Për bukë, të rrahë dhe unë!

Kultura

Për bukë, të rrahë dhe unë!

Nga: Përparim Hysi Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 19:43
Përparim Hysi

Nëse i kthehem përsëri këtij tregimi të jetuar, kam një arsye shumë madhore. Para tri ditësh, në një rubrikë me “okelion”: “Pohojnë me gojën e tyre”, pashë një pohim shumë tronditës në raport me atë ç'kam përjetuar në vitet e atij regjimi gati 50-vjeçar të pasçlirimit. Ai që fliste kishte qenë, si unë, mësues për 41 vjet. Edhe unë, po për 41 vjet.

Ai mësues diku në veri të vendit dhe unë në MYZEQE.

Pohimi i tij përkonte dhe me një “cilësi” pak si negative: Ai pohonte: “Kam qenë i rreptë!” Më ka “kopjuar lëvizjet”; edhe unë kam qenë i rreptë. Por unë nuk e sjell këtu për të treguar këtë cilësi, përkundrazi...

Po, para se të dal te tregimi im, pjesën e parë të pohimit të tij po e vë si prolog. Mandej do të vë tregimin tim. Së fundi, pjesën e dytë të pohimit të tij, si epilog. Mbetet vlerësimi juaj pas epilogut.

Prolog

Mua që më shihni në këtë pohim, kam qenë mësues për 41 vjet në veri të vendit. Kam qenë i rreptë. Ngaqë punoja larg shtëpisë, ime shoqe në trastë më fuste bukën e drekës: gjithmonë një copë bukë misri.

Një ditë, ndërsa hapa trastën, pashë që mungonte buka. Në klasë, ku jepja mësim, qeshë vetëm unë dhe nxënësit e mi. Menjëherë futem në klasë dhe u them nxënësve:

– Kush ma ka marrë bukën?

Të gjithë thanë:

– Jo, mësues, asnjë prej nesh nuk e ka trazuar trastën tuaj.

Shoh njërin prej tyre që uli kokën. U sula nga ai, ia hapa trastën dhe i thashë:

– Pa dil këtu para klasës!

Doli dhe dridhej. I thashë:

– Hajdut! I ngjan babait që është i internuar dhe si ai do të bëhesh!

Dhe i bie me vizore mbi majat e gishtave. Për çudi, nuk qau.

Pas 29 vjetësh, më vdiq ime shoqe dhe, ngaqë kisha plotësuar moshën e pensionit, mbetur vetëm, erdha pranë djalit, këtu në Tiranë. Jam 83 vjeç. Dihet që në moshë të vonë fillojnë “telegramet” për shëndetin. Një ditë u bëra keq dhe përfundova në spital. Mjeku që më vizitoi më dërgoi drejt e në sallën e operacionit.

M'u afruan dy mjekë kirurgë. I pari më pa dhe, disi larg meje, diçka i tha kolegut.

– Mirë, – tha tjetri, – lëre se e operoj unë.

– Jo, jo, – këmbënguli i pari, dhe më operoi ai.

Operacioni doli me sukses. Pasi më doli narkoza, kirurgu që më operoi më tha:

– Shikoi pak majat e gishtave të mi. Ende janë të bardha nga ajo vizorja jote. Unë ta mora copën e bukës së misrit, se kisha motrën e vogël sëmurë. Por a e di pse të operova unë? Se për 29 vjet me radhë, mu në derën e shtëpisë sonë gjendej varur një bukë misri. Atë e sillte jot shoqe, sapo mori vesh atë “trimërinë” tënde...

... Dhe tregimi që kam jetuar unë.

Jetoja në fshatin MBROSTAR-URA, një fshat i madh, gati si qytezë, rreth 4 km larg FIERIT. Fshati qe sektor ferme.

Banorët e fermave, në raport me kooperativistët, kishin një nivel jetese disi më të mirë. Së pari, në gjithë fermat, banorët konsumonin bukë gruri, ndërsa kooperativistët, sado që prodhonin grurë, hanin veç bukë misri dhe ky misër hibrid. Buka qe me racion për çdo familje, sipas banorëve. Ndodhte që vinte në dyqanin ku shitej buka, lutej ndonjë nga fshatrat e tjerë, qoftë dhe për një bukë, por e dëbonin: “Nuk je nga fshati!” Dhe në qytet, ca më keq: “Ik, je nga fshati!” Si në kohën e MIGJENIT: “Hajt, more, ZOTI të dhashtë!”

Kisha ardhur në shtëpi pas mësimit dhe më trokiti dera. Kur e hapa derën, një nxënës më tha:

– Profesor, të kërkon te zyra e këshillit.

U vesha dhe, kur hyra në zyrë, pashë që në tavolinën qendrore qe shefi i Hetuesisë së FIERIT, Reshat Leskaj, sekretari i partisë së sektorit, kryetarja e këshillit dhe, në kënd të zyrës, në këmbë, një nxënësi im i klasës së tetë. E kishin prangosur dhe ngjitur me të prangosurin, i plotfuqishmi.

– Erdhe? – m'u lëshua tërë mllef hetuesi. – More profesor, – shpotiti dhe, po me mllef, më tha: – E njeh atë që kemi arrestuar?

– Si nuk e njoh? Ky është nxënësi im i klasës së tetë, Xhevahiri.

– Xhevahiri? – shpotiti shefi. – Na paska dhe emër të bukur.

– Po, – pohova unë. – Siç e ka emrin, është. Është 14 vjeç dhe nuk është zënë qoftë dhe me një çupë, se me djemtë jo që jo.

– Jo, more! Po siç është profesori, do të jetë dhe nxënësi, – shfryu hijerëndë shefi. – Ky, Xhevahiri yt, profesor, ky i urti yt, e di se ç'na ka bërë? Na ka rrahur kryetaren e këshillit; na ka rrahur një komuniste!

Dhe, pa pritur më shpjegime nga unë, ashtu i rëndë, i rëndë e me sokëllima, iu lëshua të prangosurit:

– A e rrahe kryetaren?

Dhe XHEVAHIRI, ai urtësia vetë, e shkrepi:

– E rraha!

– Si? SI? Thotë dhe e rraha!!!

– Pse e rrahe?

– Se më la pa bukë.

– Si? Si? Për bukë e rrahe?

– Polic, hiqja prangat!

– Kryetare, për bukë, të rrahë dhe unë!!!

Dhe kaq qe e gjithë ajo “shfaqje”.

Epilog

Unë, në çdo përvjetor të sime shoqeje, – tha “mësuesi i rreptë”, – kur shkoj te varri, veç luleve, ndez një qiri dhe lë një bukë misri.

E kishte ligji i asaj kohe: Kur gjykohej një fëmijë, thirrej një mësues. E, sa për të tjerat, lexuesit le të gjykojnë vetë.

Tiranë, 25 nëntor 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat