Grabitje e armatosur në një shitore në Ferizaj, hajni i maskuar merr të gjitha paratë në arkë

Kronikë e zezë

Grabitje e armatosur në një shitore në Ferizaj, hajni i maskuar merr të gjitha paratë në arkë

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 07:49
Foto ilustrim

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet dhe grabitjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një shitore në rrugën ‘Astrit Bytyqi’ në Ferizaj, ku një person i armatosur ka kryer një vjedhje.

Burimet e medias bëjnë me dije se i dyshuari ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka vjedhur të gjitha paratë që ndodheshin në arkën e shitores.

Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Ndërkohë kanë marrë edhe dëshminë e punëtores e cila ka qenë në ndërrim kur ka ndodhur rasti dhe e njëjta ka pohuar se hajni ka vjedhur mbi 800 euro të pazarit ditor.

Sipas saj, i dyshuari e ka kërcënuar me armë dhe e ka detyruar që paratë t’ia fus në qese me duart e saj.

Momentalisht nuk dihet identiteti i të dyshuarit, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat