Ekskluzive: Intervistë me të bijën e Xhemail Mustafës: Gjykata speciale mbetet dera dhe shpresa jonë e fundit

Intervista

Ekskluzive: Intervistë me të bijën e Xhemail Mustafës: Gjykata speciale mbetet dera dhe shpresa jonë e fundit

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 20:12
Berianë Mustafa pranë monumentit të babait, Xhemail Mustafa

Intervistoi: Idriz Morina

Si jetoi familja e Xhemail Mustafës pas atentatit ndaj tij? A ishte presidenti Rugova, njeriu i fundit që i ofroi kujdes familjes Mustafa?

Sa dhe pse nuk iu ofrua kujdes institucional kësaj familje dhe as të tjerave viktima të vrasjeve politike, edhe kur ishte në qeverisje LDK-ja. Po pse ua ndali LDK-ja ndihmën minimale kësaj familje dhe të tjerave?

Si i vuajtën tërë këto vite familja Mustafa, presionin ndaj tyre për të mos u interesuar shumë për atentatin ndaj Xhemail Mustafës.

Për këto dhe çështje të tjera lexojeni intervistën me Berianë Mustafën vajzën e Xhemail Mustafës, gazetare, të bërë nga “Bota sot” me rastin e 21 vjetorit të atentatit

“Bota sot”: Po bëhen 22 vite nga momentet tragjike të familjes suaj, kur ndodhi atentati ndaj babait tuaj, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova. Si i kujtoni ato momente sot?

Berianë Mustafa: Ka qenë një ditë e rëndomtë pune, kur po kthehesha nga fakulteti dhe e pashë që para ndërtesës kishte shumë qytetarë dhe policë. Në atë moment ma mori mendja që diçka e pakëndshme kishte ndodhur, por nuk doja ta pranoja. Fillimisht na thanë që ishte plagosur babi, por më vonë na kumtuan lajmin se ai kishte vdekur në spital.

Nga ajo ditë, jeta jonë si familje do të ndryshojë shumë. Janë ditë të cilat ne vazhdojmë me jetu me mallin dhe dhimbjen për të, dhe frustrimin në shtet që as sot pas 21 vitesh nuk kanë bërë asgjë për ta zbuluar vrasjen e tij.

“Bota sot”: Ju pastaj si familje u zhvendoset per ngushellime në Podujevë dhe në fshat në Gllamnik, vendlindjen e Xhemës. Si i kujton ato ditë, sa ishin ngushëlluese ato vizita nga mijëra veta nga mbarë Kosova?

Berianë Mustafa: Kanë ardhë shumë njerëz për të shpehur ngushëllime ato ditë në Podujevë dhe Gllamnik, e më vonë edhe në Prishtinë. Sot kur mendoj, e kuptojë që fjalët e mira që i kemi marrë për babin nga të tjerët kanë qenë ngushëlluese për ne. Na kanë bërë më të fortë për të vazhduar në jetë, sepse janë veprat e tij të mira ato për të cilat njerëzit flasin edhe sot kur takohemi.

“Bota sot”: Presidenti Rugova erdhi nga udhëtimi jashtë vendit, drejt e në varreza ta shprehte ngushëllimin dhe dhimbjen për Xhemën, si i thoshte ai. Jeni takuar atë ditë apo më pas me presidentin Rugova si familje?

Berianë Mustafa: Ka qenë një vizitë e tij që do e bënte tek gjyshi në shtëpi ku do të takoheshim dhe do të na shprehte ngushëllimin e tij. E kuptoje që ishte i mërzitur, por që mbahej para nesh dhe na jepte kurajo.

“Bota sot”: Cilat ishin raportet e mëpastajme me familjen Rugova, kishit mbështetjen e Presidentit, kujdesin e tij?

Berianë Mustafa: Mbështetja nga presidenti Rugova nuk ka munguar. Të kuptohemi ndaj nesh as sot e asaj dite nuk ka pasur mbështetje institucionale, por që presienti Rugova, si mik i babit tregonte një kujdes ndaj familjeve të bashkëpunorëve të tij të vrarë.

“Bota sot”: Po me njerëzit, kolegët që punuan në QIK së bashku me Xhemen, keni raporte familjare, kujtime apo...?

Berianë Mustafa: Kontaktet me kolegët e babit nga QIK-u nuk do i quaja raporte familjare. Kishte disa vizita nga disa prej miqve të tij, por që me kohën edhe ato janë zbehur.

“Bota sot”: Xhema ishte i lidhur me informimin, QIK-un, vinte nga gazetaria, si e shihni mbylljen e QIK-ut, a duhej ti ndodhte kjo, pasi edhe vetë jeni gazetare?

Berianë Mustafa: Unë besoj që QIK-u do të duhej të vazhdonte ekzistencën e saj. Natyrisht duke krijuar një format të modifikuar, i cili do t'i përshtatej kërkesave të reja të tregut medial në Kosovë.

“Bota sot”: Cila mendoni se do të ishte sot “lutja për Prishtinën dhe Kosovën, e Xhemës?

Berianë Mustafa: Është e vështirë të hamendësoj nga kjo pozitë. Por, nëse gjatë luftës, ku qëndroi i ngujuar për 78 ditë në Prishtinë, gjeti kurajon të shkruante dhe të lutej për qytetin që e deshi shumë, për Kosovën gjithashtu, atëherë vetëm mund t’i imagjinojë që lutjet e tij do të ishin veç të mira për Kosovën.

“Bota sot”: Po LDK-ja, sot sa ngjan me idealet e Xhemes për të?

Mustafa: LDK-ja sot dhe LDK-ja e Xhemës dallojnë shumë, gjë që është e kuptushme dhe e natyrshme, sepse kanë ndërruar rrethanat e zhvillimit të skenës politike në Kosovë. Nuk mund të kërkosh që një LDK e viteve '90-ta të funskionjë me të njëjtin mentalitetet në vitin 2021. Por, që LDK-ja ka bërë gabimet e saj përgjatë kësaj kohe, as kjo nuk mund të mohohet. LDK-ja e idealeve të Xhemës besoj që ka qenë ajo e viteve kur ka vepruar ai... e për pjesën tjetër nuk e di.

“Bota sot”: Si jetonte familja juaj, derisa u bëtë të pavarur ju fëmijët, sepse ende në moshë shumë të re kur mbetët pa babain, a e kishit të lehtë jetën të paktën, familja të mos kishte jetë të varfër. Kishte kujdes LDK-ja për ju?

Berianë Mustafa: E thashë përkujdesja instucionale ka munguar. LDK-ja kishte ndarë një pagë në vlerë prej 150 eurove për familjet e veprimtarëve të saj të vrarë, për disa vite, por që pa anjë paralajmërim ato ishin ndërprerë. Përndryshe materialisht kemi qëndruar mirë falë nënës.

“Bota sot”: A ju kanë penguar, lënduar mediat duke dhënë jo rrallë versione të ndryshme për autorët e atentatit?

Berianë Mustafa: Në fillim po. Por, pastaj fillon të mësohesh me një brutalitet të mediave në Kosovë, dhe fillon ti selektosh edhe ti vetë informatat dhe i merr më me gjakftohtësi.

“Bota sot”: Keni ju ndonjë version të besueshëm apo e keni lënë të gjithën në duart e gjykatës speciale?

Berianë Mustafa: Bindjet personale nuk mund të mbështeten pa fakte. Prandaj, gjykata speciale mbetet dera dhe shpresa e fundit. E kam me rezerva sepse zhgënjimet janë të mëdha, por që është shpresë e fundit, është.

“Bota sot”: A besoni se do te dënohen edhe porositësit dhe hartuesit e vrasjeve?

Berianë Mustafa: Ky është edhe qëllimi im. Ekzekutuesit janë njerëz që paguhen për të kryer shërbime, e rendëshishme është të vihen para drejtësisë ata që dhanë urdhër për vrasjen e babait.

“Bota sot”: A ka ndodhur të keni pasur presione gjatë viteve që ju të mos merreni me rastin, të mos provoni që të zbulohet rasti i atentatit?

Berianë Mustafa: Jo, presione direkte jo.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat