Krasniqi: FSK-ja është përgatitur për të hyrë në NATO

Intervista

Krasniqi: FSK-ja është përgatitur për të hyrë në NATO

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 2 mars 2022 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi në një intervistën për “Bota sot”, duke folur për situatën politike në vend dhe mënyrën e qeverisjes, thekson se Qeveria është duke e zhytur vendin në varfëri ekstreme.

Madje sipas saj, “partia që sot është në pushtet ka shkelur të gjitha parimet e tyre opozitare, përmes të cilave u ka premtuar qytetarëve duke mbjellur shpresë të rrejshme tek, por në realitet këta e bënë atë që nuk e ka bërë asnjë qeveri më parë, “me zhytjen e vendit në varfëri”.

E pyetur se pse LDK-ja nuk iu bashkua protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Krasniqi theksoi se kjo parti çdo herë synon që shqetësimet e qytetarëve t’i adresojë nëpërmjet institucioneve. Por, që sipas saj, LDK-ja ka shprehur kundërshti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë që e ka vështirësuar jetën e qytetarëve.

Ajo gjithashtu ka treguar se cila mund të jetë zgjidhja që të arrihet liberalizimi, e që sipas saj, përderisa ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, atëherë qeveria duhet të bëjë trysni mbi vendet e BE-së duke lobuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Rrezarta Krasniqi: Nga këndvështrimi politik mund të konstatoj se kemi një situatë të qetë në vend, megjithëse ka shumë mospajtime me qeverinë aktuale për mënyrën se si po e drejton vendin, sepse është rënduar shumë jeta e qytetarëve nga keqmenaxhimi dhe mungesa e vullnetit të kësaj qeverie për të përmirësuar jetesën e tyre.

Image
Rrezarta Krasniqi

“Bota sot”: Si e komentoni punën e Qeverisë aktuale?

Rrezarta Krasniqi: Qeveria Kurti çdo ditë e më tepër është duke zhytur vendin në varfëri ekstreme. Ngritja enorme e çmimeve të produkteve bazike për jetesë, ngritja e çmimit të naftës e tash së voni edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike, janë bërë të papërballueshme për xhepat e qytetarëve, ku pjesa dërmuese e tyre, nuk mund ta kalojnë as gjysmën e muajit me të hyrat që kanë nga puna, e të mos flasim për ato familje që burim të vetëm financiar kanë skemat pensionale, të cilat janë të pamjaftueshme. Në këtë gjendje që ndodhet vendi, zhgënjimi qytetarë është rritur në masë të madhe me këtë qeveri që mbolli shpresë të rrejshme, e nuk mërzitet aspak për gjendjen e tyre. Me të vërtetë kjo situatë duhet të na trazojë shpirtin, sepse të rinjtë tanë sot po largohen me bileta njëdrejtimëshe drejt vendeve të BE-së, për të siguruar një jetë më të mirë për ta dhe familjarët e tyre, nga që të njëjtën nuk po mund ta bëjnë në vendlindje. Partia që sot është në pushtet ka shkelur të gjitha parimet e tyre opozitare, përmes të cilave ka mashtruar qytetarët se me të ardhë në pushtet do të veprojnë ndryshe nga qeveritë e kaluara, kështu duke mbjellur shpresë të rrejshme tek ta, por në realitet këta e bënë atë që nuk e ka bërë asnjë qeveri më parë, me zhytjen e vendit në varfëri.

“Bota sot”: Pse LDK-ja nuk iu bashkua protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike?

Rrezarta Krasniqi: Lidhja Demokratike e Kosovës është parti institucionaliste dhe çdo herë synon që shqetësimet e qytetarëve t’i adresojë përmes institucioneve. Në këtë kontekst ne si LDK kemi shprehur kundërshti në Kuvendin e Republikës së Kosovës për vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, i cili ua ka vështirësuar edhe më shumë jetesën qytetarëve, pas ngritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë.

“Bota sot”: Sa mendoni se do të ndikojë në Kosovë lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës?

Rrezarta Krasniqi: Ne po i përcjellim me shqetësim të lartë zhvillimet në Ukrainë, ku forcat ushtarake ruse po kryejnë krim mbi popullatën civile ukrainase. Sigurisht, ashtu siç kanë paralajmëruar edhe njohësit e fushës së ekonomisë, ky konflikt mund të afektojë ngritje të çmimeve në disa produkte, siç janë drithërat dhe metalet, por qytetarët nuk duhet të bëjnë panik për këtë sepse si shtet kemi rezerva për të tejkaluar këtë situatë të rënduar.

“Bota sot”: Si e shihni këtë situatë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Rrezarta Krasniqi: Deri në këto moment nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në raportet ndërmjet të dyja vendeve. Andaj, dua të rezervohem nga teoritë hipotetike.

“Bota sot”: Çfarë është duke u bërë aktualisht në instancat shtetërore për liberalizimin e vizave për Kosovën?

Rrezarta Krasniqi: Çuditërisht kjo qeveri ka rënë në gjumë, në vend se të ishte më e angazhuar karshi kësaj çështje, duke lobuar tek vendet e BE-së në mënyrë që sa më parë të hiqet regjimi i vizave për vendin dhe qytetarët më pro-perëndimor.

“Bota sot”: Cila mund të jetë zgjidhja që të arrihet liberalizimi?

Rrezarta Krasniqi: Qeveria duhet të bëjë trysni mbi vendet e BE-së duke lobuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse ne si vend i kemi plotësuar të gjitha kriteret e parapara për lëvizje të lirë, andaj është e padrejtë që qytetarët e vendit tonë të mbesin të izoluar më tej.

“Bota sot”: Si e komentoni procesin aktual të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Rrezarta Krasniqi: Kjo qeveri që nga fillimi ka krijuar një qasje të gabuar në raport me dialogun. Për më keq, njeriu që është në krye të Qeverisë ka shkelur edhe parimet e tij dhe të subjektit që e drejton, sepse sa ishte pjesë e opozitës, deklaroheshin se dialogu duhet të jetë i hapur, ndërkaq tani ne shohim se po ndodh e kundërta. E gjithë kjo fazë e dialogut me palën serbe e udhëhequr nga Qeveria Kurti, është përcjellur me mungesë totale të transparencës. Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë legjislativ, është njoftuar i fundit për agjendën e takimeve në kuadër të dialogut dhe atë kryesisht përmes mediave, sepse Qeveria ka ndërprerë komunikimin me ne si deputet, për këtë çështje. Kësisoj Qeveria ka shkelur edhe një rezolutë të nxjerrë nga Kuvend e cila i obligon që para dhe pas çdo takimi të njoftojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me agjendën e diskutimit në kuadër të dialogut. Është e papranueshme të ketë dialog të fshehtë kur është në pyetje e ardhmja e vendit. Ne çdo herë kemi qenë për dialog, por jo për një dialog pa fund. Është e rrugës që kjo Qeveri ta tregojë strategjinë e saj për mbylljen e dialogut, si dhe periudhën kohore kur parashihet të përfundojë kjo çështje. Kosova nuk duhet ta humb këtë rast pa adresuar çështjet thelbësore për vendin, siç është zbardhja e fatit e të pagjeturve dhe pastaj të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, e cila krijon njohjen reciproke mes dy vendeve. Çdo marrëveshje tjetër, pa njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e papranueshme dhe konsiderohet e dëmshme për vendin.

“Bota sot”: A mendoni se Kosova i ka përmbushur kushtet për tu bërë anëtare e NATO-s?

Rrezarta Krasniqi: Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë përgatitjet e nevojshme për t’u bërë pjesë e NATO-s, krahas ushtarëve tjerë të vendeve Perëndimore, kjo është dëshmuar në çdo aktivitet ku ka marrë pjesë FSK-ja. Kosova ka orientimin e plotë euroatlantik, andaj sa më parë që vendimmarrësit e NATO-s procedojnë me ftesën për anëtarësimin e ushtrisë tonë në këtë organizatë është më mirë për vendin.

“Bota sot”: Cili mendoni se duhet të jetë ndryshimi i radhës në të cilën duhet të fokusohet Qeveria?

Rrezarta Krasniqi: Qeveria aktuale duhet të ketë fokusin e plotë tek mirëqenia e qytetarëve të vendit, e cila është përkeqësuar në masë të madhe në javët dhe ditët e fundit. Krahas këtij angazhimi, Qeveria e Kosovës ka për obligim që të angazhohet për forcimin dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit, duke bashkëpunuar me aleatët kryesor si SHBA-në dhe BE-në. Në këtë kontekst, duhet të hartohet një strategji e veprimit, e cila ka munguar deri më tani, për të shënuar hapa konkret në integrimin e vendit në BE.

“Bota sot”: Së fundmi është miratuar vendimi për deputetë, të cilët në rast se nuk qëndrojnë apo nuk marrin pjesë fare në seanca, do të sanksionohen edhe financiarisht, si e komentoni këtë?

Rrezarta Krasniqi: Rregullorja e re e punës në Kuvendin e Republikës së Kosovës sigurisht që e rrit përgjegjësinë e deputetëve që të marrin pjesë në seanca dhe të angazhohen për atë për çfarë janë zgjedhur, pra për të përfaqësuar popullin duke i adresuar sfidat e tyre. Mungesa në seanca dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare pa një njoftim paraprak, të arsyetuar përkthehet me ndëshkim në pagën bazë të deputetit.

“Bota sot”: Si është gjendja aktuale në LDK, pasi herë pas here po raportohet për përçarje?

Rrezarta Krasniqi: Raportimet të cilave ju i referoheni janë të rrejshme dhe kanë për qëllim dëmtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me përgjegjësinë më të lartë mund të ju konfirmoj se LDK është stabile dhe çdo herë e më shumë në rritje, kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit komunale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar ku doli partia më e votuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat