KITU: Përjashtimin nga ENQA do ta vuajnë studentët

Kosova

KITU: Përjashtimin nga ENQA do ta vuajnë studentët

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 12:51
Foto

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) ka fajësuar kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj dhe ministrin në detyrë Shyqiri Bytyqi, për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimi (AKA) nga ENQA.

Në një reagim të KITU-s lidhur me këtë, koalicioni ka shprehur indinjatën e thellë për përjashtimin e AKA-së nga ENQA, teksa ka paralajmëruar edhe për dëmet që do të pasojnë pas këtij përjashtimi.

Sipas tyre, përjashtimi i AKA-së nga ENQA do të shkaktojë dëme te studentët që regjistrohen në programet e akredituara pas vitit 2019, posaçërisht në çështjen e njohjes më të lehtë të diplomave të tyre jashtë Kosovës.

“Procesi i degradimit të Agjencisë deri në përjashtimin përfundimtar nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë filloi me vendimin e kryeministrit Haradinaj në fund të vitit 2017, të zbatuar nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi. Ky shkarkim arbitrar që u konsiderua me të drejtë cenim i pavarësisë së institucionit, çoi në përjashtimin automatik të AKA nga EQAR dhe degradimin e saj në anëtarë nën vëzhgim në ENQA”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas KITU-së, sulmet nga institucionet publike dhe private të ushtruara ndaj AKA-së gjatë dy viteve të fundit dhe pengesat e tjera që i janë vënë asaj sa herë që janë marrë vendime me rëndësi nga KShC kanë bërë që AKA të humbë vitalitetin e saj dhe të mos mund t’i kryejë detyrat tjera me të cilat ajo është e ngarkuar.

Kujtojmë se KITU pati zhvilluar takime në Bruksel me zyrtarët e ENQA dhe EQAR për të garantuar se ndërhyrje të tjera nuk do të ketë. KITU po ashtu ka marrë pjesë aktivisht në hartimin e udhëzimit për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) pranë AKA si dhe ka monitoruar mbledhjet e KShC-s me qëllim të evitimit të ndërhyrjeve të mëtutjeshme.

 E tërë kjo pati rezultuar me një përbërje të re të KShC-së e cila u vlerësua pozitivisht në çështjet e pavarësisë së AKA-së.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU)  përbehet nga organizatat: Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Qendra për Kurajo Politike – CPC, Organizata Çohu, Demokracia për Zhvillim –D4D, Admovere, Instituti Kosovar për Hulumtime Politikash dhe Zhvillim – KIPRED.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat