Murtezaj: Kosova duhet të forcojë lidhjet me partnerët strategjikë

Intervistë

Murtezaj: Kosova duhet të forcojë lidhjet me partnerët strategjikë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 shtator 2025 Në ora: 08:01
Valon Murtezaj, profesor në Universitetin e Parisit dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Profesori në një nga Universitetet prestigjioze të Parisit, Valon Murtezaj në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur për pozicionimin aktual të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Profesor Murtezaj thotë se mungesa e njohjes nga disa vende të BE-së, e ka penguar Kosovën të fuqizohet në arenën ndërkombëtare.

Ai bën thirrje që Kosova të forcojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe sipas tij, ky duhet të jetë prioriteti kryesor.

Sa i përket dialogut, profesori thotë se ‘mbetet që ky proces të dinamizohet në vitin 2026 dhe të marr vëmendjen e duhur’.

Po ashtu, profesori Murtezaj theksoi se ‘Kosova do të jetë gjithmonë një faktor stabiliteti në rajon dhe një vend pro-europian, dhe në aleancë të ngushte me Shtetet e Bashkuara’.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e vlerësoni pozicionimin aktual të Kosovës në arenën ndërkombëtare?

Valon Murtezaj: Kosova përgjatë shumë viteve nga pavarësia e saj, ka bërë hapa pozitiv drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Megjithatë, mungesa e njohjes nga disa vende të rëndësishme (si pesë shtete të BE-së) dhe poashtu disa pengesa dhe vonesa në proceset integruese dhe antarësime në organizata ndërkombëtare vazhdojnë të kufizojnë fuqinë dhe pozicionin e Kosovës në arenen globale

“Bota sot”: Pse Kosova ende po përballet me vështirësi në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe OKB?

Valon Murtezaj: Kosova përballet me vështirësi për shkak të disa faktorëve: Mungesa e njohjeve nga disa shtete të BE-së dhe kundërshtimin e fuqishëm nga Rusia dhe Kina, të cilat kanë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Lobimi i vazhdueshëm i Serbisë, shpeshherë i ndihmuar nga aleatët e saj si Rusia, që përpiqen të pengojnë integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Po ashtu shpesh janë edhe ҫështje të brendshme politike, përfshirë ndonjëherë edhe komunikimi joefektiv diplomatik apo mungesa e strategjisë konkrete në këtë aspekt.

“Bota sot”: Cili duhet të jetë prioriteti kryesor i politikës së jashtme të Kosovës në këtë moment: njohjet e reja, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare apo marrëdhëniet me partnerët strategjikë?

Valon Murtezaj: Në këtë fazë, forcimi i marrëdhënieve me partnerët strategjikë duhet të jetë prioriteti kryesor. Mbështetja e qëndrueshme nga SHBA, BE dhe aleatë të tjerë është çelësi për avancimin e njohjeve dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Këto marrëdhënie janë gjithashtu jetike për të përballuar sfidat e sigurisë, ekonomisë dhe reformave të brendshme. Në të njëjtën kohë, nuk duhet lënë pas dore diplomacia aktive për njohje të reja dhe anëtarësimi në organizata, dhe poashtu ato duhet të jenë pjesë e një strategjie të mirëkoordinuar me aleatët.

“Bota sot”: Si e shihni aktualisht procesin e dialogut në Bruksel? A ka ende potencial për marrëveshje përfundimtare?

Valon Murtezaj: Ndërsa Kosova ka shprehur vazhdimisht gatishmëri për marrëveshje dhe ka pasur qasje konstruktive në këtë proces dialogu. Mbetet që ky proces të dinamizohet në vitin 2026 dhe të marr vëmendjen e duhur.

“Bota sot”: A mendoni se Serbia po e përdor politikën e saj të jashtme dhe lidhjet me Rusinë si instrument presioni ndaj Kosovës?

Valon Murtezaj: Po, Serbia po i përdor lidhjet me Rusinë për të ushtruar presion ndaj Kosovës. Përmes Rusisë, ajo synon të bllokojë praninë dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në OKB. Për më tepër, retorika proruse e zyrtarëve serbë dhe refuzimi për t’u distancuar nga Moska edhe pas agresionit në Ukrainë tregon një përdorim strategjik të kësaj aleance, për të fituar përparësi në raport me Kosovën dhe për të shtuar ndikimin në proceset ndërkombëtare që e përfshijnë atë.

“Bota sot”: Çfarë mesazhi po jep Kosova te partnerët e saj strategjikë përmes mënyrës se si po menaxhon krizën politike të brendshme?

Valon Murtezaj: Mënyra se si Kosova menaxhon krizën politike të brendshme dërgon një mesazh të dyanshëm. Nga njëra anë, vendosmëria për sundim të ligjit dhe moslejimi i strukturave ilegale në veri, dërgojnë një mesazh të forcës se ligjit dhe sovranitetit, dhe është e duhura. Por nga ana tjetër, moskoordinimi i duhur nganjherë me partnerët ndërkombëtarë dhe mungesa e fleksibilitetit diplomatik në situata të ndjeshme, mund të japë përshtypjen e një qeverisjeje që nuk gjithmonë vepron në harmoni me aleatët.

“Bota sot”: Si e shihni Kosovën pas dhjetë vitesh në aspektin e politikës së jashtme dhe pozitës së saj në botë?

Valon Murtezaj: Janë shumë faktorë dhe rrethana që ndikojnë dhe përcaktojnë zhvillimet, sigurisht që Kosova do të avancojë si shteti pavarur, demokratik, me synim integrimin e plotë në Bashkimin Europian dhe NATO. Një gjë mbetet e sigurtë, Kosova do të jetë gjithmonë një faktor stabiliteti në rajon dhe një vend pro-europian, dhe në aleancë të ngushte me Shtetet e Bashkuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat