20 vjet nga hapja e Maternitetit në kohën e okupimit

Kosova

20 vjet nga hapja e Maternitetit në kohën e okupimit

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 13:44
Dega e Maternitetit në kuadër të Shoqatës bamirëse “Nëna Terezë”.

Para 20 vitesh gratë shqiptare nuk mund të lindnin fëmijët në Klinikën Gjinekologjike pasi që aty më nuk punonte asnjë mjek shqiptar.

Ata ishin dëbuar nga puna sepse nuk kishin pranuar masat e dhunshme të instaluara nga pushteti serb.

Nënat shqiptare të Kosovës ishin të detyruara të lindnin në shtëpi ose edhe fshehtas në maternitetet e komunave të ndryshme të rrezikuara nga Policia serbe.

Duke i parë këto vështirësi u hap Dega e Maternitetit në kuadër të Shoqatës bamirëse “Nëna Terezë”.

Për ta përkujtuar 20 vjetorin e themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm shëndetësor sot nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa është mbajtur një manifestim përkujtimor në të cilin përveç vlerësimit për Maternitetin u dhanë edhe mirënjohje.

Udhëheqësi i Maternitetit të asaj kohe Sejdullah Hoxha tha se kur ekziston vullneti, uniteti, përkrahja, humanizmi dhe profesionalizmi  mund të arrihet ajo që është e paimagjinueshme.

 “Organizimi po bëhet në 20 vjetorin jubilar me qëllim që të dëshmohet se kur ekziston vullneti, uniteti, përkrahja humanizmi dhe profesionalizmi mund të arrihet ajo që është e paimagjinueshme. Rrethanat politike në Kosovë  pas suprimimit të asaj autonomie çfarë ishte u keqësua në atë masë saqë kanosej edhe ekzistenca fizike e qytetarëve, e shqiptarëve...Shëndetësia kosovare e krijuar me mund të madh u gjend në rrethana të reja dhe e papërgatitur për ta tejkaluar këtë gjendje sa e rëndë edhe aq tragjike”, tha Hoxha.

Ata që themeluan organizatën bamirëse “Nëna Terezë”, thanë se gjithnjë është ndjekur parimi i humanistes me të cilën edhe është emëruar shoqata.

 “Parimi bazë i Shën Terezës tonë ishte: ‘kudo që jeta është në rrezik aty  duhet të jemi një’, kurse ne këtë parim e shndërruam në një betim as të fikur as të koritur... Që Nëna Terezë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë i mori të mos të harrojmë, nga dy frymëzime, nga tradita jonë ilire, arbërore dhe  shqiptare, e cila mund të sintetizohet me dy fjalë dhe porosi. ‘Bukë, kripë dhe zemër’; ‘Shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit’... Ajo ishte gjithnjë në shërbim të jetës dhe në dhurim të dashurisë, këtë u munduam ta bëjmë edhe në sidomos gjatë diktaturës serbo-sllave”, tha Gjergji.

Ndërsa kryeministri i  Kosovës, Isa Mustafa tha se sot po shënohet një përvjetor i një vepre humanitare dhe historike.

Si pararendëse të kësaj ngjarje Mustafa i ka përmendur sakrificat e popullit shqiptar që nga dëbimi nga puna, rezistenca paqësore,  lufta çlirimtare e UÇK-së e deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.

 “Janë vitet të cilat prodhuam kujdesin shëndetësor në shtëpi private nën pronësinë e solidaritet të plotë qytetarë dhe solidaritet kombëtar. Janë vitet e ndërtimit të një shëndeti në një shtet të pavarur në Republikën e Kosovës, ndryshime epokale...Janë vite të cilat në mënyrë më të vrazhdë ne provuam dhunë, e provuam eksodin, vrasjet, plaçkitjet, vitet e rezistencës paqësore, të luftës së UÇK-së, vitet e shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Në këtë fokusim vitesh neve sot e shënojmë një përvjetor të një vepre humanitare dhe historike, të një frymëzimi popullor dhe patriotik dhe të një sakrificë sublime”, tha Mustafa.

Materniteti zhvilloi punën prej 8 korrik 1996 deri më 20 mars 1999, kur u mbyll për shkak të bombardimeve të NATO-s.

Në këtë maternitet janë kryer 12 e 489 lindje, 821 ndërhyrje obstetrike dhe gjinekologjike, etj. Në këtë përvjetor u ndan edhe mirënjohje për njerëzit që kontribuuan në atë kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat