Financimi nga organizata të dyshimta, ka prodhuar imamë radikalë - Bota Sot
Financimi nga organizata të dyshimta, ka prodhuar imamë radikalë

Kosova

Financimi nga organizata të dyshimta, ka prodhuar imamë radikalë

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Shumë imamë dhe teologë nga Kosova kanë kryer studimet në botën islame, kryesisht në vendet arabe, gjë që besohet se ka ndikuar në sjelljen e rrymave të ndryshme dhe më ekstreme në Kosovë.

Importimi i ideologjive apo rrymave më ekstreme fetare në Kosovë, sipas teologëve që kanë studiuar në këto vende shumë vite më parë, ka ndodhur për shkak të financimit të bursave nga organizata të dyshimta.

Ata thonë se financimi nga këto organizata ka detyruar shumë të rinj kosovarë që kanë studiuar në këto vende, që të ndjekin rrugë të gabuara dhe të largohen nga islami tradicional që ka qenë në Kosovë.

Profesori në Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, Musa Vila, i cili ka kryer studimet në Medinë të Arabisë para viteve të 90-ta, tha për Radion Evropa e Lirë, se shumë prej donatorëve që financojnë këto bursa, u takojnë rrymave ekstreme.

“Varet se me kënd kontaktojnë, me çfarë shoqata dhe me çfarë njerëz. Kemi edhe sot të vijës ekstreme mjaftë njerëz që ua kushtëzojnë bursën (imamëve të rinj), gjithçka ua kushtëzojnë për të qenë në këtë vijë. Për fat të keq, shumicën e donatorëve të bursave janë të vijës ekstreme”, thotë Vila.

I të njëjtit mendim është edhe imami Bekim Jashari nga Podujeva, i cili ka kryer studimet në Jordani.

Imami, i cili për një kohë të gjatë ka qenë edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në këtë komunë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se financimi i bursave, është shkaku kryesor i radikalizmit të imamëve të rinj që janë shkolluar në botën islame.

“Gjeneratat para luftës së fundit të Kosovës, që kemi studiuar jashtë vendit, shumica dërmuese që kemi studiuar në vendet arabe, financimi ynë ka qenë nga familja. Po e marr vetëm këtë element se ka edhe të tjera. Në periudhën e pasluftës nuk e di që ka shkuar dikush, mund të jenë raste të pakta, që janë financuar nga familjet e tyre. Por çfarë rëndësie ka kjo? Ka rëndësi sepse financimi nga familja të jep mundësi në një masë shumë të madhe që të ndërtosh personalitetin tënd të pavarur”, thotë imami Jashari.

Profesori Musa Vila, thotë se edhe në kohën kur ai ishte student, kishte pasur rrugë të errëta apo qasje më ekstreme për islamin, por që të njëjtat, nuk janë përqafuar nga studentët e asaj kohe.

“Edhe ne kemi qenë në Medinë, i kemi parë këto gjëra, por nuk kemi dashur të futemi në ato ujëra të turbullta, edhe e kemi ditur që nuk është në interesin e vendit tonë, por as nuk është në interesin e përgjithshëm që të bartim ne ide ekstreme edhe ide të cilat nuk përputhen me islamin tradicional që e kemi ne, por që nuk përputhen as me rrethanat e as me traditën tonë shqiptare”, thotë Vila.

Ndërkaq, kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Jordania dallon shumë prej vendeve tjera dhe shkollave tjera islame.

Ai thotë se universiteti ku ai ka studiuar, nuk ka qenë shumë i përqendruar që ta bëjë një kuadro njohës të fesë klasik, por ka dashur që t’i jap njohuri më të gjera.

“Përderisa vendet tjera arabe që e kanë pasur një sistem krejtësisht ndryshe, Jordania e ka pasur këtë. Sistemi arsimor dhe plan-programi arsimor në Universitetin e Jordanisë dhe në universitet e tjera, po flas për atë kohë, nuk ka qenë nxitës i urrejtjes, përçarjes, sektarizmit, fraksioneve”, thotë Jashari.

Pas luftës së fundit, shumë imamë të rinj, kryen studimet në vende të ndryshme arabe. Disa prej këtyre imamëve edhe janë arrestuar për nxitjen e të rinjve për të shkuar në luftërat e huaja në Siri dhe Irak.

Në këto luftëra në Siri dhe Irak, kanë shkuar për të luftuar mbi 300 persona nga Kosova, duke përkrahur grupin militant Shteti Islamik. Mbi 70 shqiptarë nga Kosova janë vrarë atje dhe shumë të tjerë mbesin ende në Lindje të Mesme./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test