Bota po hyn në një fazë të re të transformimeve gjeopolitike, ku raportet tradicionale të fuqisë po rishikohen, aleancat po testohen dhe interesat strategjike të shteteve po marrin forma të reja. Rendit ndërkombëtar, i cili për dekada është karakterizuar nga dominimi i fuqisë amerikane dhe arkitektura euroatlantike e sigurisë, tashmë po i shtohen sfida të reja. Rivaliteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, lufta në Ukrainë, ambiciet strategjike të Rusisë, pasiguria në Lindjen e Mesme dhe ripozicionimi i fuqive evropiane po e ndryshojnë hartën e interesave ndërkombëtare. Në këtë realitet, shtrohet një pyetje që Kosova nuk duhet ta shmangë, a po i kupton politika dhe diplomacia kosovare këto ndryshime, apo vazhdon të veprojë sipas logjikës së një bote që tashmë po largohet?
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndryshimet e mëdha nuk paralajmërohen gjithmonë me deklarata të bujshme. Shpesh ato fillojnë përmes marrëveshjeve ekonomike, riorganizimit të aleancave, negociatave strategjike dhe ndryshimit të prioriteteve të fuqive të mëdha. Pikërisht këtu qëndron sfida për shtetet e vogla, të kuptojnë drejt kahjen e zhvillimeve dhe të mos mbeten peng i ngjarjeve që vendosen larg kufijve të tyre. Gjeopolitika nuk është vetëm çështje e hartave dhe e territoreve, por mbi të gjitha është konkurrencë për ndikim, siguri, burime ekonomike, korridore strategjike dhe kontroll mbi vendimmarrjen ndërkombëtare.
Kosova e ka fituar pavarësinë në një kontekst të veçantë ndërkombëtar, të mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët kryesorë evropianë. Kjo mbështetje ka qenë vendimtare për çlirimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj. Megjithatë, një realitet historik nuk mund të shndërrohet në garanci automatike për të ardhmen. Marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi bazën e interesave, përgjegjësive, besueshmërisë dhe partneriteteve strategjike. Për këtë arsye, Kosova duhet ta kuptojë se miqësia ndërkombëtare duhet të kultivohet vazhdimisht përmes diplomacisë serioze, koordinimit institucional dhe një vizioni të qartë shtetëror.
Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbeten shtyllë themelore e orientimit strategjik të Kosovës. Por partneriteti me Uashingtonin nuk duhet të reduktohet vetëm në deklarata politike dhe në kujtimin e mbështetjes historike amerikane. Kjo kërkon komunikim të vazhdueshëm, koordinim të vendimeve, respektim të zotimeve dhe aftësi për të kuptuar prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Kosova duhet të jetë partnere e besueshme, e aftë të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe në interesat e përbashkëta të sigurisë euroatlantike.
Njëkohësisht, Bashkimi Evropian mbetet hapësira kryesore politike, ekonomike dhe institucionale ku Kosova synon të ndërtojë të ardhmen e saj. Megjithatë, Evropa vetë po përballet me dilema të mëdha strategjike, luftën në kufijtë e saj lindorë, pasigurinë energjetike, sfidat e sigurisë, konkurrencën ekonomike dhe nevojën për një autonomi më të madhe strategjike. Në këto rrethana, Kosova duhet të jetë më aktive në diplomacinë evropiane, duke e kuptuar se integrimi nuk është vetëm proces administrativ, por edhe çështje e pozicionimit politik dhe e besueshmërisë ndërkombëtare.
Ballkani Perëndimor mbetet një hapësirë ku interesat e fuqive të mëdha vazhdojnë të ndërthuren. Serbia, për shkak të pozitës së saj rajonale dhe politikës së jashtme shumëdrejtimëshe, vazhdon të shfrytëzojë hapësirat e krijuara nga rivalitetet ndërkombëtare. Ndikimi rus, prania ekonomike kineze dhe interesat e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë e bëjnë rajonin pjesë të një konkurrimi më të gjerë gjeopolitik. Për Kosovën, kjo nënkupton se siguria dhe stabiliteti nuk mund të trajtohen të shkëputura nga zhvillimet ndërkombëtare. Çdo ndryshim në raportet ndërmjet fuqive të mëdha mund të prodhojë pasoja politike dhe strategjike edhe në Ballkan.
Në këtë realitet, një nga dobësitë që duhet të shqyrtohet me seriozitet është mungesa e një kulture të qëndrueshme të planifikimit strategjik në politikën e jashtme. Diplomacia nuk mund të funksionojë vetëm përmes reagimeve ndaj deklaratave të huaja, krizave të momentit apo zhvillimeve që imponohen nga jashtë. Diplomacia duhet të ketë objektiva afatgjata, analiza profesionale, diplomatë të përgatitur dhe institucione që veprojnë në koordinim. Kosova ka nevojë për një diplomaci që jo vetëm i përcjell zhvillimet, por i analizon ato paraprakisht dhe ndërton skenarë për sfidat e mundshme.
Një shtet me territor dhe kapacitete të kufizuara mund ta kompensojë një pjesë të këtij disavantazhi përmes diplomacisë së mençur, institucioneve funksionale dhe kapitalit njerëzor. Pikërisht këtu Kosova duhet të investojë më shumë. Universitetet, institutet kërkimore, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatikë duhet të përfshihen në një debat të mirëfilltë për orientimin strategjik të vendit. Politika e jashtme nuk duhet të jetë pronë e një partie, e një qeverie apo e një mandati politik. Politika e jashtme duhet të jetë interes shtetëror që tejkalon ciklet zgjedhore.
Kosova duhet ta kuptojë gjithashtu se njohjet ndërkombëtare, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe forcimi i subjektivitetit shtetëror kërkojnë më shumë se mbështetje deklarative. Ato kërkojnë diplomaci ekonomike, marrëdhënie parlamentare, bashkëpunim rajonal dhe angazhim të vazhdueshëm me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Çdo ambasadë duhet të ketë objektiva të matshme dhe çdo përfaqësues diplomatik duhet ta kuptojë se përfaqëson interesat afatgjata të Republikës, jo interesat e përkohshme të një strukture politike.
Në këtë drejtim, dialogu me Serbinë mbetet një nga testet më të rëndësishme të diplomacisë kosovare. Kosova duhet të jetë e përgatitur të mbrojë interesat e saj shtetërore, të respektojë parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve, pa lejuar që procesi të shndërrohet në instrument të zvarritjes së perspektivës së saj evropiane. Normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të ndërtohet mbi paqartësi të vazhdueshme, por mbi njohjen e realiteteve politike, respektimin e sovranitetit dhe garanci të qëndrueshme ndërkombëtare.
Pyetja thelbësore, pra, nuk është nëse Kosova është pjesë e ndryshimeve globale, sepse ajo është e përfshirë drejtpërdrejt në to. Pyetja është nëse ka kapacitete politike dhe diplomatike për t'i kuptuar dhe për t'u pozicionuar në mënyrë të mençur përballë tyre. Një botë që ndryshon me shpejtësi nuk i fal shtetet që mbeten të bllokuara në perceptimet e së kaluarës. As historia e sakrificës dhe as mbështetja e aleatëve nuk mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë e institucioneve për të ndërtuar një strategji të qëndrueshme shtetërore.
Kosova nuk duhet të zgjedhë ndërmjet aleatëve të saj strategjikë, por duhet të dëshmojë se është e aftë të ruajë dhe thellojë partneritetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova duhet të jetë e qartë në orientimin euroatlantik, e matur në vendimmarrje, e vendosur në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe aktive në diplomacinë ndërkombëtare.
Në fund, historia e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se nuk janë gjithmonë shtetet më të mëdha ato që fitojnë nga ndryshimet globale, por shpesh janë shtetet që dinë t'i lexojnë më mirë ato. Kosova nuk mund ta ndryshojë hartën e fuqive botërore, por mund ta përcaktojë mënyrën se si pozicionohet në këtë hartë. Dhe kjo kërkon më pak improvizim politik, më shumë mendim strategjik, më pak retorikë dhe më shumë diplomaci profesionale. Sepse në lojën e re gjeopolitike, rreziku më i madh për një shtet të vogël nuk është vetëm fuqia e të tjerëve, por pamundësia e tij për të kuptuar se bota tashmë ka ndryshuar.