Përurimi i romanit “Tri vijat e kuqe” të autorit Muharrem Blakaj

Kultura

Përurimi i romanit “Tri vijat e kuqe” të autorit Muharrem Blakaj

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 15:20
Foto nga përurimi i romanit "Tri vija të kuqe" të autorit Muharrem Blakaj

Në sallën e Kuvendit komunal të Istogut, nën patronazhin e kryetarit Ilir Ferati, u organizua përurimi i romanit "Tri vija të kuqe", të shkrimtarit Muharrem Blakaj. Përveç familjarëve të autorit, pjesëmarrës ishin nga Shoqata e familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës, të burgosurve politikë, intelektualë, qytetarë artdashës nga komuna e Istogut dhe të komunave tjera.

Personazhi kryesor i romanit është Heroi i Populli Xhemajl Blakaj, i mbytur më torturë në Burgun hetues të Pejës, në nëntor të vitit 1986. 

Veprimtari i mërgatës shqiptare në Zvicër, Ismet Salihu, ferizajas lindak, e hapi dhe udhëhoqi këtë aktivitet kulturor. 

Zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi autorin Blakaj, për romanin dokumentar-historik, të realizuar mrekullisht mirë artistikisht. Historia jonë ka nevojë të dokumentohet edhe në art. Dhe kjo është vlerë shtesë, sepse i reziston kohërave. Para katër dekadave as optimistët më të mëdhenj nuk e mendonim se do të mblidhemi sot në Kosovën e lirë, për t`i kujtuar heronjtë tanë, duke i përjetësuar në vepra artistike. Uroj që mendja e ndritur dhe penda juaj e artë, të na dhurojë edhe vepra të tjera të suksesshme, simotra të "Tri vija të kuqe!"

Veterani Xhevat Bislimi, kryetar i Shoqatës të Familjeve të Dëshmorëve, duke folur për romanin "Tri vija të kuqe", deklaroi se autori Blakaj, përjetues i epokës që pasqyron, respektivisht, në vitin 1986, në qendër është i heroi Xhemajl Blakaj, kundërshtar qëndresëtar i regjimit represiv serbo-sllav, deri në flijim.

Autori i librit nuk është vetëm rrëfimtar i vëmendshëm artistik. por edhe vuatës personal. Ai prangoset dhe burgoset, duke qenë pjesë e grupit ilegal të Jusuf Gërvallës. Andaj, ky roman rikthen vëmendjen në një kohë zezonë.

Maxhun Osmanaj profesor dhe krijues, me ndjesi për letërsinë, realizoi suksesshëm recensionin për romanin "Tri vija të kuq. Një roman unik, ngjarjet e të cilit shtjellohen në harkun kohor brenda pesë ditësh. Është karakteristikë e romaneve të Muharrem Blakaj, me rrëfimin e çiltër artistik mbajnë lexuesin vullnetshëm në lexim, duke mos u shkëputur nga rrjedha e ngjarjeve.

Osmanaj, si pjesë e këtij komuniteti, e përjeton rëndë tragjizmin e ilegalit të prangosur - Malit. Përmes personazhit qëndror, autori i romanit na sjellë fatin e dhimbshëm, të shumë dhjetëra djemve, të cilët u kthyen në ark-morte në atdheun e tyre - Kosovë.

Poetja e re, Marigonë Zekaj, redaktore e RTV - Fontana -, në mes tjerash përgëzoi shkrimtarin Muharrem Blakaj, për kontributin letrar, sasior dhe cilësor, që vazhdon t`i japë Kosovës dhe më gjerë. Pas një romani, përfshihet një sfidë e madhe. Shtjellohet një ngjarje e vërtetë, e shkrirë në art. Romani "tri vija të kuqe" përçon një mesazh domethënës, për brezat e tashëm dhe të ardhshëm.

Profesori veteran Adem Geci, potencoi se vepra e radhës "Tri vija të kuqe", krijuesi i zëshëm, Blakaj e vënë gishtin në plagët e përgjakura. Ai kontribuon, nuk heshtë, duke rrëfyer historinë me emra, flakadan i shkruar me gjak, për heronjtë e rënë, për të burgosurit politikë të mbijetuar të Vendlindjes - Vrellë, të Podguerit, të Kosovës tonë.

Shaban Morina, nga Lybeniqi i Pejës, kishte ardhur enkas nga Zvicra, në këtë përurim të librit domethënës "Tri vija të kuqe", vëllai dëshmorit Mal Morina, i cili kishte pasur të njëjtin fat si Gjemajli, ishte fjalëpakët: "Gjemajli me shokë nuk folën, por vepruan. Gurë-gurë, bëhet mur, sepse liria pa gjak nuk vjen".

Komandanti Idriz Blakaj potencoi se figurat e dëshmorëve duhet paraqitur besnikërisht. Koha e Gjemajlit ishte e pakët në heronj. Idealizmin tonë për Atdheun, na ka mbajtur gjallë. Kohë të vështira kanë qenë. Polici shqiptar të ka arrestuar, prokurori shqiptar të ka akuzuar, gjykatësi shqiptar të ka dënuar. Sot me shkruar me emra është vështirë, sepse familjet prekën.

Dalja për në luftë, është vendosje edhe për të vdekur. Uroj të vetëdijesohemi për të kujtuar kontribuuesit: të rënët për liri, luftëtarët e mbijetuar, të burgosurit politikë, sepse pa ata nuk do të ishim, këtu ku sot jemi. Edhe në luftë nuk vdesin të gjithë", - tha, në mes tjerash, kuadri i luftës dhe i paqes, luftëtari dhe veprimtari Idriz Blakaj.

Njeriu i letrave, Vilson Culaj, tha se nga parafolësit mësova shumë. Populli që harron të kaluarën, rrezikon të përsëritet historia e hidhur. Shembull: Palestinezët lindën me histori. Po kush po e gëzon vendin? Izraeli, pse diti të shkruajë.

Të kemi empati për vetë - Atdheun. Shkrimtari, filozofi Anton Harapi bashkëkohësit e vlerësojnë se ishte më gjeni se sa Fishta, por diktatura moniste e Enver Hoxhës, e shuajti kësaj bote me gjithë veprat e tij.

Muharrem Blakaj është mjeshtër i pendës, në veçanti në zhanrin e romaneve. Ai është shkrimtar integral dhe vertikal. Krijuesi letrar, përveç shkrimit, misioni i tij duhet të jetë edhe plasimi i krijimtarisë së tij tek lexuesit. Për këtë shkrimtari i talentuar Blakaj ka një përkujdesje të veçantë, gjë që e dëshmon edhe organizimi i përurimit publik të romanit më të ri "Tri vija të kuqe", - fundoi vlerësimin e tij epror veprimtari Culaj. 

Vite më parë, nga Istogu po udhëtonim drejt Ferizajit, së bashku me pronarin e RTV "Fontana", Zeqir Mehmetaj dhe shkrimtarin Muharrem Blakaj, për ta përuruar romanin, fort të pëlqyer nga lexuesit, "Zana e Shën Martinit". Personalisht isha skeptik për pjesëmarrjen e artdashësve në përurimin e romanit në fjalë, sepse "cep me cep" veri-jug distanca e dy qyteteve të cituara.

Ishte ditë e dielë. Në hyrje të Bibliotekës të qytetit të Ferizajit na priti veprimtari i Mërgatës dhe i Kosovës, Ismet Salihu. Ai, duke qenë mik i mirë i autorit Blakaj, është edhe njohës i mirë i Familjes Blakaj, me dosje që datojnë në dekada, me përgjime dhe përndjekje të hershme, nga regjimet pushtuese. Edhe personazhi i parë i romanit, Mali, vëllai i autorit, është vazhdimësi e kësaj tradite, historie.

Hyrja në sallën e Bibliotekës ishte befasi e këndshme. Salla ishte mbushur përplot. Më gëzoi fakti se nga Gjilani kishte ardhur publicisti dhe veprimtari i Mërgatës, Xhafer Leci, miku im dhe i autori Blakaj, bashkë me shokë. Ishte një publik serioz, dominonin intelektualët. Moderatori i mirënjohur, madje i kudondodhur, që dinë të nderojë dhimbjet e mëdha, Zeqir Mehmetaj, me kamerën e tij të artë, e pasqyroi, me sharmë e hijeshi, këtë ngjarje të shënuar letrare.

"Tri vija të kuqe", është libri i 2O-të i radhës të shkrimtarit, poetit, studiuesit, publicistit Muharrem Blakaj. Romani ka elemente të bollshme të biografisë familjare. Një jetë biografike e trishtë, por përjetësisht krenare.

Përurimi i librit ngjasonte me një akademi përkujtimore, kushtuar Heroit të popullit Gjemajl Blakaj - Mali.

Përveç të përmendurve më sipër, folën edhe Ahmet Rexhaj, nipi i Familjes Blakaj, Shaban Idrizaj, Arbëreshë Kelmendi-Blakaj, Dafinë Draga dhe të tjerë.

 Autori i romanit zbulon se titulli i librit "Tri vija të kuqe" buron nga Dosja e Heroit Gjemajl Blakaj: 

Vija e parë ishte kundërvajtje;

Vija e dytë ishte penale;

Vija e tretë ishte eliminim!

Mjerisht dhe fatalisht, pushteti dhe shteti kriminal serbo-sllav ishte përcaktuar për - vijën e tretë eliminim -, të veprimtarit të shquar të ilegales të lëvizjes kombëtare, Gjermajl Blakaj.

Në përmbyllje të këtij aktivitetit domethënës kulturor, autori i librit, Muharrem Blakaj, falënderoi përzemërsisht të pranishmit, për pjesëmarrjen e tyre fisnike dhe masive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat