Largohen dhjetëra thasë me mbeturina e mbillen dhjetëra fidanë në Viti

Kosova

Largohen dhjetëra thasë me mbeturina e mbillen dhjetëra fidanë në Viti

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 19:16
Viti

Vullnetarët e shumtë kanë larguar dhjetëra thasë me mbeturina në aksionin e sotëm në Viti, ku gjithashtu u mbollën dhjetëra fidanë si dhe u vendosen tabela me mesazhe vetëdijësuese për ruajtjen e mjedisit.

Aktivitetet e sotme në këtë komunë ishin vazhdimësi e aktiviteteve të shumta që po organizohen në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka filluar më 15 shtator dhe do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.

Në aksionin e sotëm vullnetarët kanë pastruar hapësirat afër varrezave të qytetit, hapësirat afër xhamisë dhe kishës katolike në Kabash, pastrimin e shtratit të lumit Morava e Binçës rreth shëtitores në rrugën e Binçës dhe disa deponi të vogla në rrugën e Debelldehut deri tek pika kufitare me Republikën e Maqedonisë.

Pas pastrimit, u mbollën fidanët si dhe u vendosen tabelat me mesazhe vetëdijësuese.

Besnik Shabiu nga Let’s Do It Kosova tha se është kënaqësi të shohësh mobilizime të tilla të komunave, që dëshmojnë edhe njëherë se të gjithë jemi bërë bashkë për të ndryshuar Kosovën.

“Mobilizimet si ky sot na thërrasin neve që të jemi më të kujdesshëm me veprimet tona karshi mjedisit. Komuna e Vitisë duhet të merret model edhe nga komunat e tjera për mobilizime të tilla. Kur bëhemi kështu bashkë me pjesëmarrje aktive, ne tregojmë se duam t’ia ndryshojmë pasqyrën vendin tonë. Pas përfundimit të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” më 15 dhjetor, ne do të mund të flasim për një zhvillim të qëndrueshëm mjedisor”, ka thënë Shabiu.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka falënderuar të gjithë ata që iu përgjigjen pozitivisht pjesëmarrjes në aksionin e sotëm.

“Përshëndes organizatën “Ta Pastrojmë Kosovën” për punën e shkëlqyeshme që po bën. Rinia e  Vitisë i është përgjigjur pozitivisht aksionit të sotëm. Ne duhet ta ruajmë e ta mirëmbajmë ambientin tonë, në mënyrë që gjeneratat e reja të kenë një ambient më të mirë e më pastër. Vitin 2018 e kemi shpallur vit të ambientit. Ne do të japim mesazhe vetëdijësuese si dhe do të punojmë që ish-deponitë e bërllokut t’i kthejmë në gjelbërim”, ka thënë Haliti.

Let’s Do It Kosova shpreson që aktivitetet e tilla të vazhdojnë përgjatë tërë fushatës tre mujore edhe në komunat tjera të Kosovës, të cilat veçse janë mobilizuar e kanë krijuar edhe Task Forca.

Fushata“Ta Pastrojmë Kosovën” po fuqizohet dita-ditës me aktivitete të shumta gjithandej vendit, andaj edhe njëherë ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e aktiviteteve të shumta që po organizohen në kuadër të kësaj fushate. Ju mund të regjistroheni edhe si vullnetar në web faqen www.tapastrojmekosoven.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat