Ndërroi jetë ajka e shkencës së gjuhës shqipe Prof. Dr. Remzi Nesimi

Kultura

Ndërroi jetë ajka e shkencës së gjuhës shqipe Prof. Dr. Remzi Nesimi

Nga: Sulejman Mehazi Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 07:09
Foto ilustrim

Lamtumirë profesori im i dashur, Remzi Nesimi!, mirupafshim në botën e përtejme parajsore ashtu sikurse ishit ju, e folmja dhe sjellja juaj parajsore. Për studentët ishe goja më e ëmbël e të folurit, profesori më i sjellshëm, shembull i intelektit,  urtësisë e dijes shkencore.

Sa edukator e ligjërues i mirë ishe, profesor, mjalt nga goja të dilte. Goja juaj e sheqerosur nuk na lejonte që, ne, studentë të vinim të papërgatitur  në lëndën e fonetikës, morfologjisë e sintaksës. Sa i mirë ishe, i pakrahasueshëm deri në ditën e fundit të jetës suaj, 4 shkurt 2018.

Ishte kohë e keqe profesor, kohë e trazirave, demostratave e dhunës shqiptare të viteve '80, mu atëherë kur ju ishit shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Shkup; atëherë kur ishte në pikëpyetje ekzistenca e Katedrës sonë Shqipe, pasi nga frika s'vinin të studionin te ju, shumica e studentëve shkonin në Shkollën e Lartë Pedagogjike duke menduar se s'ka perspektivë gjuha shqipe. Për fat, profesor, ata që atëherë na thonin s'ka perspektivë gjuha shqipe, pas shpërbërjes së Jugosllavisë u bënë prof.dr. e mbrojtës së gjuhës shqipe duke ligjëruar në Universitetin e Tetovës, Sa gëzoheshe kur vinim të regjistroheshim në Katedrën tuaj, mal të bëhej zemra! Ju vet m'i morët dokumentet për të më regjistruar, pasi s'dija ku është vendi i aplikimit.

Faleminderit profesor që mbajtët gjallë së bashku me profesorët tjerë: Petro Janurën, Xhevat Gegën, Shefqet Pllanën, Latif Mulakun e tje. Katedrën e Gjuhës Shqipe e Letërsisë në Shkup.

Zoti ju mëshiroftë profesor i dashur Remzi Nesimi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat