Prof. Dr. Kolë Krasniqi, një jetë të terë në shërbim të dijes, drejtësisë dhe atdheut

Opinione

Prof. Dr. Kolë Krasniqi, një jetë të terë në shërbim të dijes, drejtësisë dhe atdheut

Nga: Lekë Mrijaj Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 23:20
Prof. Dr. Kolë Krasniqi

Ta përmendësh emrin e prof. dr. Kolë Krasniqit, pinjollit të trungut të fisme të Krasniqes, është një krenari dhe privilegj i veçantë. Pikërisht të shkëmbesh mendime me një intelektual të mirëfilltë, veprimtar, atdhetar, guximtar dhe idealist vizionar të botës akademike, përbën një nder edhe për vetë publicistin. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një personalitet, rrugëtimi jetësor i të cilit ndërthur sakrificën kombëtare, përkushtimin shkencor, dinjitetin njerëzor dhe orientimin e palëkundur euroatlantik . Ndaj, edhe me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe pensionimit të tij, dëshiroj që, në vend të një urimi të zakonshëm, të shpreh disa mendime, konsiderata dhe reflektime për personalitetin, veprimtarinë dhe kontributin e këtij intelektuali të spikatur shqiptar.

Para shumë vitesh pata nderin dhe kënaqësinë të zhvilloja një intervistë të gjerë me profesor Krasniqin (të cilën mund ta gjeni në portalet elektronike shqiptare), përmes së cilës njoha edhe më nga afër dimensionet e personalitetit të tij. Përtej titujve të tij akademik, aty shpalosej portreti i një njeriu me karakter të qëndrueshëm, me kujtesë të gjallë historike, me ndërgjegje të thellë kombëtare dhe me një koncept të qartë mbi të ardhmen demokratike të Kosovës. Pra, rrugëtimi i tij jetësor nuk ishte as i lehtë, as i zakonshëm. Që në vitet studentore, ai u rreshtua përkrah brezit idealist shqiptar, i cili guxoi të kërkonte liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar. 

Pjesëmarrja e tij në demonstratat studentore të marsit të vitit 1981, bashkëveprimtaria me dëshmorët e kombit, Nuhi Berisha dhe Nimon Elshani, burgosja e tij në maj të vitit 1982, si dhe burgosja e gjyshit të tij, Pren Krasniqit, në vitin 1984, përbëjnë dëshmi të një tradite familjare të qëndresës dhe të përkushtimit ndaj çështjes shqiptare.

As burgosja, as përjashtimi nga puna në Gjykatën Komunale të Pejës, as kufizimet e vendosura nga aparati represiv i atëhershëm jugosllav nuk arritën t’ia shuanin idealet dhe vullnetin për dije. Përkundrazi, këto sprova u shndërruan në forcë morale dhe në motivim për të ecur përpara. 

Nga auditorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, përmes përvojës studimore e profesionale në Kroaci, deri te studimet e doktoraturës në Universitetin e Vjenës dhe praktika në institucionet gjyqësore austriake, Kolë Krasniqi ndërtoi gradualisht profilin e një juristi dhe studiuesi me formim evropian, pa u shkëputur asnjëherë nga rrënjët e tij kombëtare. Edhe bashkëpunimi i tij me gjeneral Tomë Berishën dhe angazhimi në themelimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pulë të Kroacisë, për të cilat më kishte rrëfyer gjatë intervistës sonë, dëshmojnë se rrugëtimi i tij akademik ecte paralelisht me përgjegjësinë qytetare dhe kombëtare.

Si profesor universitar, doktor i shkencave juridike, studiues, autor, avokat, ekspert juridik dhe drejtues i institucioneve akademike, prof. dr. Kolë Krasniqi i dha shoqërisë sonë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave, në kultivimin e mendimit kritik dhe në afirmimin e kulturës juridike. Veprimtaria e tij shkencore në fushën e kriminalitetit të organizuar, të terrorizmit ndërkombëtar dhe të radikalizmit fetar dëshmon guximin intelektual për t’u përballur me dukuri komplekse e të ndjeshme shoqërore. 

Në këtë drejtim, monografia e tij “Paraqitja dhe zhvillimi i ekstremizmit islamist në Kosovë dhe vendet e rajonit”, promovimin e së cilës pata rastin ta pasqyroja edhe në shtypin shqiptar, përbën një dëshmi të angazhimit të tij kërkimor në trajtimin e problemeve të sigurisë dhe të sfidave të shoqërisë bashkëkohore. Ajo që më ka mbetur veçanërisht në kujtesë nga bashkëbisedimi ynë është koncepti i tij mbi atdhedashurinë. Për profesor Krasniqin, patriotizmi nuk nënkupton urrejtjen, përçarjen, korrupsionin apo përvetësimin e së mirës së përbashkët. Ai e përkufizonte atë përmes ndershmërisë, respektimit të tjetrit, sundimit të ligjit dhe punës së përkushtuar për integrimin euroatlantik të vendit.

Ky koncept i tij i atdhedashurisë përbën, sipas mendimit tim, një ndër dimensionet më domethënëse të filozofisë së tij jetësore. Atdheu nuk nderohet me fjalë megalomane, por me dije, punë, përgjegjësi, integritet profesional dhe respekt ndaj dinjitetit të çdo qytetari, pavarësisht nga përkatësia e tij fetare, politike apo shoqërore. Frymëzimi i tij nga filozofia politike e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, të cilin e përmendte me admirim të veçantë, ishte pjesë e orientimit të tij drejt vlerave demokratike, qytetërimit perëndimor dhe vizionit euroatlantik të shqiptarëve.

Sot, kur profesor Krasniqi ka mbushur 65 vjet dhe ka përmbyllur një etapë të rëndësishme të karrierës së tij universitare, pensionimi nuk duhet kuptuar si përfundim i misionit intelektual. Intelektualët e mirëfilltë mund të pensionohen administrativisht, por kurrë shpirtërisht, intelektualisht dhe moralisht. Dija, përvoja, mendimi kritik dhe trashëgimia e tyre mbeten një pasuri e përhershme e shoqërisë.

Një profesor nuk vlerësohet vetëm nga numri i viteve të kaluara në auditor, nga titujt akademikë apo nga librat e botuar, por edhe nga gjurmët që lë në ndërgjegjen e studentëve, në institucionet ku shërben dhe në shoqërinë së cilës i përket.

Prandaj, edhe përmes këtij opinioni modest eseistik, mbetem borxhli ndaj shumë dimensioneve të personalitetit dhe të veprimtarisë së prof. dr. Kolë Krasniqit, të cilat meritojnë një trajtim shumë më të gjerë biografik, shkencor dhe publicistik.

Në vend të urimit të zakonshëm, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen dhe konsideratën time të thellë për rrugëtimin e tij dinjitoz, për qëndresën në kohë të vështira, për kontributin akademik dhe për idealet që ka bartur ndër dekada. Gëzuar 65-vjetorin e lindjes dhe pensionimin tuaj, i nderuari prof. dr. Kolë Krasniqi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat