Na erdhi Nëntori,
kuq e zi u ndez qielli,
dolën patriotët qejfli,
me flamuj e me këngë,
me daulle e çifteli,
se Atdheu sot
kërkon një fotografi!
Patriotizmi me kredi
merret veç për një ditë,
me këste të vogla paguhet
me krenari e pritë.
Më 28 Nëntor
bëhesh trim e atdhetar,
më 29, patriotizmi
kthehet në pushim zyrtar!
Në Luginë, ndërkaq,
flamuri s’ka të njëjtin fat,
nuk valëvitet si gjethet
kur fryn era e artë.
Aty simboli kombëtar
paska një hall të vjetër,
se ligji ende s’i ka gjetur
kornizën në një letër!
Në Prishtinë flamuri
valëvitet në çdo çati,
në Tiranë e presin
me këngë e me dashuri.
Në Luginë të Preshevës,
posa ta ngresh me karizëm,
kontrollo mos të vjen
ndonjë faturë për patriotizëm!
Kur mbaron festa,
hiqen flamujt nga lokalet,
heshtin këngët e vallet,
patriotizmi zbret nga ballkoni,
ngadalë, si kameleoni,
shkon për të fjetur me drojë,
e 364 ditë të tjera
pret që dikush ta zgjojë!
Prandaj, o patriotë
të festave me kredi,
mos e doni Atdheun
me postime e fotografi!
Dhe ju që ligjin e mbani
si shpatë mbi flamur,
mos harroni: identiteti
nuk ndëshkohet me torturë!
Sevdail Hyseni
(Karikatura e marrë nga interneti)