Kryetarët e komunave të Drenicës bëjnë apel për bashkim të shqiptarëve - Bota Sot
Kryetarët e komunave të Drenicës bëjnë apel për bashkim të shqiptarëve

Kosova

Kryetarët e komunave të Drenicës bëjnë apel për bashkim të shqiptarëve

Më: 6 mars 2019 Në ora: 10:58
Ramiz Lladrovci dhe Bekim Jashari

Kryetari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari dhe ai i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, kanë bërë së bashku homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz, për nder të “Epopesë së UÇK-së.

E këtë ata thonë se e bënë për të treguar se vetëm duke qenë të bashkuar mund të dërgojnë proceset e shtetit përpara.

Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, u shpreh se vetëm bashkë mund të arrijnë qëllimet e tyre, duke thënë se edhe UÇK-ja arriti qëllimet e tyre pasi ishin të bashkuar.

Jashari: Vetëm të bashkuar mund të shkojmë përpara

"Si zakonisht të dy komunat, Skënderaj dhe Drenasi kemi bërë gjithë homazhe bashkë, kemi nderuar bashkërisht, kemi respektuar bashkërisht në shenjë kujtimi, por edhe asaj idesë që me dhënë shembull të gjithëve se vetëm të bashkuar mund të arrijmë qëllimet tona. Ashtu siç i arriti UÇK-ja që ishte bashkë dhe shembulli më i freskët që e kemi edhe në ndërtim dhe zhvillim të vendit, vetëm të bashkuar mund të arrijmë dhe është vëllezërit tanë nga Malësia, Tuzi. Kështu që, uroj që ne si shqiptarë të jemi bashkë, unik dhe t'i dërgojmë proceset përpara", tha Jashari.

 Kurse, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë unik, pasi sipas tij kur janë bashkë fitoret nuk mungojnë.

Lladrovci: Vijmë këtu për t’ia kujtuar vetes që mos të bëjmë gabime

"5, 6 dhe 7 marsi janë një datë më e rëndësishmja e brezit tonë, e historisë tonë të re. Ne bashkë me Bekimin si për çdo vit po vijmë këtu për të përkujtuar komandantin legjendar dhe familjen Jashari, por edhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe për t'ia kujtuar vetes që të mos harrojmë asnjëherë që të bëjmë gabime gjatë punës tonë. Ne i ftojmë të gjithë shqiptarët që të jenë unik, të jenë bashkë siç e tha edhe Bekimi dhe e dëshmoi edhe Tuzi se kur jemi bashkë fitoret nuk na mungojnë", tha Lladrovci.

Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku  ka rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari dhe anëtarë tjerë të kësaj familje.

Për nder të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” sot Kuvendi mban një seancë solemne si dhe në orët e pasdites mbahet një akademi përkujtimore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat