Kishin kthyer banesën në “shtëpi bari”, shpallen në kërkim pronari dhe bashkëpunëtori në Kukës

Kukësi

Kishin kthyer banesën në “shtëpi bari”, shpallen në kërkim pronari dhe bashkëpunëtori në Kukës

Më: 22 prill 2022 Në ora: 08:22
Shtëpi bari

“Shtëpitë e barit” duket se janë kthyer në një problem për autoritetet e vendit tonë, janë zbuluar shumë prej tyre. Policia e Shtetit njoftoi ditën e djeshme se ka zbuluar një të tillë në qytetin e Kukësit, ku një banesë është përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave.

“Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në terren të mbyllur, me anë të llambave. Finalizohet operacioni policor i koduar "First", i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës. Zbulohet në një banesë, një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave”, njofton Policia.

Shpallen në kërkim pronari i banesës dhe bashkëpunëtori i tij

Policia  në njoftimin e saj shkruan se ka shpallur në kërkim pronarin e banesës dhe bashkëpunëtorin e tij. Forcat blu të Kukësit, pasi morën informacione në mënyrë operative, bënë të mundur lokalizimin e vendit ku kultivohej kanabis.

“Shpallen në kërkim pronari i banesës dhe bashkëpunëtori i tij, të cilët kishin përshtatur banesën për të kultivuar bimë narkotike me anë të llambave. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës,  bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në lagjen nr. 3, në qytetin e Kukësit, një shtetas kishte përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa, në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “First" . Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e dyshuar, ku gjatë kontrollit u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me llamba”, shkruhet në njoftim.

Policia: Gjetëm 934 fidanë të dyshuar si kanabis

Në banesën e përshtatur në laborator droge, Policia deklaron se gjeti dhe sekuestroi 934 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike, llamba elektrike, aspiratorë dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për ngrohje. Më pas Policia shpalli në kërkim shtetasit K. H., 51 vjeç, dhe e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit H. S., 28 vjeç me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

“Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 934 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike, llamba elektrike, aspiratorë dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për ngrohje. Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë nuk kanë konstatuar njeri në banesë. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim, e pronarit të banesës, shtetasit K. H., 51 vjeç, dhe e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit H. S., 28 vjeç, të dy banues në Kukës.  Vijon puna për kapjen e shtetasve K. H. dhe H. S., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, tha Policia për zbulimin e shtëpisë së barit në qytetin e Kukësit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat