Flamur Arbënor,
ditën kur u valëvite në Vlorë,
nderove të gjithë ata
që për ty ranë dëshmorë.
Atë ditë u dha betimi
se nuk do të përdhoseshe kurrë
nga duart e pushtuesve dhe mizorëve.
Me ty, më 28 nëntor 1968,
protestoi rinia e Kosovës
për liri e barazi me të tjerët
dhe për universitetin
në gjuhën e Pal Engjëllit dhe të Naimit.
Me ty u marshua edhe
në pranverën e vitit 1981.
Ti ishe nder e krenari për ne
e ferrë në sy për armiqtë.
Në ty u betuan
dhe për ty dhanë jetën
Shaban Shala e Fazli Grajçevci.
Me ty festuan dhe u martuan
djem e vajza.
Me ty lindi
Universiteti i Tetovës
dhe e shenjta Ushtri Çlirimtare e Kosovës.
Me ty në duar
luftuan djemtë e Kosovës,
të Bujanocit e të Kumanovës.
Me afshin e zemrës
të kënduan dhe të madhëruan
At’ Gjergj Fishta e Fan Stilian Noli.
Kur lindim,
me këngët për ty shprehim gëzimin,
e kur vdesim,
me ty na mbështjellin trupin.
Të gjithë të duam me shpirt e zemër,
edhe fëmijët i pagëzojmë
me emrin tënd të bukur,
o Flamur i shenjtë e i çmuar.
Burra e gra të mbrojtën
me sakrifica e me gjak.
Valëvitu i lirë, valëvitu
nga Kapiti deri në Grudë e në Filat!