Flet këngëtari i Kosovës i prekur me Koronavirus, kjo është porosia e tij

Lajme

Flet këngëtari i Kosovës i prekur me Koronavirus, kjo është porosia e tij

Më: 22 mars 2020 Në ora: 11:25
Jetmir Hyseni, këngëtar me profesion

Jetmir Hyseni, këngëtar me profesion, ka vendosur të tregojë se është prekur me virusin korona. Ka thënë se po shpreson ta kalojë shpejt këtë sfidë me të cilën po përballen edhe shumë njerëz të tjerë.

31 vjeçari nga Bibaj e Ferizajt jeton në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë. S’kishte pasur mundësi fare të shkojë në fshat pasi ishte izoluar në Prishtinë në Qendrën e Studentëve.

“Pas kthimit tim nga Gjermania, ju nënshtrova procesit të kuarantinës si të gjithë bashkë udhëtarët e tjerë, dhe fatkeqësisht rezultatet e testimit për Covid-19 më dolën pozitiv. Gjatë tërë këtij procesi kam qëndruar në konviktin e studentave në Prishtinë”, ka treguar ai.

Image
Jetmir Hyseni

Deri tash në Kosovë janë prekur 31 persona me këtë virus, ndërsa një person ka vdekur sot.

Ai ka thënë se kishte shkuar në infektivë pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe pastaj rezultatet e analizave i kishin dalë pozitiv.

“Gjatë mbrëmjes së 20 Marsit, gjendje ime shëndetsore u perkeqesua dhe kerkova qe te dergohem në repartin infektiv të QKUKs. Falenderoj stafin mjekësor per përkujdesjen e tyre deri më tash dhe dua të ju informoj që gjendja ime shëndetsore momentalisht është stabile”, ka shtuar ai.

Këngëtari Jetmir Hyseni ka bërë thirrje të gjithë banorëve të Kosovës të kenë kujdes dhe t’i shtojnë masat parandaluese pasi ballafaqimi me COVID-19 nuk ishte i lehtë.

“Bëjë apel tek të gjithë qytetarët që ta marrin me seriozitet Covid-19 që tashmë është shpallur pandemi dhe që e gjithë bota eshte duke u ballafaquar më këtë fatëkeqsi. Ballafaqimi me simptomat e virusit Covid-19 nuk ishte aspak një përvojë e mirë dhe e lehtë per mua, kështu që ju lutem për të mirën e vetes suaj, familjarëve dhe shoqërisë që ju rrethojnë të keni kujdes të shtuar gjatë kësaj kohe”, ka shtuar Jetmiri.

Ai ka përsëritur se s’ka pasur asnjë kontakt me banorët e fshatit Bibaj ku e ka vendlindjen.

“Sqarim për bashkëvendasit e mi Bibaj-Ferizaj: Gjatë tërë këtij procesi kam qenë dhe ende jam i izoluar në repartin infektiv në Prishtinë dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me ndonjë qytetar nga Ferizaji apo Bibaj. Ju kërkoj falje për çdo shqetësim që mund të kem shkaktuar si pasoj e këtyre rrethanave”, ka treguar ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.  Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat