“Luga e ndryshkur e floririt”…

Kultura

“Luga e ndryshkur e floririt”…

Nga: Gëzim Loka Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 07:45
Gëzim Loka

Shqipëri me shumë regjime,

Me shumë plagë dhe arrnime,

Me shumë halle e premtime,

Më shumë pallavra e mashtrime.


Të grabitën maskarenjtë,

Pas t’u lëshuan çakejtë,

Të quajtën mbret e sovranë,

Por mbi ty seç bënë hatanë…


Nuk të lanë brinjë pa thyer,

Me pallavra lyer dhe ngjyer,

Të rreckosën, të jargosën,

Trup e shpirt t’i nakatosën…

Sovranë, o bijë sovrani

Ju ndjektë marrja dhe harami,

Ju ndjektë flama dhe mallkimi,

Jeni gen e gjak mashtrimi…

Ishin vitet e para të hapjes së Shqipërisë me botën, hapje që po shkonte drejt shqyerjes, shoqëruar me djegie e tymnajë, me vjedhje e grabitje, me kaos e rrumpallë.

Edhe padronët e rinj, që po hynin në dyert e politikës, flisnin e flasin në emër të popullit, por popullit i kanë vënë një emër të ri, emër “demokratik” dhe e quajnë “sovrani”.

Në një fshat të Dibrës vjen një kandidat për deputet dhe flet e flet për ditët e lumtura që do ta prisnin popullin, se do të hanin njerëzit njëzet lloj bukësh e do të notonin në luks e mirëqenie. Shkurt, po përsëritej teza e njohur e të ngrënit të “sovranit” me “lugë floriri”.

Njerëzit dëgjonin gojë e veshë hapur dhe disa që kishin vuajtur gjithë jetën për kore të bukës ëndërronin për ditët e lumtura. Kandidati fliste e fliste dhe më në fund pushoi. Kërkoi nga turma e mbledhur që të merrte fjalën kush dëshironte që të fliste.

U ngrit një burrë në moshë shumë të thyer, i kishte mbushur të nëntëdhjetat dhe foli”

-Or zoti Kandidat. Unë kam parë e ndërruar shumë qeveri e regjime. Kam parë si erdhi e si iku mbreti Zog, si erdhi e si iku Enveri, si erdhi e si iku Ramizi. Tani keni ardhur ju, i thoni vetes demokratë. Na premtoni lugë floriri e të hamë e të pimë si mbretër. Kështu na pati thënë Zogu, kështu na pati thënë Enveri e Ramizi. Por u rropatëm një jetë të tërë për të ngrënë një kore bukë thatë. Po të paktën një kore e hanim. Ju më duket do t’na lini dhe pa atë kore thatë. Se ata vërtetë nuk na dhanë të hanim me lugë floriri, por nuk morën kazmat për të shkatërruar gjithçka si po bëni ju. Ku shkel këmba juaj nuk mbinë as bari!...

Deputeti bëri ç’bëri, pa çfarë pa, vari veshët si parfanga zisi koperative dhe u zhduk me shpjetësi, nga pruri këmbët vuri thembrat dhe iku me vrull, duke fuguar…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat