Eksperti britanik tregon dy synimet e Rusisë në Ballkan, flet për sanksionet perëndimore ndaj saj

Intervista

Eksperti britanik tregon dy synimet e Rusisë në Ballkan, flet për sanksionet perëndimore ndaj saj

Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 10:33
Ish-diplomati britanik Timothy Less

Ish-diplomati britanik Timothy Less thotë se asnjë sanksion relativisht i butë i vendosur nga Perëndimi nuk do të mjaftojë për të bllokuar Rusinë.

Less, në një intervistë për KosovaPress, tha se sanksionet do të duhet të shoqërohen edhe me mbështetje të qëndrueshme ushtarake për rezistencën ukrainase, deri në atë pikë sa të mund të shkaktojë dëme reale dhe të qëndrueshme për trupat ruse në terren.

Ndërsa, lidhur me shqetësimet se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përballen me situata që shkaktojnë destabilizim, Less thotë se varet se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë, pasi Rusia ka dy synime themelore në Ballkan. Njëra është të bllokojë zgjerimin e NATO-s dhe tjetra është të krijojë probleme për Perëndimin duke ruajtur një nivel të ulët të destabilitetit, veçanërisht në Bosnje, Serbi dhe Kosovë.

Intervista e plotë:

KosovaPress: Çka e pret botën të cilën e kemi njohur deri më tani, pas agresionit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, ose më mirë: si duhet ndalur Putini?

Less: Nuk jam i sigurt nëse Rusia mund të ndalet, të paktën jo pa një ndryshim në mentalitetin e Perëndimit dhe një riorganizim të shoqërive, ekonomive, dhe ushtrive tona. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Perëndimi pakësoi shpenzimet e tij për mbrojtjen, i bëri ekonomitë e tij të varura nga shtete të tilla si Rusia, dhe hoqi dorë nga të menduarit për gjeopolitikën. Në vend të kësaj, u fiksua pas kërcënimeve të rendit të dytë si terrorizmi ndërkombëtar, dhe e trajtoi politikën e jashtme si një mjet për promovimin e vlerave liberale, siç janë demokracia dhe të drejtat e njeriut, në vend që të mbështesë interesat e saj thelbësore. Potencialisht, pushtimi rus i Ukrainës mund ta shkundë Perëndimin nga plogështia e tij, por ne do të duhet të shohim. Ndërkohë, ajo që mund të themi me siguri për atë se çka e pret botën është se Rusia do të krijojë një sferë të qartë ndikimi që përfshin Ukrainën.

Pasojat e saj, tani për tani, janë të vështira për t'u parashikuar, por ka shumë zëra, veçanërisht ekspertë të sigurisë, të cilët shprehin shqetësimin se një luftë e re evropiane nuk mund të përjashtohet. A mendoni se sot filluan ditët më të vështira për Evropën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore?

Less: Unë mendoj se një luftë gjithë-evropiane nuk ka gjasa të ndodhë, pavarësisht përpjekjeve nga disa për të përshkruar ngjarjet aktuale si të ngjashme me Evropën në fund të viteve 1930. Drama aktuale brenda kufijve të Ukrainës dhe dhuna nuk ka gjasa të përhapet më tej. Potencialisht, shtetet fqinje si Polonia, Rumania dhe Moldavia mund të veprojnë si kanale për furnizim me armë për ukrainasit, që do të thotë se Rusia mund të merr hapa për t'i bllokuar ata në kufijtë e tyre, ose për t'u përfshirë në një luftë hibride kundër tyre.

Megjithatë, nuk ka arsye për të supozuar një zjarr më të gjerë siç ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, që kishte të bënte me një shtet agresor, Gjermaninë, i cili gjeografikisht ndodhej në qendër të kontinentit me ambicie territoriale mbi të gjithë Evropën dhe i rrethuar nga vende të tjera, si Hungaria dhe Kroacia, të cilat kishin interes të mbështesnin Gjermaninë për të arritur qëllimet e tyre të veçanta politike.

Unë mendoj se Evropa po shkon drejt ditëve të saj më të vështira që nga Lufta e Dytë Botërore, por kjo nuk është veçanërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Ky është vetëm një aspekt i një prishjeje më të madhe në rendin politik të Evropës. Po aq të rëndësishme janë edhe kolapsi i ngadaltë i Bashkimit Evropian, lufta kulturore që po shpërthen në Evropën perëndimore, dhe ngritja e fuqive të tjera si Kina dhe Turqia.

Blloku perëndimor i përgjigjet Rusisë me sanksione dhe gjithashtu pritet që sanksionet kundër Rusisë të jenë të ashpra, por pyetja ime është se a do të mjaftojnë vetëm sanksionet për Rusinë, e cila në fakt ka shkelur të gjithë rendin dhe rregullat e shkruara ndërkombëtare?

Less: Asnjë sanksion nuk do të mjaftojë për të bllokuar Rusinë, aq më pak sanksionet e llojit relativisht të butë që Perëndimi ka vendosur deri më tani. Në mënyrë që sanksionet të kenë efekt, ato duhet të jenë mjaft të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse për të krijuar vështirësi serioze për qeverinë ruse, deri në atë pikë sa të mos mund të sigurojë mirëqenie për popullatën, ose të mos mund të paguajë ushtrinë. Për momentin, nuk shoh shumë perspektivë për këtë. Evropa është e varur nga tregtia me Rusinë, veçanërisht për furnizimin me energji. Nëse do të vendosë sanksione kuptimplote, fillimisht duhet të gjejë furnizues alternativë, gjë që nuk mund të arrihet shpejt dhe mund të mos jetë fare e mundur.

Sanksionet do të duhet gjithashtu të shoqërohen me mbështetje të qëndrueshme ushtarake për rezistencën ukrainase, deri në atë pikë që ajo të mund të shkaktojë dëm real dhe të qëndrueshëm për trupat ruse në terren. Përsëri, ky është një proces. Unë dyshoj se ushtria formale do të mposhtet në ditët në vijim, që do të thotë se ukrainasit duhet të formojnë një rezistencë joformale ndaj së cilës Perëndimi mund t’i furnizojë me armë vdekjeprurëse përmes Polonisë, Rumanisë dhe Moldavisë. Potencialisht, kjo mund të përsërisë situatën e Afganistanit të viteve 1980, ku rusët pësuan mjaft viktima sa që përfundimisht u tërhoqën. Megjithatë, e gjithë kjo është spekulative dhe varet nga aftësia e ukrainasve për të formuar një lëvizje rezistence, varet nga Perëndimi për t'i mbështetur ata, dhe nga Rusia për të hequr dorë nga lufta për një çështje që ajo e konsideron ekzistenciale.

Nëse Rusia nuk mund të mposhtet, atëherë për një kthim në një lloj normaliteti në Ukrainë do të thotë që Perëndimi duhet të arrijë një zgjidhje diplomatike dhe kjo ndoshta do të thotë përmbushja e kërkesës së Rusisë që vendi të mos anëtarësohet në NATO.

A është e mundur që Perëndimi t'i japë ndihmë ushtarake Ukrainës për të ndalur Putinin dhe a ka mundësi që NATO të përgatitet për një konfrontim ushtarak në kufijtë e saj? Për shembull në Poloni.

Less: SHBA dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, po përgatiten për një konfrontim në kufijtë e NATO-s duke përforcuar vendosjen e tyre ushtarake. Megjithatë, pika kyçe është se Rusia nuk ka asnjë interes të zgjerojë konfliktin në vende të tilla si Rumania, Polonia apo shtetet baltike. Shqetësimi i saj është të ruajë mburojën strategjike në Ukrainë dhe do të përballet me këto vende vetëm nëse detyrohet – gjë që mendoj se nuk ka gjasa.

Meqenëse unë jam nga Kosova, e cila i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, një rajon gjithashtu me tensione, dhe audienca jonë këtu në Ballkan është e shqetësuar se Rusia mund të përdorë aleatin e saj Serbinë për të destabilizuar rajonin. Sa është e mundur që zhvillimet në Ukrainë të kenë ndikim zinxhirë edhe në Ballkan, p.sh. në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe Mal të Zi, a janë këto vende më të ekspozuara ndaj interesit të Rusisë për destabilizim?

Less: Varet se si do të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë, pasi Rusia ka dy synime themelore në Ballkan. Njëra është të bllokojë zgjerimin e NATO-s dhe tjetra është të krijojë probleme për Perëndimin duke ruajtur një nivel të ulët të destabilitetit, veçanërisht në Bosnje, Serbi dhe Kosovë. Të dyja këto synime mund të arrihen duke i mbështetur serbët në përpjekjen e tyre për të zgjidhur çështjen e tyre të pazgjidhur kombëtare, në fakt duke u mohuar atyre kënaqësinë që ta bëjnë këtë. Kjo është e qartë nga kundërshtimi i Rusisë ndaj pavarësisë së Republika Srpska ose për ndonjë zgjidhje të konfliktit të Kosovës, çfarëdo forme që mund të merr.

Unë nuk shoh ndonjë perspektivë ndryshimi në objektivin e parë. Rusia do të vazhdojë të kundërshtojë zgjerimin e NATO-s në çdo skenar. Megjithatë, çështja e përpjekjeve ruse për të destabilizuar Ballkanin mund të ndryshojë. Sa më shumë Rusia të ndihet e cenuar në Ukrainë, aq më shumë ka gjasa që ajo të përpiqet të destabilizojë Ballkanin; në ekstrem, mund të inkurajojë serbët e Bosnjës që të shpallin pavarësinë e tyre, megjithëse nuk është e sigurt nëse serbët do t'i përgjigjen kësaj. Përndryshe, sa më e qetë të ndihet Rusia për Ukrainën, ka të ngjarë të jetë më pak e motivuar për të shkaktuar probleme për Perëndimin në Ballkan.

E di që jeni ekspert i çështjes së Ballkanit dhe më intereson këndvështrimi juaj, rreth qasjes së Serbisë ndaj agresionit rus në Urkainë.

Less: Arsyeja kryesore pse Serbia heziton të kritikojë Rusinë është sepse ajo mbështetet në përkrahjen ruse për pozicionin e saj ndaj Kosovës dhe nuk dëshiron të rrezikojë ta humbasë këtë përkrahje. Ky ngurrim është simpatia e mbetur për Rusinë si një sponsor tradicional i interesave të Serbisë dhe si një shtet që përjetoi një ndarje të ngjashme të popullsisë së saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Kjo nuk do të thotë se Serbia mbështet atë që ka ndodhur në Ukrainë. Përkundrazi, dyshoj se shumica e politikanëve në Beograd nuk pajtohen me veprimet e Rusisë. As nuk do të thotë se interesat e Serbisë dhe Rusisë janë plotësisht në një linjë. Serbia nuk mund të pranojë revizionizmin territorial të llojit që Rusia po ndjek në Ukrainë për shkak të dëshirës së saj për të mbajtur Kosovën. Ajo gjithashtu ka detyrime ndaj Perëndimit të cilat janë të rëndësishme. Ata theksojnë se Serbia nuk mund të thotë asgjë nga këto pa i prishur marrëdhëniet me Rusinë, kështu që nuk do ta bëjë.

Vlen të shtohet se serbët e Bosnjës gjithashtu nuk e kanë dënuar Rusinë, megjithëse interesat e tyre janë paksa në kundërshtim me ato të Serbisë. Ata vërtet mbështesin revizionizmin territorial dhe grupet qytetare si "Zgjedhja është e Jona" kanë bërë thirrje për njohjen e Donetskut dhe Luhanskut. Dodiku gjithashtu ka shprehur solidaritetin e tij duke takuar ambasadorin rus në Sarajevë, duke shprehur simpatinë e tij për pozicionin e Rusisë dhe duke u ankuar për mbështetjen e boshnjakëve për Ukrainën. Megjithatë, Dodik ka frikë se një mbështetje më e hapur për Rusinë mund të shkaktojë më shumë probleme për Republika Srpska, kështu që ai nuk ka shkuar më tej se kaq – të paktën tani për tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat