Libri i parë për një institucion të rëndësishëm të shtetit dhe të qytetarëve - Bota Sot
Libri i parë për një institucion të rëndësishëm të shtetit dhe të qytetarëve

Libra

Libri i parë për një institucion të rëndësishëm të shtetit dhe të qytetarëve

Nga: Hajdin Morina Më: 21 maj 2019 Në ora: 16:15
Kopertina e librit

Këto ditë, botuar nga SHB “Libri shkollor”- Prishtinë, fondit të librave pedagogjikë iu shtua një vepër e rëndësishme: “Roli i drejtorisë së arsimit në reformimin e shkollës dhe arsimit në Klinë 1999-2017” e autores Suzana Gjergji, zyrtare komunale e arsimit, MA e shkencave të pedagogjisë. Punën për realizimin e këtij libri autorja e ka filluar para disa vitesh kur filloi mbledhjen e materialeve dhe burimeve shkencore, hulumtimin dhe protokollet e vëzhgimit nëpër institucione edukativo-arsimore për të përgatitur temën për master të pedagogjisë, por këtë hulumtim të filluar autorja nuk e la me kaq, e përpunoi, e zgjeroi, e pasuroi duke u mbështetur në referenca, në literaturë pedagogjike dhe tjetër, në dokumente zyrtare jo vetëm të drejtorisë së arsimit të Klinës, në intervista dhe opinione të mësuesve, prindërve dhe ekspertëve të arsimit, por edhe duke dhënë vetë vlerësimin profesional dhe shkencor për materialet dhe burimet e konsultuara, për kushtet dhe rrethanat në të cilat u zhvillua procesi mësimor në vitet e pasluftës dhe deri në fund të vitit 2017 në komunën e Klinës. Ky botim është rezultat i vlershëm që ka dalë nga përkushtimi shkencor dhe metodologjik i autores, nga përvoja e saj e mirë në mësimdhënie dhe në administratën arsimore, por edhe duke u nisur nga këndvështrimi i perspektivës zhvillimore ndaj objektit të trajtimit, por edhe ndaj çështjeve dhe zhvillimeve të përgjithshme në arsimin e Klinës dhe përgjithësisht në Kosovë, duke bërë shpesh konstatime, krahasime të gjendjeve dhe të rezultateve, por duke dhënë edhe mendimin argumentues profesional, qasjen kritike dhe rrugën e zgjidhjes së problematikave të trajtuara dhe të krahasuara, në mënyrë që të rriten treguesit e performancës në fusha të ndryshme dhe të rëndësishme të procesit të përditshëm edukativ dhe arsimor si në mësimdhënie e nxënie, në fushën e vlerësimit sipas kurrikulës, në cilësinë e moduleve të kurrikulës me zgjedhje, në organizimin dhe në cilësinë e aktiviteteve jashtëkurrikulare, në ngritjen e shkallës dhe të kulturës së komunikimit dhe të bashkëpunimit të shkollës me familjen etj.

Pra vlerën e këtij botimi e shton vlerësimi objektiv i kontekstit dhe i situatave të këtij konteksti, mbështetur në përvojën e autores të nxjerrë jo vetëm nga praktika e institucioneve tona arsimore, por edhe nga njohja e potencialeve dhe resurseve njerëzore të këtyre institucioneve dhe të faktorëve të tjerë, të cilët me një përkushtim e koordinim më të mirë, me një entuziazëm, mbështetur edhe në komponentin e ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, mund ta tejkalojnë gjendjen ekzistuese, duke u bërë pjesë e një zhvillimi tjetër dhe e një perspektive dhe hapësire vërtet evropiane të të mësuarit dhe të realizimit të kompetencave, ashtu siç është paraparë në dokumentet zyrtare të kurrikulës bërthamë të MASHT-it dhe në dokumentet e në planifikimet e tjera.

Në fondin e botimeve të autorëve të komunës së Klinës dhe në fondin e botimeve të autorëve të tjerë ky libër është i pari për nga tematika që shtjellon dhe analizon, pra është i bari botim i kompletuar ku autorja  ka marrë për objekt trajtimi rolin e drejtorisë së arsimit në reformimin e shkollës dhe arsimit në Klinë gjatë viteve 1999-2017, periudhë kjo mjaft sfiduese, por edhe shumë e rëndësishme jo vetëm për arsimin në komunën e Klinës për të vënë bazat e një procesi arsimor të qëndrueshëm dhe të krahasueshëm me standardet evropiane dhe më gjerë, duke krijuar rrethanat dhe mundësitë për krijimin e mekanizmave adekuatë që do të përballen me ndryshimet e domosdoshme në arsim, pjesë e të cilit ndryshim janë hartimi dhe zbatimi i kurrikulave të reja, ndërtimi hapësirave standarde shkollore, ristrukturimi i niveleve të arsimit, trajnimi i vazhdueshëm i personelit mësimdhënës dhe i personelit tjetër të shkollave deri te analiza e gjendjes dhe krijimi i infrastrukturës së nevojshme për të shqyrtuar realisht interesin shoqëror dhe shtetëror që edhe arsimi ynë të bëhet objekt i qasjeve dhe i krahasimeve ndërkombëtare të arritjeve deri te pjesëmarrja në vlerësimin ndërkombëtar PISA më 2015 dhe 2018, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Europian (OECD) ku procesit të vlerësimit të jashtëm i nënshtrohen në shumë vende të botës nxënësit 15 vjeç në lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës për t’i matur aftësitë dhe shkathtësitë e tyre se sa mund ta përballojnë ndryshimin dhe pjesëmarrjen në zgjidhjen e problemeve konkrete që mund të hasin në jetën e përditshme. 

Trajtimi i një teme të tillë, kuptohet, ka qenë mjaft sfidues për autoren, sepse, përpos dokumenteve zyrtare të drejtorisë arsimore dhe të institucioneve të tjera edukativo-arsimore, nuk kishte asgjë të botuar për rolin, rëndësinë dhe veprimtarinë e drejtorisë arsimore të Klinës dhe për gjendjen, analizën, sfidat dhe perspektivat e arsimit në këtë komunë për vitet 1999-2017 që autorja i ka bërë objekt trajtimi të veprës së vet. Këto vështirësi reale autorja i tejkaloi duke shfrytëzuar maksimalisht dhe në tërësinë tyre dokumentet zyrtare të DKA-së, dokumentet dhe legjislacionin qeveritar, literaturën e përgjithshme si ndihmesë për të trajtuar dhe krahasuar të dhënat sipas metodologjive dhe arritjeve shkencore të kësaj fushe studimore, por edhe duke shfrytëzuar instrumente të ndryshme të hulumtimit, të intervistës, të vëzhgimit dhe të marrjes së opinionit nga faktorë të rëndësishëm që ishin ose janë pjesë e procesit dhe e përgjegjësive si dhe nga ata që kanë qenë pjesë të mekanizmit vendimmarrës dhe të planifikimit e hartimit të politikave të arsimit në nivel lokal. 

Për një zbatim të një metodologjie sa më të qëndrueshme gjatë përgatitjes së këtij botimi autorja ka shfrytëzuar edhe literaturë shkencore, arsimore dhe pedagogjike të autorëve të shkencës nacionale si: Halim Hyseni, Riza Brada, Hajrullah Koliqi, Bajram Shatri, Jonuz Salihaj, Dukagjin Popovci,  Asllan Krasniqi, pastaj botime dhe strategji të ndryshme të MASHT-it, statutin, rregullore, plane dhe strategji të komunës së Klinës si dhe botime të rëndësishme të Institutit Pedagogjik të Kosovës, të GIZ-it, KEC-it dhe dokumente e planifikime të ndryshme të organizatave kompetente në fushën e arsimit.

Drejtoria komunale e arsimit është institucion i pushtetit lokal që themelohet dhe funksionon sipas statutit të komunës dhe legjislacionit në fuqi, prandaj për ta trajtuar, vlerësuar dhe analizuar rolin dhe përgjegjësinë e këtij mekanizmi të pushtetit lokal autores i është dashur të ketë në tryezën  e punës edhe disa ligje dhe shumë udhëzime administrative të MASHT-it, por edhe të ministrive të tjera, që ndihmojnë dhe bëjnë përgjegjëse drejtoritë arsimore në punën e tyre të përditshme zyrtare, por edhe në raport me respektimin dhe avancimin e të drejtave dhe përgjegjësive të mësimdhënësve dhe të personelit tjetër që punon në institucionet e niveleve të ndryshme të arsimit parauniversitar, pa harruar atë që është kryesore: qasjen e drejtë, koordinimin, komunikimin efektiv dhe zhvillimin profesional të të gjithë atyre që zhvillojnë aktivitete për formimin e shumanshëm të nxënësit tonë, për zhvillimin  e të gjitha kapaciteteve të tij psikike e fizike në pajtueshmëri me dëshirat dhe kërkesat e prindërve, me qëllimet e ligjit të arsimit parauniversitar, me kërkesat e kurrrikulës së re të Republikës së Kosovës e cila ka për qëllim arsimimin, zhvillimin dhe formimin e nxënësit si qytetar aktiv në zhvillimet shoqërore dhe ekonomike sipas frymës së parimeve evropiane të të mësuarit, siç janë: gjithëpërfshirja, qytetaria demokratike dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës.  Në këtë drejtim duhet përkrahur qasjen kritike të autores që duhet të kuptohet si kërkesë drejtuar institucioneve kompetente për disa ndryshime të nevojshme në ligje, sidomos në harmonizimin e ligjeve që rregullojnë fushën e arsimit, sepse jo rrallë në veprimtaritë e DKA-së, sikur edhe në drejtori të tjera arsimore të Kosovës, janë krijuar praktika të palakmueshme dhe që kanë dëmtuar procesin, për shkak se zbatimi i një ligji është konstatuar si moszbatim i një ligji tjetër, pra për të njëjtin problem janë marrë vendime të ndryshme nga kompetentë të institucioneve ligjore në favor ose në dëm të drejtorisë arsimore.

Qëndrim të tillë autorja mban edhe ndaj disa udhëzimeve administrative të MASHT-it, të cilat duhen ndryshuar ose harmonizuar me udhëzime të tjera dhe me ligjet përkatëse, në mënyrë që të mos shkaktohen praktika dhe situata të palakmueshme që dëmtojnë procesin dhe avancimin e treguesve të cilësisë në institucionet edukativo-arsimore. Nisur nga parime të tilla, autorja ka bërë edhe vlerësimin e disa trajnimeve të zhvillimit profesional të mësimdhënësve, të cilat jo gjithmonë kanë qenë mirë të organizuara në aspektin e  tematikës dhe të përmbajtjes, duke mos e arritur kështu efektin në përmirësimin e  metodave dhe të praktikave të mësimdhënies, por, sigurisht, janë vlerësuar drejt trajnimet e disa institucioneve, mekanizmave dhe organizatave kompetente si: Ambasada amerikane, Ambasada franceze, USAID-i,  Instituti Pedagogjik i Kosovës, Projekti i binjakëzimit të MASHT-it me Finlandën dhe Austrinë, financuar nga BE-ja, Bit Kosova, GIZ-i, KEC-i, Save the children dhe ndonjë tjetër që me të vërtetë kanë ndihmuar dhe avancuar procesin e mësimdhënies dhe të cilësisë në institucionet edukativo-arsimore të komunës së Klinës.

Lexuesi nga ky libër do të marrë edhe shumë informacione të tjera të cilat është e pamundshme të jepen përmes natyrës dhe përmbajtjes së një shkrimi të tillë për këtë botim të autores Suzana Gjergji. Libri paraqet një mundësi të mirë për të njohur gjendjen e arsimit në komunën e Klinës në periudhën që trajtohet këtu në aspekte të ndryshme dhe gjerësisht të analizuara dhe të krahasuara në aspektin e infrastrukturës, të procesit mësimor, të vlerësimit, të bashkëpunimit me prindër e me institucione të tjera kompetente, të sfidave dhe të mospërshtatjeve e hezitimeve për t’u përballur dhe për ta ndihmuar ndryshimin në arsim dhe në zbatimin e kurrikulave, me qasje shpeshherë të ngutshme e pa argumente ndaj metodologjive të reja të mësimdhënies, por edhe ndaj disa përparësive dhe praktikave të mira të arsimit tonë tradicional në rrafshin nacional, sepse tradicionalja dhe bashkëkohorja çdoherë kanë çka i japin njëra-tjetrës, prandaj kjo vlen edhe për ndryshimet në arsim dhe hartimin e kurrikulave të reja.

Shkurt, ky libër i parë për temën që trajton, me vlerësimin e drejtë dhe qasjen kritike ndaj zhvillimeve në arsimin e Klinës gjatë viteve 1999-2017, me materialin gjuhësor dhe shtresat e tjera përshkruese, hulumtuese dhe analitike, me vizionin për perspektivat e arsimit jo vetëm të komunës së Klinës, pra ky botim do t’i qëndrojë kohës për shkak të një realizimi të tillë të formës dhe të përmbajtjes si dhe për shkak të përdorimit dhe të shfrytëzimit të nevojshëm e me masë të literaturës dhe të kritereve të tjera që duhen marrë parasysh kur shkruhen e botohen libra të këtij lloji.

Në fund, ky libër pedagogjik do t’u shërbejë si ndihmesë e mirë të gjithë atyre që janë drejtpërdrejt ose përmes formash të tjera të lidhur me arsimin, sepse pas leximit aktiv të tekstit do të kenë një informacion të vlefshëm dhe një analizë objektive të gjendjes në arsimin e Klinës gjatë viteve 1999-2017. Kurse studiuesve libri do t’u duhet për të bërë krahasime të fushave të ndryshme ndërmjet komunave të Republikës së Kosovës, por edhe për analiza të gjendjes dhe për planifikime e dokumente strategjike për avancimin  e gjendjes ekzistuese, për ndryshimin e praktikave në institucionet edukativo-arsimore dhe për perspektivat vërtet evropiane dhe bashkëkohore të arsimit tonë në këtë epokë kur bota po përjeton  zhvillime tejet sfiduese teknologjike, por edhe tensione politike dhe kriza sociale që po krijojnë përditë grupe shoqërore dhe qytetarë që kërkojnë nga arsimi zgjidhje dhe tejkalim të gjendjeve që pengojnë realizimin e të drejtave qytetare dhe zhvillimin e kapaciteteve të individit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...