Çfarë duhet të lexoni gjatë pushimeve, këta janë titujt e librave më të pëlqyer

Libra

Çfarë duhet të lexoni gjatë pushimeve, këta janë titujt e librave më të pëlqyer

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 06:59
Ilustrim

Libri që lexon i ngjan një bote që në shumicën e kohës të mungon në realitet, ndaj edhe gjithçka të serviret brenda një libri është një pasuri e tërë me ndjesi, imagjinatë e fantazi larg asaj që jeton zakonisht. Periudha e verës është koha kur të gjithë “gjejmë kohë” për të lexuar më shumë, por edhe këtu përzgjedhja e librave nuk është gjithmonë e thjeshtë. Disa ia lënë verës librat “e rëndë”, meqenëse nuk gjejnë aq shumë kohë gjatë vitit, ndërsa të tjerë kanë më shumë dëshirë që gjatë sezonit të nxehtë, një kohë kur përqendrimi nuk është në maksimumin e mundshëm, të kalojnë nëpër duar libra që shpesh i quajmë “limonadë”, me histori të ëmbla dashurie, pa mendime të thella e përjetime të forta.

Gjithsesi, në varësi të preferencave tuaja, këtu keni një listë me librat që mund të lexoni gjatë pushimeve. Për ju që ende nuk e keni bërë zgjedhjen, kjo është koha më e mirë.

  1. Dy librat e Margaret Atwood mbeten gjithmonë një variant mjaft i mirë për verën; “Rrëfenja e shërbëtores” dhe “Testamentet”.

Rrëfenja e shërbëtores

"Rrëfenja e shërbëtores", i vendosur në një shtet totalitar, të bazuar mbi kontrollin e trupit femëror, eksploron tematikën e nënshtrimit të femrës dhe të manipulimit të masave nga politika e etur për pushtet.

Efrediti, rrëfimtarja jonë, është një burim kombëtar. Vezoret e bëjnë atë një mall të çmuar, me një funksion të vetëm: riprodhimin. Por ajo nuk është riedukuar mirë, ajo mban mend disa detaje subversive të jetës së saj të mëparshme: të ëmën, bashkëshortin, fëmijën dhe emrin e saj; ajo mban mend se dikur gratë mund të punonin, të lexonin, të argëtoheshin; ajo mban mend lirinë.

"Rrëfenja e shërbëtores", botuar për herë të parë në 1985, përkthyer në shumë gjuhë, është shitur me miliona kopje në të gjithë botën, duke mos dalë kurrë nga qarkullimi. Njëkohësisht, vepra ka provokuar reagimet e masave, duke u kthyer në një manifest të feminizmit, por edhe duke u censuruar në shumë shkolla amerikane dhe duke ngritur polemika të shumta. "Nolite te bastardes carborundorum" dhe "Ka pyetje?", dy nga fjalitë qendrore të veprës, përdoren rëndom si slogane të luftës për emancipimin e femrës.

Testamentet

“Testamentet” është vijimi i shumëpritur i romanit “Rrëfenja e shërbëtores”. Në këtë vijim elektrizues, Margaret Atëood i përgjigjet pyetjes që ka torturuar lexuesit për dekada të tëra: Çfarë ndodhi me Efreditin? “Testamentet” vjen 35 vjet pas “Rrëfenjës”, por ngjarjet kohore në roman zhvillohen 15 vjet më vonë. Ndërkaq regjimi teokratik i Republikës së Galaadit ruan ende pushtetin e vet absolut, por disa shenja tregojnë se po kalbet nga brenda. Në këtë çast vendimtar, jetët e tri grave thellësisht të ndryshme nga njëra-tjetra shkrihen në një dhe përfundimi do të jetë një furi shpërthyese.

Dy prej tyre janë vajza të reja, rritur si pjesë e brezit të parë të formuar nën rendin e ri. Dejzi dhe Anjeza janë rritur në dy kampe të kundërta: Dejzi është vajza adoleshente, e rritur e lirë, në Kanada, ndërsa Anjeza, brenda Republikës së Galaadit, që përgatitet ditë pas dite se si të bëhet një Grua e volitshme për Komandantin me të cilin do ta martojnë…

2. Jeta e gënjeshtërt e të rriturve - Elena Ferrante

Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë njerëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten. Në çastet kur faji dhe turpi i kanosen ndërgjegjes, kur këto ndjenja tronditin bindjet tona më të thella për imazhin që kemi për veten, gënjeshtrat apo “përrallat e bukura” duket se na vijnë në ndihmë për të na mbrojtur nga përballja me realitetin. Rinia e trazuar, lidhjet familjare të rreme dhe mbytëse, dashuria, e vërteta lakuriqe, tradhtia dhe jo vetëm ajo bashkëshortore, miqësitë e sëmura, krizat e identitetit përbëjnë brumin mbi të cilin Ferrante sfidon mitin e familjes së lumtur dhe na shoqëron në këtë udhëtim të vështirë rritjeje.

3. Për të rritur, me pak erëza e piper, emri i Edmond Tupes vjen i pari.

Jehona ngacmimesh të çuditshme - Edmond Tupja

 “Jehona ngacmimesh të çuditshme” është vëllimi i tretë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. 41 skicat e shkruara ndër vite përshkruajnë situata subtile erotike, të cilat përmes gjuhës, alegorisë, simboleve dhe metaforave e shtyjnë lexuesin drejt fantazisë, rizgjimit të dëshirës e pasionit dhe gjithashtu drejt eksplorimit të mënyrave të reja për ta kuptuar dashurinë dhe erosin. Autori Edmond Tupja (1947) është përkthyes, publicist, leksikograf dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të mirë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Fjalor erotik i gjuhës shqipe”, “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.

4. Kush do aventurën, spiunazhin apo edhe të rrëmojë në jetën e shkrimtarëve të mëdhenj, ka një propozim tjetër interesant

‘Të padukshmet’ - Lara Prescott

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, dy vajza, në dukje më se të zakonshme, daktilografiste në CIA, zgjidhen mes shumë të tjerash dhe u besohet misioni më i lartë i jetës së tyre: të nxjerrin dorëshkrimin e romanit “Doktor Zhivago” nga Bashkimi Sovjetik, ku askush nuk guxon ta botojë, dhe të bëjnë të mundur që vepra madhore e Pasternakut të përhapet në të gjithë botën. Selli Forrester, joshëse dhe e sofistikuar, është një spiune eksperte që dhuntinë për mashtrim e ka përsosur përmes forcës së saj tërheqëse dhe hireve të mrekullueshme për t’u nxjerrë në shesh sekrete nga më të mëdhatë burrave të fuqishëm. Ndërsa Irina është krejt rishtare në këtë punë, por nën kujdesin e Sellit, mëson shumë shpejt si të fshihet e të bëhet e padukshme dhe të arrijë të nxjerrë jashtë vendit dokumente të rezervuara.

Sekretare që shndërrohen në spiune, mes dashurisë dhe detyrës, mes sakrificave – frymëzuar nga historia e vërtetë e komplotit të CIA-s për të depërtuar në zemrat dhe mendjet e Rusisë Sovjetike jo nëpërmjet propagandës, por përmes historisë më të madhe të dashurisë së shekullit XX: “Doktor Zhivagos”.

“Të padukshmet” është rrëfimi i një epoke të trazuar dhe i një aventure të jashtëzakonshme njerëzore, sentimentale dhe letrare. Homazh për një kohë kur “pandehnim se letërsia mund të ndryshonte rrjedhën e historisë”.

5. Kush dashuron librat klasikë, ata që mund të lexohen me një frymë në dimër e në verë, zgjidhje e këndshme në çdo stinë është:

Saga e familjes Maja - José Maria Eça de Queirós

Saga e familjes Maia është një klasik i letërsisë portugeze, më i njohuri i shkrimtarit portugez José Maria Eça de Queirós, botuar për herë të parë më 1888. Ngjarjet e romanit zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në të tregohen peripecitë e familjes aristokrate Maia në tri breza, deri te pinjolli më i fundit i saj. Afonso da Maia, një fisnik i kamur, që prej vitesh jetonte i vetmuar në një çiflig fshati, vendos përfundimisht të kthehet në Lisbonë, në shtëpinë e quajtur Ramaljetë (Shtëpia me gjethe), për hir të nipit të tij Karlosit, të sapodiplomuar në Mjekësi. Karlos da Maia, trashëgimtar i një prej dyerve më të mëdha aristokrate në Portugalinë e mesit të shekullit XIX, është i pasur, i pashëm, bujar e i zgjuar. Familja ka varur tek ai gjithë shpresat dhe ambiciet shoqërore. E shkuara e lavdishme dhe e tashmja e pakënaqshme bashkëjetojnë brenda tij gjatë gjithë kohës. Një dandy i suksesshëm, historia e dashurisë e së cilit me Maria Eduardën vë në lëvizje një sërë rastësish, që gërshetojnë në mënyrë kumbuese fatin e Karlosit me atë të të atit dhe përhapet në gjithë shoqërinë portugeze. Miqtë e Karlosit, që janë po ashtu bij fisnikësh, që enden nëpër kryeqytet në kërkim të kënaqësive, teksa filozofojnë, pinë, shkojnë kohën kot dhe ushqehen me ideale boshe për një Portugali të cilën do të donin ta shikonin në lartësinë e Francës apo të Anglisë, dëshmojnë më së mirë inferioritetin që ndiejnë para të huajve. Nga ana tjetër, dashuritë e tyre dhe të Karlosit në veçanti, që përfundon me një dashuri incestuoze për të motrën, rrisin ankthin e pritjes dhe e shndërrojnë romanin në një tragji-komedi.

6. Për spiunazh në nivele klasi

Spiuni që u kthye nga i ftohti - John Le Carré

Në orët e para të mëngjesit të 13 gushtit të vitit 1961, trupat e Gjermanisë Lindore mbyllën me tel gjembaç sektorët perëndimorë të Berlinit dhe i ndanë me një mur që nisi të ngrihej rishtas. Muri (germa nistore e madhe iu ngjit fjalës pothuaj aty për aty) do të qëndronte në këmbë plot 28 vjet e do të frymëzonte kërcënime të fuqishme ideologjike si vringëllimë kordhe, akte të panumërta heroizmi (që në të shumtën e rasteve rezultuan të kota), një simbol sintetizues për projekte filmike, si dhe një vepër të vyer letrare që i ka bërë vend vetes me popullaritetin e fituar. John le Carré ka thënë se ideja për “Spiunin që u kthye nga i ftohti” i lindi pasi shkoi enkas nga Boni për të parë Murin dhe, ç’është e vërteta, asnjë libër tjetër nuk rezulton të jetë i lidhur aq ngushtësisht me të – linja e rrëfimit të romanit nis e përfundon tek ai mur, ku krahët e shtrirë të Limasit s’mund të jenë veçse shëmbëlltyra ikonike e Luftës së Ftohtë.

Romani “Spiuni që u kthye nga i ftohti” i shkrimtarit britanik John Le Carré, botuar për herë të parë më 1963, është shndërruar tashmë në një klasik. Me njohuritë e tij të pakrahasueshme, mbledhur nga përvoja disavjeçare në radhët e Shërbimit të Fshehtë Britanik, Le Carré hedh dritë mbi marrëdhëniet e errëta të spiunazhit ndërkombëtar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

7. Për adoleshentët, 3 vëllimet e trilogjisë së gurëve të çmuar janë ndër librat më të pëlqyer:

“E kuqe rubini”, “Blu safiri”, “E gjelbër smeraldi”

“E gjelbër smeraldi” është vëllimi i tretë i trilogjisë së gurëve të çmuar: ai vjen pas “E kuqe rubini” dhe “Blu safiri”.

Kjo trilogji është bërë e famshme në të gjithë botën dhe është botuar në mbi 27 gjuhë, përfshirë gjermanisht, anglisht, kinezisht, çekisht, danisht, frëngjisht, greqisht, hungarisht, italisht, japonisht, holandisht, spanjisht etj. Vetëm në Gjermani janë shitur më shumë se 2 milionë kopje. Në Amerikë “E kuqe rubini” fitoi dhe çmimin “Libri më i mirë për të rinj” dhënë nga American Library Association.

Tashmë, Guendolina duhet të përmbushë fatin e saj, por askush nuk mund t’i thotë se çfarë duhet të bëjë. Qysh kur ka mësuar se ajo vetë është Rubini, anëtarja e fundit e Rrethit të të Dymbëdhjetëve që udhëtojnë në kohë, bashkë me Gideonin kanë kryer udhëtime të shumta në të shkuarën. Ata lidhen me anëtarë të humbur të Rrethit, me qëllim që t’u marrin kampionët e gjakut për t’i shtënë në kronograf, duke plotësuar kësisoj Rrethin dhe duke bërë të mundur realizimin e profecisë së fshehtë.

Ajo dyshon se themeluesi i Rrethit, Konti i Sent Zhermenit, po thur një plan djallëzor, por askush nuk i zë besë fjalës së saj. Nga ana tjetër, dëshpërimisht e dashuruar me Gideonin, Guendolina pandeh se ai po e shfrytëzon për qëllime të tjera të këqija.

“E gjelbër smeraldi” është përfundimi i jashtëzakonshëm e kësaj trilogjie, që nis aty ku janë ndërprerë ngjarjet e “Blu safirit”, duke arritur maja të reja intrigash dhe romantizmi, ndërsa Guendolina më së fundi, zbulon sekretet e shoqërisë së udhëtimit në kohë dhe mëson fatin e saj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat