnë?

Begaj-Balaj: Ne konsiderojmë që edhe atëherë, kur është ndërtuar sistemi, kemi bashkëpunuar ngusht me shoqërinë civile. Po shihet që praktika e Kosovës po del një prej praktikave më të mira në botë. Po e them këtë për arsye se në procesin e ndihmës ose ofrimit të ndihmës për aplikim, ne i kemi katër organizata joqeveritare që janë të licencuara. I kemi zyrtarët në shtatë rajone që janë në kuadër të ministrisë, e kemi edhe sekretarinë. Palët në cilëndo mënyrë që e shohin më të mirë dhe ndihen më rehat, mund t'i drejtohen Komisionit.

Ta kemi parasysh gjithë këtë format pasi gjithë këta persona, të gjithë këta zyrtarë, që punojnë në kuadër të procesit për njohjen dhe verifikim e statusit, kanë nënshkruar një deklaratë konfidenciale. Që do të thotë se Komisioni i trajton lëndët me profesionalizëm me konfidencialitet. Njëkohësisht këtë trajtim e kanë edhe nga organizatat joqeveritare. Kështu që garantohet një konfidencialitet dhe një trajtim dinjitoz i rasteve.

Cilat janë vështirësitë në procesin e verifikimit?

Begaj- Balaj: Vështirësi ka mjaft, ndoshta mund ta quajë sfidë vetë procesin. Keni parasysh që ne po e trajtojmë si Komision një traumë që ka ndodhur para 20 vjetëve dhe e dimë se nuk është e lehtë. Këtë më së mirë e dinë edhe organizatat joqeveritare, pasi është problem për të rikthyer ngjarjen, për t'u shprehur për atë se çka ka ndodhur. Vetë procesi është sfidues, mos të flasim pastaj për probleme e sfida të tjera.

Mund të jetë një grua që e ka problem sot të lëvizë lirshëm prej një qyteti apo një fshati të Kosovës për t'ju drejtuar Komisionit, qoftë edhe një herë.

Po themi se stigma nuk është e sforcuar siç ka qenë para disa vjetëve, por që ekziston. Ne po mundohemi që ato panelet intervistuese të jenë në një ambient miqësor në mënyrë që viktimat të shprehen sa më lehtë. Po mundohemi ta bëjmë më të mirën e mundshme për hir të procesit e për hir të asaj traume.

Sa jeni të kënaqur ju me numrin e aplikuesve?

Begaj-Balaj: Gjendja me pandeminë e koronavirusit ka ndikuar në gjitha sferat e jetës në Kosovë. E ka prekur edhe këtë proces. Në kuadër të numrave që i kemi tash e tre vjet, nuk mund të them se jemi të kënaqur apo nuk jemi të pakënaqur, duke konsideruar që në bazë të informacioneve që kemi prej organizatave joqeveritare, ka raste që janë të dhunuar gjatë luftës, por që nuk kanë aplikuar dhe për këtë ne bëjmë thirrje edhe përmes kësaj interviste që të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale t'i drejtohen Komisionit për të aplikuar edhe për të fituar statusin e viktimave të dhunës seksuale.

Duhet të besojnë në kredibilitetin e Komisionit dhe duhet të besojnë në gjithë partnerët që punojnë në këtë proces. Ne për këtë e kemi edhe projektin që jemi të përkrahur nga Ambasada e Zvicrës, që titullohet 'Mobilizimi i komuniteti lokal për fuqizim e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë'. E kemi konsideruar që është prej proceseve me rëndësi në këtë fazë për sensibilizimin e opinionit rreth procesit të aplikimit, me theks të veçantë që të shpërndahen informacione të sakta, në mënyrë që të aplikojnë të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale.

Si e vlerësoni bashkëpunimin me autoritetet komunale në këtë proces?

Begaj-Balaj: Nga takimet e fundit kemi parë që ka pasur nevojë edhe më herët të ketë një bashkëpunim të tillë dhe kemi dalë të kënaqur. Mbështetja apo fjala e të parit të komunës do të thotë shumë për komunitetin. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që të organizohen të gjithë akterët relevantë rreth këtij procesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat