Jasharaj: Trokitje në kujtesën e pushtetarëve - Bota Sot
Jasharaj: Trokitje në kujtesën e pushtetarëve

Kosova

E hënë, 12 nëntor 2018

Jasharaj: Trokitje në kujtesën e pushtetarëve

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 13:47
Rrahman Jasharaj

Kryetar i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se të gjithë kanë pritur se institucionet e Kosovës do ta njohin me një ligj kohen e qëndresës së arsimit e kulturës sonë, por, kujtesa e pushtetarëve për ato vite heroike është zbehur dhe mbase përvjetori i pavarësisë mësuesin do ta gjej pa ligjin e vet.

Ai në një opinion dërguar mediave, ka thënë se pushtetarët mund të festojnë e t’i thurin  vetit himne e lëvdata, por duke festuar duhet të trokasin në kujtesën e tyre dhe  një zë brenda tyre do t’u thotë se nuk e  kanë kryer borxhin ndaj atyre që kanë vënë gur të palëkundur në themelet e shtetit.

....................................................................

Mësuesi i viteve të 90-ta pa ligjin e vet në përvjetorin e pavarësisë

Pushtetarët mund të festojnë  e t’i thurin  vetit himne e lëvdata, por  duke festuar le të trokasin në kujtesën  e tyre dhe  një zë brenda do t’i   pyes  se a kanë kryer borxhin ndaj atyre që kanë vënë gur të palëkundur në themelet e shtetit, që po feston përvjetorin e pavarësisë.

 

Qytetet e Kosovës po marrin pamje festive  në 10 vjetorin e pavarësisë. Po zhvillohen  e do të zhvillohen edhe shumë aktivitete sportive e kulturore për ta shprehur gëzimin dhe krenarinë për dekadën e parë të  mëvetësisë   të shtetit tonë, pra të Republikës së Kosovës.

Janë këto momente kur edhe krerët e shtetit duhet të shpalosin kujtesën dhe të mos lakojnë që të marrin gjithë meritat, po të  kujtojnë ngjarje  nëpër vitet e shkuara. Nuk po e them  vetëm  unë si kryetar i SBASHK-ut, por këtë e kanë thënë edhe shumë e shumë të tjerë se njërin  nga  gurët  e parë në themelet e shtetësisë  së Kosovës e kanë vënë punëtorët e arsimit shqip duke  kundërshtuar fuqishëm përpjekjen e pushtuesit  që të vë nën kthetra e dirigjime arsimin  dhe kulturën tonë. Punëtorët e arsimit  në vitet e 90-ta u kthyen në një digë të fortë  dhe i mësuan fëmijët e  asaj kohe shqip dhe me planet e Republikës së Kosovës. Sfiduan pushtuesin dhe armët e tij me laps e libër dhe me dokumentet me mbishkrimin Republika e Kosovës .  Pushtuesi përdori gjithë atë dhunë për t’i tërhequr nga ky ideal, por dashuria për gjuhën e kult urën tonë dhe vullneti për ardhmërinë e pavarësinë e shtetit  i bëri më të fortë se kurrë njerëzit e dijes nëpër gjithë vitet e 90-ta. Nga  populli ynë  këta njerëz në ato kohë të vështira u quajtën heronj të gjallë  dhe të gjithë kanë pritur se institucionet e  Kosovës së lirë do ta njohin me një ligj  këtë kohë të qëndresës së arsimit e kulturës sonë. Por, kujtesa e pushtetarëve për ato vite heroike është zbehur dhe mbase përvjetori  i pavarësisë  mësuesin do ta gjej pa ligjin e vet. Nëse ndodh kështu atëherë pushtetarët mund të festojnë  e t’i thurin  vetit himne e lëvdata, por  duke festuar le të trokasin në kujtesën e tyre dhe  një zë brenda tyre do t’u thotë se nuk e  kanë kryer borxhin ndaj atyre që kanë vënë gur të palëkundur në themelet e shtetit, që po feston përvjetorin e pavarësisë.

Prishtinë, 12 shkurt 2018

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test