Banorët e Reçakut ia kujtojnë Vuçiqit krimet që bëri shteti i tij - Bota Sot
Banorët e Reçakut ia kujtojnë Vuçiqit krimet që bëri shteti i tij

Kosova

Banorët e Reçakut ia kujtojnë Vuçiqit krimet që bëri shteti i tij

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 21:18
Banorët e Reçakut

Banorët e fshatit Reçak ndjehen të fyer nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që e quajti trillim masakrën që ndodhi në këtë fshat.

Qan sa herë që e përmend. Sadije Ramadani, nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes, e kujton mirë mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999.

Këtë ditë, ajo bashkë me përafërsisht 40 persona të tjerë nga fshati, gra fëmijë e pleq, qëndruan për disa orë të mbyllur në bodrumin e shtëpisë së vëllait të saj, Sadik Osmanit.

U zgjodh kjo shtëpi, për shkak që ishte e vetmja me bodrum dhe që ishte më afër malit të këtij fshati për t’i shpëtuar një rreziku që po u vinte.

Sadija edhe njëherë rrëfen atë çfarë pa e dëgjoi në këtë shtëpi, e cila ishte vend i torturës çnjerëzore që iu bë civilëve shqiptarë nga policia speciale serbe.

Pas torturave që iu bën burrave të fshatit, ata u pushkatuan në kodrën e fshatit. E Sadija, ishte ajo që pa me sytë e saj të masakruarit, raporton T7.

Në mes të të vrarëve, lehtë ka mundur të jetë edhe Ramë Shabani.

Ai u torturua në oborrin e shtëpisë së Sadikut, bashkë me burrat e tjerë, dhe vështirësitë për t’u ngjitur në mal aty ku urdhëruan paramilitarët serbë, qe shpëtimi i tij.

Rama mban mend mirë imazhin e kanalit ku u hodhën të vrarët. Njërit prej tyre i ishte prerë koka, e pastaj nuk ishte gjetur më kurrë.

Më shumë se dy dekada më vonë, ai nuk habitet me qëndrimet që shteti serb e liderët e Serbisë kanë për këtë masakër. Por ai shprehet i pakënaqur me atë çfarë shteti unë ka bërë për të ngritur zërin mbi ndëshkimin e atyre që kryen këtë krim.

Masakra e cila u bë dëshmi e krimit serb në Kosovë, e pas së cilës bashkësia ndërkombëtare intervenoi për çlirimin e Kosovës nuk përfundoi atë ditë.

Edhe më tutje, Sahide Metushi mbetet e zhdukur në mes të atyre që u prekën nga kjo ngjarje e rëndë.

Për banorët e këtij fshati, mohimi i torturës që iu bë familjarëve të tyre nga kreu i shtetit serb, është ofendim për të gjallë dhe vrasje e dytë për ata që sot nuk jetojnë pikërisht për shkak të masakrës që kryen serbët para gati 21 vitesh.

Në kompleksin e Reçakut, prehen eshtrat e 44 civilëve të vrarë në janar të vitit 1999.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat