Liria

Kultura

Liria

Nga: Kalosh Çeliku Më: 17 maj 2022 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

Ditë. Dielli dy shkopinj mbi Sharrin Plak në perëndim e kishte kapur në grusht Kryeqendrën kulturore të shqiptarëve, dhe Qytetin e dy Universiteteve. Matanë maleve kullosnin dhentë. Ujku në një përrua u kishte vënë pusi. Bariu i biente fyellit. Ama, ia kishte marrë një kënge, që gjithë Qytetin sikur donte ta zgjonte nga gjumi:

O çobani tatës, bre djal,

O çobani tatës, bre djal!

Holli dhentë kënë vathës. Medet-o

Haj, haaaj. Holli dhentë kënë vathës-o!

Vapë e madhe. Rrugët në zjarr. Shtëpitë. Qielli në flakë. Nguteshin njerëzit si pa kokë. Ecnin. Një Zot e di për ku, në lindje apo vdekje. Me dy e katër këmbë. Ndonjëri e hiqte veten edhe zvarrë nëpër bërllok. Lumi larg. Dielli larg. Liria edhe më larg matanё maleve…

- Hë, si të duket?! A ta mbusha syrin, që ta shkruajmë edhe librin e dytë: Gratë e mia besnike?! Më tha, Djemnusha me dy shtama verë të kuqe përpara mbi tavolinё.

- Nuk e di. Me siguri siç duket, edhe Ty të ka përzënë Partia. Të provojmë.

- Partia, po. Vetëm ti me siguri nuk do të më përzësh si ajo kurvë?!...

- Jo, vogëlushe. Unë nuk jam i keq si Nëna Parti me atë kope “patriotësh“ kuqezi, që vuajnë për Atdheun. E duan DoktorZiun…

Dhe, nisi lufta. Armët i nxorrëm nga brezi. Një Zot e di, sa viktima do të bien dëshmorë. Edhe tradhtarë. Spiunë. Patriotë të vonuar melezë... Hoxhallarë… Priftërinj… Imzot, me siguri do të ketë në këtë luftë heroike. Po. Edhe, secili më trim se i shoqi…

Dhe, herët në mëngjes në ora 6.00 me dt. 21 mars 2007, Ditën e pranverës më erdhi një mesazh në telefonin celular të xhepit:

O Zot! Ishalla e zbulon. Jo për të vazhduar bashkë. Por, më dhembë akuza e pabazë. Zot i madh, zbuloje atë njeri! Atëherë, do të të besoj pa kufi. Shpirt i gjyshes më ndihmo! Engjëlli im më mungon…

Shkup, 21 mars 2007

Dhe, në mëngjes u zgjova para Diellit. I fërkova sytë me duar, i bërtita Qiellit: Edhe unë jam i çmendur!…

- Hi-hii-hiii…

Im Atë, kurrë nuk pushoi së fantazuari për ta gjetur Lirinë…

- E gjeti?

- Punë përrallash. Ik, ore ëndërrime… Tashti e kuptova. Dhe, erdha në përfundim se, Liria qenka grua. Përmëkeq, një grua kurtizane, që me vite e shekuj i turremi përmbrapa ne shqiptarët. E kam fjalën për burrat. Gratë nuk i turren Lirisë. Shkaku se, nuk duan të jenë lezbejka të çmendura, në shtrat.

- Hi-hii-hiii… E ku e di ti se Liria nuk është lezbejkë?! Edhe atë, e çmendur përtej kufiri, që nuk e mban dot as kandari i Ҫajupit…

- Jo, nuk e di. Po, them kot se, nuk do t’i turreshin burrat me pushkë në dorë e kollanë me fishekë përqafe përmbrapa me ditë, muaj, vite e shekuj nëpër male…

- Po.

- Dhe, ende nuk e zuri asnjë burrë në livadh… Fushë… Ose, mal…

- Jo, nuk e zuri…

- Dhe, e di se pse, asnjë burrë, grua nuk e rrëzoi në shtrat?!...

- Edhe këtë nuk e di. Po, a e di se, shumë burra e gra nateditë e kanë ndjekur edhe maleve me armë në dorë?!…

- E di. Kalosh Zajazi me mauzerr në dorë e ndoqi maleve të Kërçovës, në Kosovë e Shqipëri. Sulltanë Qafa me gërshërë të dhenëve, te Pragu i Shtëpisë. Bajram Curri, përpak ia ngriti këmbët në hava pas një gardhi, në Shpellën e Dragobisë. Edhe Isë Boletini i vuri pusi me dy kobure në Londër… Azem Bejta, po të mos e kishte me vete Shotë Galicën, Nusen e maleve me siguri do ta rrëzonte pas ndonjë trungu lisi…

- Hi-hii-hiii… Dhe, përsëri shqiptarët nuk e rrëzuan në shtrat…

- Jo. Edhe sot e kësaj dite. Iu turrën përmbrapa me të gjitha armët: shpatë, pushkë, bomba e topa… U ka mbetur pa e provuar edhe armën e fundit, Kandarin e Ҫajupit… Dhe, dhashtë Zoti një ditë e kapin në dorë maleve edhe këtë armë historike!...

- Hi-hii- hiii… E, atëherë, Liria qenka kurvë?!... Buçë Katundi, që ku ta dimë ne me cilët kurvarë e lëvizë bishtin…

- Mundet. Tatëmadhja, njëherë i bëri edhe maxhi. E shkriu plumbin në një enë me ujë e eshtra… I fryu, në fytyrë…

- Dhe, përsëri nuk e zunë magjitë?!

- Jo.

- Atëherë, duhet bërë hajmali te Hoxha i Katundit, që një ditë fluturoi nga minarja…

- Jo, ore… Lirinë duhet dërguar te Baba Shehu, në Tyrbe t’ia hudhë këmishën e gjatë të mëndafshit me oja e tel mbi kokë.

E përzura Nusen me pashterkë të kuqe, dhe e mora Lirinë për grua. Nëna përsëri e rroku dajren te pragu i derës. Babai qiti pushkë në Lëmë. Edhe në këtë Shtëpi më në fund erdhi një grua azgane nga fisi, Liria… Zanë mali…

Një javë, fshehur nën hatulla e pastrova mauzerrin e Babait. Rripat i mbusha me fishekë. Bombat i futa nëpër xhepa.

Dera u hap, dhe hyri im Atë i armatosur deri më dhëmbë. U tremba. Thashë me vete: Tashti, pasi u zgjua nga varret, i ka ardhur te hunda me mua sugarin nga zemërimi, do të mi shkrepi të gjithë fishekët në lule të ballit...

Përçudi, buzëqeshi me ato mustaqe vesh më vesh. U ulë si gjithmonë në shkamin e vet me tri kambë, mbuluar me lëkurë dashi. Mauzerrin e mori në prehër.

- Dhe, më në fund erdhi edhe në këtë shtëpi Nusja e maleve… Liria...

- Po, baba. Ashtu thonë… Rrugë të gjatë bëri nëpër male…

- Edhe nëpër fusha… Dhe, e di sesi e gjeti rrugën mes atyre shkurrave?

- Jo, baba. Edhe sot e kësaj dite. Nuk e di nga cila anë zbriti maleve…

- Mendohu pak, o bir! E ke thënë shpesh mes atyre rreshtave, nëpër libra…

- Kot. Nuk ma pret mendja gjithë ditën, gjithë natën… Prit pak, mu kujtua: është Çelvjollca, mali që prek qiellin me kokë…

- Çelvjollca është pra, dhe dëgjoje këtë rrëfim deri në fund, po të duash fute edhe në libër! E di ti, o bir se kush ka qenë Kalosh Zajazi, emrin e të cilit e mban ti si shkrimtar… Sulltanë Qafa… Bajram Curri… Dhe, Azem Bejta - Galica?...

- Po, e di, baba. Kaçaku i maleve.

- E, Shotë Galica?...

- Edhe këtë e di: Nusja e maleve…

- Dhe, a e di se Azem Bejta, Shotën e mori me vete në male?

- Edhe këtë e di. Shkaku se i duhej grua edhe në male… E veshi edhe si burrë me tirqi e xhamadan… Kësulë të bardhë në kokë…

- E vërtetëtë. Po, po ta dinte Azem Galica, se: Shota do t’ia kalonte me trimëri në luftë, nuk do ta merrte me vete në malet e ashpëra me borë…

- Qindpërqind, baba. Burrat janë xhelozë ndaj grave...

- Mirë, ta zëmë se është ashtu siç thua ti shkrimtari… Po, nuk është ky qëllimi i ardhjes sime nga varret… Qëllimi im është, se: Sot, shqipëtarëve u duhet një Teutë mbretëreshë. E di ti se, kur shqiptarët kanë qenë shtet i fuqishëm në botë me të gjitha nishanet?!...

- Po, e di. Moti, në kohën e Ilirisë… Teuta kur ka qenë mbretëreshë…

- Ehu, biro! Shqipëtarëve u duhet mu ajo Teutë, e jo këto Teutat e sotshme kuqezi, dhe Skënderbegat që i keni ju nëpër parti politike vetëm për poste, kabinete në Qeveri…

Dhe, pasi e tha këtë u ngritë i zemruar, e hodhi mauzerrin në krah dhe ma përplasi derën, doli në Lëmë…

Matanë hekurave të dritareve, në errësirë i dëgjova njëra pas tjetrës, tri krisma pushke… Jehonën e tyre majë lisave, përmes Livadhit te Guri i Zi, në Çukë …

Dhe, lehjen e qenëve nëpër natë…

Nga romani: DJEMNUSHA, Shkup 2010).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat