Sokol Demaku sjellë për herë të parë në shqip, librin: I madhi Castriot me llagap Skënderbeu

Libra

Sokol Demaku sjellë për herë të parë në shqip, librin: I madhi Castriot me llagap Skënderbeu

Nga: Kadri Tarelli Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 22:16
Kopertina e librit

Në ditët e Panairit të Librit në Tiranë, 17-21 Nëntor, 2021, mes nesh: u ndodh Sokol Demaku, bir i Drenicës dardane, mërgimtar dhe banues prej disa vitesh në qytetin e tekstilit Borâs, Suedi. ai u mirëprit nga Viron Kona, Delo Isufi, Muhamet Cenko, Bashkim Saliasi dhe unë Kadri Tarelli, të gjithë punëtorë të letrave shqipe.

Sokoli është mësues, shkrimtar, poet, përkthyes i njohur, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, drejtues dhe botues i revistës “Dituria”, njëkohësisht i Radios dhe TV. Në gjuhën shqipe. Ai dallohet edhe si veprimtar dhe anëtar i shoqatave atdhetare që veprojnë fuqishëm në atë vend të adhuruar e të bekuar për qetësi, liri dhe demokraci. Sot ai ishte befasues, sepse na dhuroi veprën madhore historike,: “I madhi Castriot, me llagap SKËNDERBEU - Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”. Libri mban autorësinë e Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788.

Këtë libër, të gjetur, të përkthyer dhe të botuar në dy gjuhë, shqip-suedisht, nga vetë Sokoli, unë e quaj “Gur të çmuar” në kurorën e krijimtarisë së tij. Nuk besoj se e tejkaloj masën e lëvdimit, pasi kjo punë madhore dhe njëherazi fisnike, ka vlera të shumëfishta, letrare, historike, mësimore, dhe mbi të gjitha atdhetare e mbarë kombëtare.

Për Sokolin mjaftoi vetëm një shkëndijë drite, se dikur në Suedisht është botuar një libër mbi Skënderbeun. Po ku gjendet? Vetë Biblioteka Mbretërore në Stokholm kishte vetëm një kopje, që nuk mund ta nxirrte për përdorim, veç mund ta kopjonte. Sokoli falënderon punonjëset, që u treguan të gatshme për ta ndihmuar, duke e kopjuar me aparaturat moderne të kohës.

Gëzimi ishte i madh, por u fashit shpejt. Sokoli nuk e njihte suedishten e dyqind e tridhjetë viteve të shkuar. Është një lloj aventure, që vetëm një studiues kokëkrisur si Sokoli, që mund ta çonte deri në fund punën, për ëndrrën e madhe. U gjet edhe personi i duhur, Sven Esselius, që bëri “Përkthimin” dhe përshtatjen në suedishten e sotme. Edhe kjo një aventurë me vete.

Më në fund Sokoli kishte mundësi ta shqipëronte në shqip. Peripecitë e botimit nuk llogariten, pasi janë mundim i njohur i çdo krijuesi. Falë kësaj pune me mjaft ngarkesë, ne sot kemi në dorë librin, që i gëzohemi tej mase, sepse shikohet, njihet dhe preket nga shqiptarët për herë të parë, edhe një vepër e re, ndërsa për suedezët u rikthehet në vëmendje pas kaq vitesh i harruar.

Cilido që merret me histori, nuk çuditet me këtë gjetje, pasi herë pas here publikohen në shtyp apo në internet, shkrime, piktura, opera, poema krijime dhe libra, të vjetra dhe të rinj, nga shqiptarë dhe të huaj. Ne ndjehemi krenarë dhe nderim për kombin, ca më shumë Sokoli, sepse epoka, lavdia, fama dhe vepra e Skënderbeut, vazhdon të gjallojë edhe në ditët e sotme, edhe pas më shumë se pesëqind e pesëdhjetë vjetësh, që ai u nda nja jeta, nga shpata, nga lufta dhe mëmëdheu, për mbrojtjen e truallit arbëror.

Autori, Zannovich, Stephan, apo Stiepan, nuk na tregon ku është mbështetur, por nga mënyra e të shkruarit duket se është me mjaft kulturë dhe njohje historie. Vetë ky libër na flet në heshtje, se pavarësisht kohës goxha të ngjatë, të treqind vjetëve më pas, madhështia e veprës së Skënderbeut nuk ishte fashitur, por gjallonte madhërisht në rrethet letrare dhe artistike të kryeqendrave të Europës.

Nuk ka asnjë mëdyshje, se ishte vepra e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, midis viteve 1508-1510, që jo vetëm e bëri Barletin të famshëm, por ajo u bë edhe burim kryesor i një literature të gjerë, të shkruar në disa gjuhë të ndryshme dhe sot në shqip. Nga ajo vepër por edhe fakte e dokumente të tjerë, krijuesit, poetët, artistën dhe historianët morën frymëzimi e guxim, të ndriçonin figurën madhështore të kryetrimit shqiptar. Autori, njohës i disa gjuhëve, e plotëson kuadrin e figurës së heroit tonë edhe me të dhëna të tjera të kohës, që vijnë nga dokumente dhe libra të tjerë të shkruar, ashtu dhe nga ngjarje, ndodhi, rrëfime e histori të dëgjuara nga bashkëkohësit, duke i dhënë librit “fytyrën”, mendimin dhe individualitetin e tij.

Lexuesi, ashtu si unë, mund të shtrojë pyetje, pse citohen vetëm dokumentet të botës? Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, jep përgjigje shteruese, duke thënë: ”Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”. Unë shtoj, se edhe fqinjët tanë nuk janë kursyer të zhdukin dokumente që bëjnë fjalë për historinë shqiptare. Me këtë rast, unë po citoj studiuesin Nuri Dragoj, që shkruan: “Jepen urdhra të prerë: “Të digjet arkivi”….. “Ka pasur dokumente të çmuara edhe në Manastirin e “Shën Naumit”, i ndërtuar në shekullin XII-të, të cilat u shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Në këtë rast ata citojnë murgun Serafim, autor i këtij akti vandalizmi: “…Sa më ka kushtuar për t’i shkatërruar të gjitha këto! Por patriku më ka urdhëruar tri herë radhazi….”. Nuri Dragoj. “Shqiptarët dhe Grekët. Realitete historike”. Faqe 49.

Në libër, pavarësisht nga romantizmi, që jo rrallë herë përfshin edhe historianët, kur bëhet fjalë për figura të ndritura si Skënderbeu, që bënë epokë, ndaj nuk duhet të çuditemi kur ndeshim të tilla fjalë plot adhurim: “Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!...Çfarë modeli për mbretërit!”. Shkruan autori Zannovich Stephan.

Bindemi shpejt në këto vlerësime, mjafton të lexojmë:

“Gjergj Kastrioti kishte një ndërtim fizik trupi shumë të fortë. Njeriu mund të shihte kokën e tij të ngrihej mbi ushtarët e tij. Ai kishte një hundë shqiponje, lëkurë të bardhë të spërkatur me tone trëndafili, ballin e gjerë... Portreti që i ngjan më shumë, është ajo që kanë në Galerinë e Madhe në Toskana. Ai ka një mjekër të plotë, kryqin e Shën Gjonit, të cilin e mbarti me përkushtim dhe çizmet e verdha, që ishin zbukurimet e tij të zakonshme”.

Në të gjitha shkrimet historike, që nuk kanë reshtur prej shekujsh, lartësohet me fakte dhe dokumente roli dhe shembulli unik i prijësit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Besoj se mjaftojnë vetëm këto pak radhë: “Kjo mbështetje ishte aq e veçantë sa, në vitin 1457, Papa Calixtus III, e shpall Skënderbeun “Kapiten-Gjeneral të Selisë së Shenjtë, duke i dhënë atij edhe titullin “Atlet i Krishtit”... Madje ishte planifikuar që nga Papa Piu II, Gjergj Kastrioti të shpallej në mënyrë solemne mbret i Shqipërisë dhe udhëheqës i koalicionit të gjithë krishterë në mbrojtje të Evropës prej osmanëve”.

Nuk na befason edhe një fakt tjetër: Perandorët gjermanë e quajtën atë: “Shqiponja e gjallë ë krishterimit”. Faqe: 118

Cilido lexues i zellshëm, në përfundim të librit gjykon, se kjo vepër është një dëshmi më shumë për t’u thyer penën atyre që u duket vetja “origjinal” dhe hedhin baltë, apo vënë në dyshim emrin dhe veprën madhështore të heroit tonë. Mjafton të citojmë pak fjalë të thëna nga bashkëkohës dhe personalitete të botës, madje më bukur nga të gjithë të tjerët, nga kundërshtarët e tij të betuar:

“Mehmeti II, duke folur për Skënderbeun, u tha gjeneralëve të tij: “Unë do ta njoh gjithmonë Kastriotin në fytyrën e tij, por kurrë mbi supet e tij, sepse ai kurrë nuk më ka kthyer shpinën.”. faqe: 121.

Një vlerë tjetër e shtuar në faqet e librit, janë këshillat që Skënderbeu, në çastet e fundit të jetës së tij, i jep të birit Gjonit të vogël. Është një veprim i menduar mirë: Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar trim, guximtar, prijës popullor dhe burrë shteti, por edhe një prind shembullor dhe mbi të gjitha një njeri që luftoi për vendin e tij, duke dhënë prova për zgjuarsi, qëndrueshmëri, besë fjale, ndershmëri e drejtësi. Po rendis pak nga shumë të tjera:

. Në qoftë se nuk e largoni dhunën, mjerimin dhe shpifjen, përmes shembujve të mirë në veçanti, atëherë të gjitha urdhrat tuaja nuk do të shërbejnë asgjë, përveç rritjes së krimit dhe shpifjeve.

. Njeriu duhet të adhurojë e të kultivojë virtytin themelor të fronit. Virtyti nuk është qenie me hije.

. Nuk është madhësia e një vendi në ruajtjen e fronit, por aftësia e atij që ulet në të.

. Kur ti ke virtytet e një udhëheqësi besnik, lakatarët dhe të ligjtë largohen prej teje.

. Kur keni marrë në duart tuaja votëbesimin për qeverisje, kini kujdes drejtësinë, e cila është baza e të gjitha virtyteve

. Sigurohuni që kombi juaj të ketë edukatë për fenë, por mos persekutoni dhe mos detyroni askënd ta përvetësojë kundër vullnetit të tij.

. Dielli i cili është shëmbëllim i Perëndisë, shkëlqen pa asnjë dallim, si për turkun ashtu edhe për krishterin.

. Kushdo që ju këshillon të luftoni për kauzën e zotit është një mashtrues që dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për përfitimet e tij.

. Një njeri mosmirënjohës është më i përbuzur nga të gjitha qeniet.

Shumë nga këto fjalë të mençura, vendosur në gojën e kryetrimit, janë bërë pjesë e kujtesës dhe shpirtit tonë, si mësime të urta popullore. Çuditërisht shekujt nuk i kanë zbehur. Disa janë përmendur edhe në veprën e Marin Barletit. Madje kanë frymëzuar edhe artistë të arteve pamorë që të krijojnë vepra arti më vlera madhore.

Mund të përmend grupin skulpturor “Porosia e Skënderbeut”, Terrakotë, (Baltë e pjekur), nga artisti Hytbi Tarelli, dhuruar e vendosur në muzeun historik të qytetit të Lezhës.

Mrszhi: “Thuprat një nga një i thyen edhe një fëmijë, ndërsa po t’i bashkojmë nuk i thyen edhe burri më i fuqishëm?

Punë e vendosur në Muzeun e Lezhës

Jam i prirur të mendoj, se pak rëndësi ka ky frymëzim, krahasim apo ngjasim, ngjizur në frymën e kohës dhe që vazhdon ende e pranishme në botën shqiptare. E dobishme është dhe duhet të jetë që, në fare pak fletë, të përmblidhen të gjitha këto porosi, si një broshurë xhepi, apo doracak i vogël, që t’u jepet nxënësve tanë nëpër shkolla, pse jo edhe politikanëve tanë, që t’i kenë në tavolinat e punës së tyre.

Mirënjohje Sokol! Kjo vepër plot atdhetari e shqiptari e vlen mundimin tuaj. Është një zbulim që kërkon vëmendje, sepse solle në letrat shqipe një gur të çmuar, që plotëson literaturën e shkencave historike, mbi epokën e ndritur të Skënderbeut. Kjo na bën të ndjehemi krenarë, për t’u bashkuar më shumë drejt shqiptarizmit tonë.

Suksese në udhën e krijimtarisë, për vepra po kaq të bukura dhe me vlera.

Kadri Tarelli

Vjeshta e tretë. 2021.

Shënim:

Shkrimtari dhe studiuesi Viron Kona, në fund të një shkrimi të tij të hollësishëm, kushtuar këtij libri, vendos një shënim, që paraqet mjaft interes për lexuesin:

Nga kërkimet që ka bërë përkthyesi, z. Sokol Demaku, për të mësuar diçka më shumë rreth autorit të librit: “I madhi Castriot, me llagap Skënderbeu, Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, deri më sot del: Zannovich, Stephan ka lindur në Budva, “Shqipëria veneciane”, më 18 shkurt 1751, dhe ka vdekur në Amsterdam, Republika Hollandeze, 25 maj 1786. E kanë quajtur edhe me emrin Hanibal, ishte një shkrimtar i "Letrave Turke". Ai ka shkruar në italisht, frëngjisht, latinisht, gjermanisht dhe serbisht...

Giacomo Casanova e përmend Stefano Zannovich, i cili "bëri një vizitë në Vjenë nën aliat e Princit Castriotto d'Albanie”. Nën presionin e autoriteteve, ai u largua në fund të korrikut 1784, për në Poloni dhe, më vonë për Hollandë (Provincat e Bashkuara). Zannovich ka bërë një punë të madhe dhe me përkushtim rreth Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit kur ishte në Holandë dhe në Gjermani, pasi nxori në dritë librin e tij kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Është interesant se si erdhi libri i Zannovich në Suedi, të përkthehet nga Anders Zetterberg dhe të botohet në gjuhën suedeze, në vitin 1788, në Stockholm...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat