Dy ëndrra, një ide, një varr pa fe!

Kultura

Dy ëndrra, një ide, një varr pa fe!

Nga: Bajram Sefaj Më: 19 shtator 2021 Në ora: 20:14
Bajram Sefaj

ëndrra e ditës...

Në ëndrrën e gjumit të ditës së pashpresë mërgimtare, në pëlhurën imagjinare të saj, me shfaqet qartë: në një faqe e tërë të Milosaos e zinte tregimi im!Befasia ishte aq e me madhe nga se ishte tekst që nuk e kisha shkruar fare! Fare nuk e kisha nisur në adresë të asnjë redaksie, për botim! Tregimi ishte shtypur me shkronja të praruara, si të argjendta, rrezatuese dhe në fletë fine. Ishte botuar solemnisht!

Kështu e kallëzonte atë ëndrra e ditës!

Nuk ishte e rastit që ëndrra e “botonte” aty dhe pse kishte zgjedhur pikërisht faqet e Milosaos!

Ka kohë që preokupohem e rropatëm me një lloj proze, më një tip (“të ri”!) shkrimi, pagëzuar prozë urbane. Pa ditur fare se ku me shpie kjo rrugë e nisur, pa ditur as si do të dali puna e këtij projekti!

Çfarë forme do të merr, përfundimisht!

Redaktori i shtojcës për kulturë dhe art “Milosao” nga Tirana, kish guximin intelektual dhe përgjegjësinë profesionale që të botojë, tri herë radhazi, këto shkrime me titull të përbashkët “Prozë urbane”. Deri në këtë dekik dramatik, nuk ma thotë kush dot asnjë fjalë në lidhje me këtë lloj shkrimi, kur është pa zhanër, pa përkatësi gjinie e stili! Pa temë bosht, pa konflikt të brendshëm as të jashtëm, e trille të ngjashme...

!?!

Jam midis flakesh. Vishkull jam!

Midis mjegullash, pa busull!

Digjem, piqem e venitëm... si kandili qe s’ka..., opinion!

Ëndrra e gjumit të ditës se pashpresë mërgimtare, shkonte edhe më tutje: kallëzonte qartë titullin fort të goditur “Bukuri shkatërrimtare”, të tregimit tim, respektivisht, te ëndrrës time mashtruese!

Akoma ende pa e grisë e shkundë perden e saj, mendova e thash: kjo mund të këtë lidhje gjaku më preokupimin tim plot ethe e siklet, që nuk me shqitet as në gumë e nuk me le rehat tash e një kohë të gjatë. Shqetësimi bëhet edhe më zaptues, më i padurueshëm, kur nis të me bre kanceri i dyshimit, si duket redaktorit të Milosaos i ka fry dikush në vesh, apo ashtu vetvetiu, është ngopë me këto tekste, kur në komentin e tij të fundit shkruan: “Proza urbane e Bajram Sefajt ishte e këndshme, ku shpesh ai e lë të gurgullojë nënvetëdijen e tij, që duhet thënë se është asfare e paqtë dhe ka shume mendime kontroverse. Proza i ngjan më shumë një të riu por shqiptuar nga një i vjetër në moshën e Bajramit”!

Kuku...!

Kuku, për mua të mjerin!

Çka me gjeti!

*

Pa u zgjuar mirë prej gjumit, si jerm të i sha, yrysh e si cjap i kam kërcyer kompjuterit!

Në faqen e parë të tij, nis radhitjen e këtij teksti që, merr rrugën drejt opinionit anonim! Gjithandej ndjekur dyshimi brejtës: pse në ëndërr nuk me ishte shfaqur ndonjë gazete tjetër, por pikërisht Milosao, që për tri vjet, (nga një në vit, 2013, 2014 dhe 2015!), i ka botua ato.

Jo xhanëm, jo!

*

Duke përfillur e përligjur vërejtën e redaktorit: “...autorit i shkon më shumë formë mozaiku!”, kësaj radhe, prozës (time) urbane, pos që ia shtoj edhe dy fjalë: pa urbanizëm, në bisht ia var edhe një tjetër ëndërr, kësaj radhe të natës, që nuk ka asnjë lidhje, pos që është ëndërr, me të parën, një ide sekrete, dhe krejt në fund, rrëfimin e shkurtër rebel, cub e shyt: varri pa fe!

Si kurth a pabesi, le të merret kjo!

*

A s’u tha jo njëherë se letërsia i ngjason një deti të madh!

Çka s’ka në deti!

Këtë e din çdo njeri!

O njeri, ku je!

Çfarë letërsie e leshit është ajo që brenda qenies saj, nuk ka një libër me prozë urbane, qoftë edhe pa urbanizëm, madje!

Aman, aman!

ëndrra e natës...

Është ëndërr e ligë, e pashpirt, dinake, tinëzare..., ëndërr e keqe që nuk me shqitet këtu e një kohë shumë të gjatë. Ka shumë riprodhime, të njëpasnjëshme, ka paksa nuanca. Ka të njëjtën shtrirje dramaturgjike. Edhe shtrirja skenografike është gati e njëjtë, me pak ndryshime të padiktueshme. Sa i takon kostumeve nuk kam haber. Mbase janë ato që, në atë dekik, i kam të veshura në trup!

Ajo, shtrigë ëndërr, kurrë nuk harron të vi e paftuar e të më trazojë, deri në djersë të vdekjes, të me dhunojë. Rëndom vjen atje larg, në dhe të huaj, kur me djeg malli dhe, sa më shpejt e urgjentisht, dua të kthehem në vendlindje. Të kthehem tek të mitë...

Diçka krejt e paqartë, e pakuptueshme, e pa zbërthyeshme, enigmatike e liga ajo, ndodh diçka e panjohur, një avari, një tragjedi e mistershme, në çast, janë mbyllur e gjitha rrugët dhe shtigjet që nuk me shpijnë deri atje, të sheshi i trenit të shpejt që, për pak minuta, duhet të niset. Edhe nëse ndodhë që përbirohem disi labirinteve, sikur të ishin ato të Labirintit në pallatin e mbretit Minos, atje në Knosos të Kretës...

Ëndrra kurrë nuk gabon e të me shpie në drejtim të ndonjë aeroporti!

një ide...

Që nuk bën të kallëzohet hiç, para se të ndodhë, ashtu siç pritet të ndodhë! Në një dite me diell e rreze drite shumë, të kësaj verë po sa ajo t’i hapë dyert ndonjë herë!

Rrëfimin e saj, pra, e kapërcej, e lë për atëherë kur t’i vjen vakti. Atëherë do t’ia heq duvakun e nusërisë, kur do t’ia heq vellon e misterit. Do të ndodhë kjo kësaj vere, para se në Tiranë, ani pse boll lakmoj të ndodhë atje, do të ndodhë para Bibliotekës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, atje ku bëhen gati të gjitha përurimet e librave të ri, të shkrimtarëve tanë, nga Kosova dhe Shqipëria amë.

Si do të duket ky promocion, nuk jam në gjendje në them tani. Kush do të flas e çka do të thotë, jo, por që do të jetë promocion i zjarrtë dhe i kallur flakë, justifikoj qysh tani.

Spektakël unik dhe origjinal do të jetë, garant!

Jini të pranishëm, do të bindeni!

një varr pa fe!

E kishim një kryq mbi varr, në një melodi të popullarizuar!

Që erdhi fluturimthi nga Korça, pikërisht nga Sanremo jonë e bukur, bashkë me një kanconën fort të qëlluar e të bukur, kur ishte, sa sentimentale, aq edhe prekëse!

Tash e kemi një gur mbi varr, në po të njëjtën melodi!

Kryqi ka pësuar metamorfozë e është zhdukur, është bërë gur!

Gur cullak, pa ngjyrë, pa fe as komb!

Gur universal. Të lumtë na!

Kur barazinë fetare e kemi kanonizua denbabaden dhe sa krenohemi, ore trim, deri në krekosje, duke e njomur, orë e çast, atë thënien e poetit tonë, Pashko Vasa:”Mos shikoni kisha e xhamia, Feja e shqiptarit, asht shqiptaria”!

Ku na mbeti krenaria, ku na mbeti harmonia (fetare)!

Kuku për ne sa shumë e thellë ka hy në palcën tonë frika trishtuese që na ka pushtuar krejt...

Jo etëm që nuk guxojmë të bëjmë kryq, por, as ta kthejmë kokën nga maja e lartë e kambanores se Katedrales madhështore Nëna Terezë në Prishtinë, që bën jehonë nga kupa e qiellit, kur duhej të ishte blu, e që mjerisht nuk është i pastër!

Të mjerët na, të mjerë!

As gjumin e përmotshëm nuk mund e bëjmë rehat e pa droje, me një kryq mbi varr!

Varret tona janë të pa fe!

Aman, aman!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat