Mimi Kodheli shpallet ‘Qytetare Nderi’ e Drenasit

Kosova

Mimi Kodheli shpallet ‘Qytetare Nderi’ e Drenasit

Më: 13 maj 2017 Në ora: 18:22
Ministrja e Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, Mimi Kodheli në Drenas

Ministrja e Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë,  Mimi Kodheli ne seancën solemne të Kuvendit të Komunës është shpallur Qytetare Nderi e Komunës së Drenasit.

Ajo me këtë rast tha se këtë nderim i kushton babait të saj të ndjerë që kishte punuar fort për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.

Fillimisht, kryetari Lladrovci me bashkëpunëtorë ka pritur në sallën e mbledhjeve Ministren Kodheli dhe delegacionin e saj, ku Ministrja Kodheli i dhuroi shpatën njëqind e pesëdhjetë vjeçare, kryetarit Lladrovci.

Pastaj ka vazhduar seanca solemne në sallën e Kuvendit të Komunës me mysafirët e ftuar dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës.

Dekretin e shpalljes së Qytetare Nderi e Komunës, e ka lexuar, kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj dhe motivacionin e shpalljes. “Zonja e nderuar, Mimi Kodheli shpallet Qytetare Nderi e Komunës për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjes së vazhdueshme për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike. Për personalitetin e fuqishëm motivues dhe inspirues të lartësimit të gruas shqiptare në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe të fuqizimit të saj duke qenë në vendimmarrje. Dëshmoi me angazhimin e saj të pashoq se gruaja shqiptare denjësisht ka promovuar dhe lartësuar vlerat kombëtare”, ishte ky motivacioni i dekretimit të Kodhelit, lexuar nga Bazaj.

Pastaj fjalën e mori kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili tha “kam nderin të prezantoj para qytetarëve të Drenasit, propozimin tim të miratuar me vota unanime në Asamblenë komunale të Drenasit, ta shpall dhe jap sot titullin qytetare nderi për Ministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, zonjën MimiKodheli”.

“ Ju, me përkushtim të pashoq, keni lartësuar Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Keni argumentuar fuqinë e barazisë gjinore, dëshmuat aftësinë e gruas shqiptare në politikë dhe vendimmarrje. Vendi i rezervuar për burrat e Shqipërisë, për Ministrinë e Mbrojtjes, me dinjitet e udhëhiqni, si grua që eci gjurmë vetë paraardhëseve tuaja që historia jonë është aq e begatë dhe krenare. Ju keni vijuar rrugën e grave të shquara të kombit, si Ministre shqiptare në NATO, duke prezantuar kombin tonë dhe Republikën e Kosovës me aspiratën për të qenë pjesë e saj”, ka thënë Lladrovci.

“Mbamendja historike, na kthen te mbretëresha Teutë, vajzat e Kastriotit, Nora dhe vajzat e Kelmendit, Shote Galica, Nëna Salë e Prekazit, Xhevë Lladrovci, Hyrë Emini dhe mijëra gra që u vunë në shërbim të atdheut. Lidhja juaj emocionale me Kosovën, në veçanti me heroinat e Drenicës, na motivuan t’ju shpallim Qytetare nderi e Drenasit dhe Drenicës së Komandantit tonë legjendar Adem Jashari. Falënderoj Asamblenë komunale për votimin njëzëri që ju të jeni Qytetare Nderi”, tha kryetari Lladrovci dhe i dhuroi pllakatën e Qytetare Nderi e Komunës, ministres Kodheli.

Pas shpalljes së qytetare nderi, ministrja Kodheli ju drejtua të pranishmëve me këto fjalë, “jam e privilegjuar dhe shumë e nderuar që gjendem sot në Komunën tuaj, ne zemrën e rezistencës shqiptare dhe që behëm qytetare e kësaj toke të shenjtë. Ju falënderoj pafundësisht të gjithë ju deputetë që me keni votuar, veçanërisht kryetarin e kësaj Komune, Ramiz Lladrovci”

“Kjo tokë, sa është e shenjtë, as është edhe hyjnore, ngase nga kjo tokë kanë dalë shumë burra e gra që para jetës së tyre, kanë venë sakrificën sublime për lirinë e vendit. Këtë nderim që më bëni ju sot, i dedikoj babait tim të ndjerë që punoj fort rreth dyzet vite më parë për pavarësinë e kësaj toke, dhe brezave të rinj”, tha ministrja Kodheli.

Ajo pas përfundimit të seancës solemne, ka bërë homazhe pranë varrit të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit ndërsa në shtëpinë e kryetarit të Komunës është shtruar edhe një drek për të respektuar qytetaren me të re të Komunës së Drenasit.?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat