Ringjallja e Skënderbeut

Kultura

Ringjallja e Skënderbeut

Nga: Kalosh Çeliku Më: 9 maj 2022 Në ora: 11:27
Kalosh Çeliku

Rastësisht të takova në rrugë

të kishin dëbuar nga Partia.

Urdhëro: unë s’jam Uolt Uitmani i madh

as miku im, Mirko Gashi - bohem.

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel

dhe me Ty do të pi verë.

Nëse të ka përzënë Nënë Partia

vogëlushe, Unë nuk të përzë...

(Vetëm Unë të pi me verë)

Ky Qytet është i çmendur

Mike oj! Që, të martuan me poezinë?!

E, më ndjekin mua si qentë

nga mëngjesi, në mëngjes.

Ky Qytet, do të di çdo gjë

nën cilën Urë kam bërë natë?!

Me cilën Mike pres e përcjell trena

për Ty, me cilin çmendesh në shtrat.

Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji

e mbi cilin varr sonte bëra dashuri...

(Qentë lehin në poezitë e mia)

Qentë tremben - lehin pas porte

Natën vonë kur dëgjojnë zgjimin e tyre.

Qentë lehin pas porte: në poezitë e mia...

(Dashuri mes prangave)

Për dashuri qemë të varfër

për një natë pa gjumë nën Urë:

për një Serenatë

për një aventurë...

Vërtet, është ky edhe një Mot i Madh

për ne të pagjumët, oj Mike!

Dashurinë e mbajmë gjallë në varr

mes plumbash e prangash me vite...

Frikën s’e dua

se nuk është e imja

Heshtni, në dhomë fle Poe dhe Anabel Li

vargjet e mia le t’i ëndërrojnë të pagjumët

një ditë do të vdes në shtratin e Lumit.

Frikën s’e dua se, nuk është e imja...

(nga Libri me poezi: Loja e syve, Shkup 1995).

(Ringjallja e Skënderbeut)

Erdha, t’ju shoh nga varret

Çka keni bërë pas kaq viteve:

A, jetoni ende në „liri“

Apo, ende e doni robërinë?!

Asgjë, s’paskeni bërë, o burra

Përveçse: librave me poezi.

Dhe, këngëve me çifteli...

(Vjellja e zorrëve)

Poetesha s’ka cigare

ia piu Rrospia Mashkull.

Ministri me Ambasadorin

ulen të hanë drekën

që ua paguan spiuni.

Përshëndeti, më thotë Piktori

sytë s’ti heqin nga malli!

Kush ua shalon Nënën Parti

palaçove në mizanskenë

vetëm në një shfaqje.

Unë jam gjithmonë në Teatër

publikisht u shpall dashuri.

Spiuni Kurvë lëpi buzët

Kukulla Femër ua mban gunat.

O Imzot, do t’i vjell zorrët...

(Diagnozë e rrospive)

Heu miqtë e mi, me një këmbë në varr

Trumbetoni se, jam kundër të gjithëve!

Në Unionin e viçave të palëpi

Me një torbë taxhi përqafe në Livadh.

Një krah kashtë në grazhd

Ma keni paraparë diagnozën:

Se, së shpejti do të çmendem.

Hi-hii-hiii... Viçat e mi - shkencëtarë

Që, s’ngopeni me barin mbi varr...

(Prostitucion me letërsinë)

Vështirë është sot të shkruash libra

edhe më vështirë t’i nxjerrësh në dritë

kur para s’ke as edhe për bukë.

E, kulturofagët t’i mohojnë vlerat

i shpërblejnë shkrimtarët e Oborrit.

Vështirë është sot të kesh edhe lexuesë

shkrimtarë që shkruajnë për Nesër,

kur haptas shiten recensionet

njëqind euro, ose dy tollumba...

(Nga Libri me poezi: Vjellja e zorrëve, Shkup1996)

(Luftë me Veten)

E lehtë: Është lufta me armikun

E vret. Ose, të vret.

Por, e rëndë është me Veten:

As të vret. As, mund ta vrasësh...

(Azil politik)

Qentë, kur m’u ndërsyen pas shpine

Vetëm për një asht - shpërblim.

E, kulturofagët - këlyshë me zgjebe

Ditënatë të Nënës Parti.

Unë Mike, ika nga Atdheu

Dhe, tek Ti kërkova azil politik...

(Policia letrare)

Cenzurkuqët më ndjekin se, jam Poet

Ndryshe, do më ndiqnin: lëvdatat, postet

nëpër redaksi që do m’i dhuronte Nëna Parti.

Shpërblimet letrare nga DoktorZiu

për servilizëm e spiunim në letërsi.

Policia letrare më ndjek - sharjet

kulturofagët e gjysmanalfabetët.

Pse, nuk i bashkohem Kopesë së tyre

me zgjebe nëpër çajtore e ëmbëltore.

Nuk shitem një recension - shpërblim

pse i zhvesh lakuriq pisat në libra

brez pas brezi pse e dua Atdheun...

(Kafshë e zbutur)

Dum Dumi është një kafshë e zbutur

që kullot në livadhet e Nënës Parti

e pi ujë në Hurdhë.

E tërheq qerren rrugës

e lidhin në grazhd

me një krah bar

ose një kovë taxhi.

Dum Dumi është një kafshë e zbutur

mëzat i tredhur.

Që, nuk i kërcen Lopës.

Dhe, kurrë nuk e thyen zgjedhën...

(Nga Libri me poezi: E përcolla Natën, Shkup 1998)

(Kush do më shpie në varr)

Gjithë natën e lume vras Veten:

Flakë më flakë mes librave. Shtamave me verë.

Në mëngjes, te pragu i derës e ringjallë.

Gjithë natën e lume vras Veten

E, s’ka njeri të më shpie në varr.

Doruntinën, motrën e vetme të gjakut

E martova pas shtatë male larg…

(U ngopa me “Liri”)

Nuk u ngopa me Natë

nuk u ngopa me Ditë

nuk u ngopa me libra

nuk u ngopa me verë

nuk u ngopa me dashuri

që bëj ta këndell.

U ngopa me Liri

Aqsa, më vjen ta vjell...

(Murosja e nuseve)

Edhe sot i varrosim të gjalla

nëpër këtë Qytet nuset.

Po, nuk ua lënë nga një gji

jashtë mureve për poetët...

(Edhe dje edhe sot opozitë)

Vitet ikin. E Unë edhe në “demokraci”

i kujtoj ditët kur botonim poezitë e para

te redaktorët censurëkuq nëpër redaksi

se si na rrinin me gërshërë mbi kokë

duke na i sakatuar vargjet pa mëshirë

shkaku, se: Ashtu e donte Nëna Parti.

Edhe e sotmja sa i ngjan të djeshmes

ndonjëri nga ju u bë shef në redaksi:

mori banesë nga Shteti, ndërtoi shtëpi.

Këlyshi i Buçës referent në Parti

Qeni deputet e Gomari në Ministri.

Po, ç’ngjan edhe sot me mua Poetin?!

Asgjë. Edhe dje, edhe sot opozitë...

(Kam jetuar si Poet)

Nesër mund të thoni plot gojën: E shanë

e ndoqën, i kurdisën linçe itelektuale:

e akuzuan si rebel, e përzunë nga puna.

E thirrën edhe në biseda informative

e ndanë nga gruaja e martuan pa dasëm:

herë me Miken Di, e herë me një lavire.

Megjithatë, sot mos t’ju vijë keq për mua

që në këtë luftë heroike kam hyrë vetë.

E kam ditur moti: Kë ta urrej e kë ta dua

Nuk kam jetuar si qyqe, por si një Poet...

(Nga Libri me poezi: Mbrëmë fjeta me Vjeshtën, Shkup 1999)

(Cuca Boheme është Partia ime politike)

Mbylleni gojën trusakatë! Heshtni

Kurrësesi nuk mund t’ju kuptoj!

Dje, sot… Dhe, nesër “patriotë”

Ehu! “Kuqezi” të Nënës Parti.

Mbylleni gojën! Heshtni

Dje, komunistë. Trusakatë.

Sot, “ballistë”. Trusakatë

Nesër: MUTA… Hale Oborri…

Cuca Boheme është Partia ime…

(Ngushtë për tu shtrirë)

E dëgjoj “Hej Xho” të Xhimi Hendriksit

Diskun që ma dhe Ti. Shpërblim:

Për mjeshtër në poezi. Dashuri.

Ngushtë për tu shtri në shrat

Dhe, kthehem vite më parë në “Gërmi”.

Dëshprohem. Nuk është ai Qytet

Ajo “Gërmi”. Edhe gratë azgane.

Që, natë e ditë më jepnin gji…

(Nënë zgjomë)

Nënë zgjomë! Trutë mi lulëzoi vera

Jam i keq. Dhe, gratë i dua!

Burrat s’më duan. As unë s’i dua

Vetë jam hajdut edhe kaçak.

Gjithë jetën kam vjedhur gra

Ditët i kam kaluar nën Rrap. Netët

Në Han me Ulkoja që hanin të gjallë.

Nënë zgjomë! Trutë m’i lulëzoi vera

Jam i keq. Dhe, gratë i dua!

Burrat s’më duan. As Unë s’i dua…

(Askushi më dha një trëndafil)

Pranverë. E kalova Natën në “Premiumi”

Mes shtamave me verë. Pagjumësisë.

Në mëngjes e pushtova Prishtinën në gjumë

Njeri të gjallë në rrugë. E përqafova një Buçë.

Hi-hii-hiii. Askushi më dha një trëndafil…

(Edhe një qiri për Lejdin Di)

Gjatë Netëve të poezizë korçare

E vizitova vendlindjen. Korçën.

Dhe, vendvdekjen. Voskopojën.

Hyra në kishë. I ndeza dy qirinj:

Një për Miken. Një për Cucën Boheme.

Paprtitmas, m’u afrua një poete azgane

E më tha: Me një qiri nuk ndizen o burrë

Më shumë se dy, përpara Shën Mërisë!

Plumb iu përgjigja: Unë jam Poet bohem

Lotët e Shën Mërisë nën Rrap i ngrej dolli.

Harrova të ndez edhe një qiri për Lejdin Di...

(Papagallët më mësojnë Mua si i dilet zot Atdheut)

Udhëtoj. Dhe, përditë e pi jetën verë

Përderisa politkanët jetojnë në dhjamë.

Trashin qafat e lidhura me kravata kuqezi

Unë kam vuajtur shumë. I vetmuar

Kam bredhur dhiareve me zemër të uritur.

Politikanët e tredhur. Ehu, papagallët

Më mësojnë ç’është demokracia. Liria:

Si shkruhet poezia. I dilet zot Atdheut...

(Në këtë Qytet burrat shiten me thasë)

Mike Di, Ti jeton pa burrë. Grua

Në një Qytet, ku burra ka me thasë.

E shiten lirë në “Bit – Pazar”.

Mike Di, Ti jeton pa burrë. Grua

Në një Qytet, ku burrat shiten me thasë...

(Nga Libri:Vdekja më deshi më pak se Ti, Shkup 2003)

(Skënderbeu)

(Me rastin e 600 vjetorit të lindjes )

Vështirë e ke sot, o burrë! Legjendar

Kur “patriotët” presin të ngritesh nga varri.

Hipësh kalit në shpinë. Nxjerrësh shpatën

E, t’i çlirosh nga “Liria”. Që sot e kanë varë

Përqafe si këmbonë kishe shqiptarët.

Dhe, “muslimanët” me: “Allahu Akber”

Nëpër Çajtore. Vite e shekuj. Dhe, Histori.

Vështirë e ke sot, o burrë. Legjendar

Që, në Shkup e fute shpatën në brez.

Dhe, nëpër përvjetore i rehabiliton melezët

Eksponentët e “vëllazërim - bashkimit“.

Vështirë e ke sot, o burrë. Legjendar

Luftë të bësh me komunistët e arratisur.

Hadumët e “vëllazërim - bashkimit“…

(Populli im është si lejlekët)

Populli im është si lejlekët. Flutoron në grupe

Ikin nga Dimri. Edhe fëmijtë i marrin me vete.

Në Pranverë kthehen. U dalin zot çerdheve

Nëpër oxhaqe me këngë. Brez pas brezi…

Populli im është si lejlekët. Edhe kur

Rrinë me një këmbë, ia thonë këngës…

(Atdheu ky burrë pa Grua)

Vitet e fundit kam filluar t’i dua armiqtë

E përjetshëm. E t’i urrej „miqtë“. Hadumët.

Që m’lëvdojnë para syve. Shajnë pas shpine

Buçës i lyhen prapa. E lehin në Atdhe.

E shesin veten për një post në Qeveri.

Vitet e fundit kam filluar t’i dua armiqtë,

Që më shajnë kudo. Mbajnë në gojë.

Gjumi nuk i zen nga librat e mi. Poezitë.

Jerm flasin. E hanë veten pasmesnate

Shkaku im. Atdheu ky burrë pa grua…

(Nga Libri me poezi: ATDHEU ky Burrë pa Grua, Shkup 2006).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat