Unë dhe hëna

Kultura

Unë dhe hëna

Nga: Gjon Marku Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 14:34
Gjon Marku

Sonte bisedojmë unë dhe hëna. Ajo është e bukur sa s'thuhet, e pastër në shkëlqimin e saj, dëshmitare e vetme e kësaj nate të qetë, e asaj që zemra ime nuk di ta emërtojë. Nuk e di as vetë çfarë kam në zemër. Di vetëm se kam nevojë t'i tregoj dikujt atë që më mundon. Dhe sonte e vetmja që duket se mund të më dëgjojë është hëna.

U ktheva nga godina para së cilës shelgu lotues ishte bërë strehë e puthjes sonë të parë. Ajo puthje na erdhi aq papritur, pa u thirrur, si një dritë që zgjon diçka të harruar. Zgjoi te ne një ndjenjë aq të bukur, sa edhe në këtë çast më duket sikur gjithçka po ndodh si pak çaste më parë.

Sa do të kisha dashur të ishte gjallë nëna! Sa do të doja të ulesha pranë saj, të bisedoja me të dhe t'i thosha atë që po i them hënës. Ndoshta do të më dëgjonte në heshtje, ndoshta do të buzëqeshte, ndoshta do të më përkëdhelte flokët, ashtu siç dinte vetëm ajo.

Edhe unë, edhe Zana kemi mbetur me një mungesë të përbashkët. Ajo më ka treguar se edhe asaj i mungon nëna, se e ëma e ka lënë të vogël. Pastaj qan, mbështetet tek unë dhe, duke ngritur sytë drejt qiellit, më thotë:

- Sa e bukur është hëna sonte!

Mua dhe Zanës na ka mbetur vetëm hëna. E shikoj dhe nuk gjej fjalë. Në mendje më vjen nëna ime, pastaj historia e Zanës. Të dyve na mungon e njëjta dashuri, ajo që nuk zëvendësohet kurrë. Dhe sonte, çuditërisht, duket sikur hëna ka vendosur t'i përkëdhelë të dy bashkë.

Rrezet e saj bien butësisht mbi fytyrën e Zanës. Për një çast më duket sikur ajo përkëdhelje nuk vjen nga qielli, por nga duart e nënës sime. Nuk di si ta shpjegoj atë ndjesi. Ndoshta është malli që më bën të shoh atë që zemra dëshiron më shumë.

Zana afrohet pranë meje. Më mbështetet lehtë dhe, pa thënë asgjë, më shikon në sy. Në atë heshtje të ëmbël, buzët tona takohen sërish.

E puth.

Por vështrimi më largohet për një çast dhe ndalet te hëna. Nuk e di pse, por më duket sikur në fytyrën e saj të ndritshme shoh fytyrën e nënës, sikur ajo të jetë aty, duke më vështruar teksa puth Zanën. Më kap një drojë e çuditshme, sikur të isha kthyer përsëri fëmijë dhe të kisha frikë se mos nëna më qortonte.

Pastaj buzëqesh.

Ndoshta jam humbur mes kujtimeve dhe ndjenjave. Ndoshta është vetëm magjia e kësaj nate. Por një mendim nuk më ndahet nga zemra: mos vallë nëna është e lumtur që sonte nuk jam vetëm?

Ngrita sytë edhe një herë drejt hënës. Ajo vazhdonte të ndriçonte, e qetë, pa thënë asnjë fjalë.

Nuk e di nëse isha përhumbur në ndjenja, apo foli vërtet hëna. Ndoshta edhe nëna ndihet e lumtur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat