Qarku në Kukës, aty ku me largimin e të rinjve po zbehet shpresa se një ditë do jetë më mirë

Kukësi

Qarku në Kukës, aty ku me largimin e të rinjve po zbehet shpresa se një ditë do jetë më mirë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 08:28
Foto ilustrim

Një qark që vuan më së shumti shpopullimin e ku sfidat janë shumë të mëdha për banorët dhe qeveritarët lokalë. Ky është Kukësi që në territorin e tij ka edhe bashkitë Tropojë dhe Has. Te dy të fundit do ndalemi më pas, ndërsa përqendrohemi fillimisht tek Bashkia e Kukësit, aty ku banorët i thanë gazetares Loneta Progni se, me largimin e të rinjve po zbehet edhe shpresa se një ditë do jetë më mirë

“Këputesh, dërrmohesh, tan ditën e gjatë, pesë lekë t’paguejnë, “Kaq – thonë – jepka vendi”.

Kështu shkruante për Kukësin e vitit 1987 poeti zemërzjarrtë Havzi Nela. Sot revolta dhe rebelimi për keqpaguarjen e punës nuk shprehet më me poezi në Kukës, por me braktisje të vendit.

Sokoli, familjarisht, ka pasaportë bullgare, së cilës ka më shumë dëshirë t’i referohet si pasaportë evropiane, dhe prej 21 vitesh ka provuar lloje të ndryshme biznesesh në Kukës, duke u kapur me thonj pas qëndrimit në këtë qytet. Aty thotë se jeton mirë dhe ka të ardhura të mjaftueshme, por shqetësimi i tij kryesor është që nuk gjen punonjës për t’i angazhuar në biznes, sidomos gjatë sezonit të dasmave.

Pasaportën evropiane e ka as nën mëngë, si një alternativë, siç thotë, për arsimimin më të mirë të fëmijëve. Fatmiri, nga ana tjetër, është kthyer pas 6 vitesh në Angli, ku ka dhe të vëllanë, dhe ka hapur një biznes familjar. Dëshira për zgjerim kushtëzohet nga pamundësia për të gjetur staf

Që prej tetorit punon vetë nga mëngjesi i hershëm deri natën vonë. Pret me padurim fundin e vitit shkollor apo edhe atij akademik, që nxënësit e gjimnazit apo studentët të punojnë aty, qoftë dhe përkohësisht.

Gjatë bisedave me qytetarët dhe sipërmarrësit të ndodh të dëgjosh shpesh se koha ndahet në epokën para dhe pas gomoneve. Kështu u referohen largimeve masive të të rinjve kuksianë, ilegalisht, drejt Britanisë së Madhe. Pas gomoneve, koha ecën më ngadalë se kurrë për të moshuarit, për pensionistët.

Largimin e fëmijëve të tyre e shohin si qetësim të stomakut, por edhe si dhimbje të vazhdueshme të shpirtit.

“Nuk jemi keq jo” është fjalia e parë që thonë, se nuk janë mësuar të ankohen, por më pas, duke iu dridhur zëri flasin për shpopullimin, varfërinë, shërbimet e munguara, jetesën që bëhet çdo ditë e më e vështirë.

Ndërsa si “të varfër” kanë marrë rrugët e emigrimit, të rinjve iu bëhen thirrje nga kandidatët për kryetarë bashkie, që të kthehen si “të pasur” në Kukës dhe të investojnë në turizëm, në tokat e tyre. Si kurrë më parë pjesë e takimeve elektorale u bë edhe Londra.

Do ndihmojmë bizneset, do thithim investime të huaja, do përmirësojmë infrastrukturën rrugore, do e bëjmë Kukësin atraksion turistik…me premtime të ngjashme hyjnë në garë për zgjedhjet vendore të 14 majit, 3 kandidatë për bashkinë më të madhe në qarkun e Kukësit.

I pari në fletën e votimit renditet Abedin Oruçi. Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë. Por gara e fortë ndahet mes dy kandidatëve. Doctor Admir Sinamatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kërkon jo vetëm të ulet vetë për herë të parë në karrigen e kryetarit, por edhe ta rikthejë bashkinë e Kukësit blu si para 4 viteve.

Partia Socialiste ka rikonfirmuar si kandidat drejtuesin aktual të bashkisë, biznesmenin Safet Gjici. Rreth 43 mijë votues janë të thirrur të zgjedhin mes këtyre alternativave për punët në bashkinë që shtrihet në 933.8 km katror dhe banohet, sipas regjistrit civil, nga më shumë se 59 mijë banorë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat