Monografia “Fajkoi i furtunës” - një libër përplot me sfida, dhimbje e me peripeci

Libra

Monografia “Fajkoi i furtunës” - një libër përplot me sfida, dhimbje e me peripeci

Nga: Zymer Mehani Më: 7 korrik 2022 Në ora: 16:52
Kopertina e librit

Libri monografik “Fajkoi i furtunës’’ (monografi për veprimtarin e poetin Fatmir Çitaku) është një libër rrëfyes për punën e tij përkushtuese në periudha të ndryshme, që nga vitet ’80 të shek. XX (kur kaloi nëpër ngjarjet dhe katrahurat e regjimit serb; në përndjekje dhe internime, por dhe nëpër kërcënime me jetë; me qëndrim në Perëndim etj).

Kthimi në atdhe, qëndrimi në burg, vuajtjet e peripetitë gjatë kthimit, për ta vazhduar rrugëtimin e lirisë në kohën e luftës, nuk i kishte të lehta t’i bënte, ngase maltretimet që i kishte pësuar nga milicia serbe, qysh nga viti 1981 i Pranverës Shqiptare, lenin për të kuptuar se vuajtjet njeriun po e bëkan më të fortë, ngase vërtet, si thotë populli, njeriu u kalitka në vuajtje e vështirësi!…

Duhet përmendur, veç të tjerave, edhe kontributi i Fatmir Çitakut (Kosovarit) dhënë refugjatëve kosovarë, ku edhe kërcënohet me rrezikim jete nga njerëz antikombëtarë e krejtësisht të zhveshur nga humaniteti, ngase ky po i pengonte vazhdimisht të përfitonin në kurriz të qindra dhe mijëra hallexhinjve refugjatë dhe në fatkeqësi të tyre….

Në vazhdimësi Fatmir Çitaku u bë mbështetës dhe përkrahës is ë mirës, is ë vërtetës, i njeriut të vuajtur e të pakrahë, ashtu siç u bë digë dhe mburojë i çdo të keqeje, i çdo anomalie, deformimi e hipokrizie kudo ku jetoi e veproi deri në vitin 2021.

Me kontributin e tij dhe të familjes, ai arrin të na e sjellë tërë këtë material (shkrime, dokumente e fotografi) për librin tonë, që përmbajnë në vete një histori të vërtetë e të përjetuar nëpër etapa të ndryshme kohore.

Ky është një liber monografik që përmban një historik të jetës së Fatmir Çitakut që nga vitet e hershme të rinisë, përplot sfida dhe përpjekje të pareshtura të tij për një ideal, duke qenë pjesëmarrës i përhershëm i demonstratave dhe i protestave gjithëpopullore për kërkim të lirisë. Disa herë ai u gjet në situata të papërshtatshme dhe madje edhe të rënda, por asnjëherë s’u ndal së kërkuari të drejtat për popullin tonë të shumëvuajtur dhe të robëruar.

Pra, në këtë libër, që i kushtohet Fatmir Çitakut ne do të gjejmë dromca vuajtjesh, përpjekjesh, largimesh nga shtëpia e vendlindja, por edhe maltretimesh e burgosjesh, deri te dëbimi i tij nga okupatori serb përtej kufirit (në Shqipëri), të cilin z. Çitaku e përjetoi si ngjarje tejet të rëndë në jetën e tij, ngase në prag të atij dëbimi, policia serbe e maltreton fzikisht, por edhe psiqikisht, ngase i tha se po e ta takonte edhe një herë, do ta vrisnin pa diskutim.

Edhe në Shqipëri Fatmiri u angazhua për t’u ndihmuar refugjatëve, duke e ndjekur nga prapa fati i zi, sepse do të hasë në probleme të njëpasnjëshme, sidomos nga disa persona të atij pseudokryetari të bashkisë së Novoselës, deri në kërcënim dhe përpjekje për ta likuiduar, vetëm e vetëm pse i ndihmonte refugjatët dhe i pengonte personat e pandërgjegjshëm që të keqpërdornin ndihmat që ishin të dedikuara për refugjatët, të cilat në shumicën e herave përfundonin nëpër depotë e atyre matrapazëve.

Gjatë bisedave të zhvilluara me F. Çitakun, ai në kujtimet e vet rrëfen ngjarje të ndryshme, kur ndjehej i drobitur e i lodhur nga andrallat që na shkakton jeta, por ai për çdo situatë e pati nga një zgjidhje, ngase vetë jeta e kishte kalitur që t’u përballonte sfidave të ndryshme. Edhe pse koha ikën e s’kthehet prapa, të paktën ajo na lë kujtime të hidhura apo të ëmbla, por z. Çitaku do të ketë kohë të pamjaftueshme për t’iu kthyer të kaluarës, ngase e presin projekte dhe punë të tjera në fushën e artit dhe të publicistikës, të cilat duhet t’i përmbyll.

Duke punuar gjithnjë me përkushtim dhe me pasion, ai po e kryen misionin e tij sa fisnik, po aq edhe atdhetar, për të shtrirë rrënjët në thellësi të shpirtrave njerëzorë, duke u dhuruar lexuesve të tij të shumtë perla të vërteta letrare e publicistiko-historike dhe duke zgjatur kësofare degët e krijimtarisë së tij deri në kaltërsitë e qiellit e të detrave të atdheut tonë. Ai shkruan për njerëzit e thjeshtë, për jetën, për dashurinë, për gjithçka që ndjen në frymëmarrjen e popullit të tij.

Çitaku padyshim, kryetemë prore e ka atdhetarinë, veprimtarinë e atdhetarëve, të intelektualëve, të mësuesve e të njerëzve të thjeshtë, por të brumosur e të gatitur krejtësisht në tabanin kombëtar. Gjithnjë me devotshmëri dhe me mjeshtri në krijimtarinë e tij do t’i pasqyrojë ato ngjarje e figura historike, që për kombin bënë shumëçka, prandaj ne kemi nevojë të ushqehemi me limfën e mendimit të tij krijues e publicistik.

Fatmir Çitaku duket një njeri i thjeshtë, ngase edhe është i tillë, por me veprat dhe me rrugëtimin e tij, ai po dëshmohet si një autor, poet e shkrimtar që shëron shpirtrat, i prirë prore për ta mbajtë lart idealin e lirisë dhe të së vërtetës. Ai zotëron fuqi të çuditshme magjike dhe mbi të gjitha ka një zemër vigani që i rektin në thellësi të kraharorit për të gjithë njerëzit dhe shqetësimet e kombit e të atdheut.

2.

U lind në Kosovë dhe jetoi më pak se gjysmën e jetës në vendlindjen e tij të bukur, aty ku nisi hapat e parë, ku eci mbi truallin e atëror për 30 vjet radhazi, nëpër vuajtje e mjerim, duke u rroptuar me regjimin dhe i përndjekjekur nga armiku shekullor.

Si gjithë shqiptarët, ashtu edhe ai me familjen e tij ishin prore të syrgjynosur e me plagët në trup nëpër kohë, duke i mbajtur nën lupën e vëzhgimit, të kërcënuar e të cënuar nga torturat e UDB-istëve serbë. E gjithë kjo katrahurë po ndodhte kundër tyre vetëm e vetëm se ishim shqiptarë dhe se e donim gjuhën amtare, doket e zakonet e popullit, apo pse e dëgjonin ndonjë këngë me motive atdhetare të ndonjë këngëtari të shquar nga Republika e Shqipërisë, siç ishte kënga ‘’Po i bjen era retë e zeza”, apo ndonjë tjetër, ku i këndohej heroizmit të Mic Sokolit, të Bajram Currit etj.

I ndiqnin e i burgosnin shqiptarët, duke i maltretuar dhe mbajtur nën trysni nëpër burgjet famkëqija serbe, ku shumë djem e burra shqiptarë vriteshin në ato kazamate, vetëm për faktin se ishin shqiptarë dhe pse kërkonin të ishin të lirë.

Internoheshin e ua humbnin edhe emrin shumë familjeve atdhedashëse shqiptare. Në shumë raste, autoritetet sillnin vetëm nndonjë letër te të afërmit e viktimave, ku thuhej shkurt e qartë se kanë vdekur, apo janë vetëvrarë. Pastaj i maltretonin edhe pjesëtarët tjerë të familjes, me preteksin se bijtë e bijat e tyre e kërkonin Kosovën Republikë!...

Ai fati i zi që solli retë e zeza mbi kombin shqiptar dhe mbi familjet shqiptare kishte filluar kaherë, por edhe te Fatmiri filluan të shtoheshin andrallat kundruall pushtetit okupues të Serbosllavisë qysh nga vitet ’80 të shek. XX, mu atëherë, kur ende s’e kishte shijuar pranverën e rinisë, kur ëndrronte se do të jetë i lumtur në shtëpinë e tij, kur varfëria po vështirësonte edhe më shumë jetën e shqiptarëve kudo që ata ishin. Por, edhe pse në varfërinë e thellë, prapë ishim ne shqiptarët, ata që kërkonim të ishim të lirë.

Skenaret e pushtuesve serbë s’po na lenin të lirë dekada me radhë, që i nxitnin shqiptarët për të shfaqur pakënaqësitë e veta, duke u hudhë në kryengritje e demostrata të njëpasnjëshme. Me fillimin e demonstratave masive, në vitin 1981, nisi Pranvera e Zgjimit, ngase studentët dhe populli mbarë filluan të kërkonin të drejtat për liri e demokraci.

Vitet ’80 të shek. XX filluan t’i lëkundin themelet e ish- Jugosllavisë federative dhe të Serbisë fashiste, sepse dora e gjatë e armikut kishte ngre pusinë kundër të gjithë atyre që kërkonin lirinë dhe tregonin haptas se nuk e donin armikun shekullor serb, i cili ishte pushtues mizor për Kosovën dhe shqiptarët.

Edhe Fatmiri ishte një nga të rinjtë, që u shpall i përndjekur dhe i padëshiruar për regjimin serb, që e solli në mjerimin e fatit të keq, i cili e dërgoi në nji rrugëtim të një jete përplot vuajtje, ngase u detyrua që t’i lërë të gjitha pas vetes, madje edhe familjen, po ashtu dhe ta lëshonte vendlindjen, ose të rrinte dhe të rrezikonte, ngase po të zihej, do të përfundonte nëpër qelitë e burgjeve të Serbisë, prej nga ndoshta edhe s’do të kthehej më kurrë. Po ashtu, edhe nëse do të zihej në Kosovë, ai do ta humbte edhe familjen, edhe vetveten

Ky vit (1981) i bashkoi shqiptarët anembanë, ku revolta gjithëpopullore e shqiptarëve kundër Federatës Jugosllave dhe Republikës së Serbisë ishte shuplakë e madhe.

Viti 1983 solli shumë ndryshime, që shkonin në disfavor të shqiptarëve. Në atë kohë, popullata u rreshtua në lëvizjen gjithëpopullore, në krye me studentët, në demonstrata dhe protesta kundër regjimit serb, ku u kërkua liria. Në mesin e demonstruesve ishte prezent edhe vetë Fatmiri .

Politika serbosllave me hijenat e veta s’po lente gur pa lëvizur, vetëm e vetëm t’i zbulonte shqiptarët (studentë, bujq, punëtorë, profesorë etj. etj) që ishin kundër shtetit serb. Hijenat sllave arritën të zbulojnë dhe të identifikojnë shumë të rinj e të reja, që kishin formuar edhe grupe për veprim, e që shumë nga ata që ishin udhëheqës të demonstratave u kapën nga spiunët e tradhtarët shqipfolës proserbë.

Me rënien e disa të rinjve në kurthën e tradhtisë, pritej që shumë syresh të arrestoheshin nga autoritetet, si dhe të burgoseshin. Loja e serbëve filloi furishëm dhe me dinakëri. Ata filluan me kërcnimet e me burgosjet, duke përdor lloj-lloj skenaresh, deri te përndjekjet e vrasjet edhe nëpër postat ushtarake dhe karakollet e Ushtrisë Jugosllave kundër çdo ushtaraku, kadeti a ushtari shqiptar, për të cilin dyshonin se po ushtronte “veprimtari armiqësore” me, apo pa fakte. Kësofare filluan kidnapimet e figurave publike, siç ishin profesorët universitarë, artistët etj., vetëm e vetëm për të dëmtuar sa më shumë substancën shqiptare në trojete tyre autoktone. Kështu, për çdo vit bëheshin skenare edhe më të vështira për shqiptarët. Zbuloheshin udhëheqësit e protestave e të demonstratave, që ishin të rinj e të reja studentë. Të njëjtin fat e pat edhe Fatmir Çitaku, që shumë shpejt mori lajmin se ishte zbuluar në fotografitë, që i kishin shkrepur spiunët e regjimit serb. Ai detyrohet të largohet nga vendlindja, mu në lulen e rinisë, atëherë kur veç sa e kishte kryer shkollën e mesme. Ëndërronte se do të kishte një jetë të lumtur, së bashku me familjen, në vendlindjen e tij të dashur, por fati s’i buzëqeshi, sepse lajmi nga xhaxhai i tij,i vije i prerë, që pa tjetër ai duhej të largohej nga shtëpia për njëfarë kohe.

Si i ri, e kishte tejet të vështirë të largohej, ngase s’e dinte fare se nga do të shkonte e ku do të përfundonte; ku do të gjente strehim. Mendonte se ku do të tretej, e aq më keq, ndonjëherë mendonte se a do të kthehej ndonjëherë në shtëpi.

Ashtu filloi rasti i tij, me andralla gjithfare, ngase ishte i pamundur qëndrimi në shtëpi, sepse pushtetmbajtësit serbë filluan ta përndiqnin rininë. Disa bashëkfshatarë e njerëz, me të cilët Fatmiri njihej, veç kishin filluar të arrestoheshin, ngase kishin qenë pjesëtarë të demonstratave, ku kërkonin të drejtat e tyre. Ishte e pashmangshme të shpëtonte ndonjëri, i cili gjendej në fotot, që përdoreshin si dëshmi se kishte qenë pjesëmarrës në demostrata.

Milicia serbe, aq shumë ka qenë dinake, saqë kishte arritur që edhe brenda çdo fshati t’i kishte njerëzit e vet. Me lojërat e skenaret e tyre, milicët arritën që t’i kidnaponin dhe arrestonin shumë të rinj e të reja, që pastaj i fusnin në qelitë e burgjeve serbe, gjë që shumë nga ata s’i lanë të ktheheshin gjallë në shtëpitë dhe në familjet e tyre, sepse s’mundën t’i përballonin torturat dhe vuajtjet në burg. Janë kthyer në arkivole të blinduara, në mënyrë që askush të mos i shohë trupat e tyre të sakatuar, duke mos pasur guximin t’i hapte e t’i shihte se çfarë kishte në ato arkivole.

Hapja e arkivoleve s’iu ka lejuar as familjarëve më të ngushtë, sepse ishte urdhër i prerë nga lart, që askush s’do të guxonte të bënte një gjë të tillë. Me një fjalë, mund të mos ishin në arkivole njerëzit e familjarëve, që i prisnin trupat e të afërmve të vet! Po ashtu, ka ndodhë që trupat e të vrarëve të mos gjendeshin kurrë, ngase nuk i lejonin familjarët për t’i hapur arkivolet. E tmerrshme do të ishte nëse milicia e atij regjimi do të kuptonte se ndonjë familje e ka hapur arkivolin. Atëherë, atë familje do ta përndiqnin dhe do ta maltretonin; do t’ia burgosnin meshkujt, si dhe s’do ta linin kurrë të qetë. Ndodhitë e tilla, tashmë ishin prezente te çdo familje shqiptare, andaj ajo gjendje i shtyri shumë meshkuj që të migronin e t’i lenin familjet e tyre në pritje se si do t’u hecën fati i tyre.

Edhe pse rrugëtimi i të rinjve shqiptarë s’u ndal kurrë, ata punuan e vepruan ilegalisht, pa u njohur shum në opinion. Ky fat i zi e përcolli edhe Fatmirin, që u detyrua të largohej, pa e ditur se nga do të shkonte. Vështirësitë që i hasi janë të panumërta, sepse si familje s’kishte kushte për t’u larguar në ndonjë shtet tjetër, edhe pse ishte e nevojshme për t’u larguar, së paku nga Kosova, në ndonjë republikë tjetër ish-jugosllave.

Ai edhe kur vinte në vendlindje, rrezikonte shumë. Qëndronte për ca ditë, apo ndoshta edhe për ca orë, ngase s’mund të rrinte larg familjes. Sa here që kthehej në vendlindje në kohën e demonstratave, asnjëherë s’guxonte të shkonte dhe ta kalonte natën në shtëpi, sepse vepronin shumë tradhtarë e spiunë, ashtu që duhej të ndërronte vendbanimin dhe shkonte te të afërmit, apo edhe të ikte prapë në kurbetin e hidhur.

Vitet iknin, e disa të rinj bredhnin rrugëve të kurbetit, nëpër vende të ndryshme të Europës, e po ashtu edhe të ish-Jugosllavisë.

Fatmiri , sa herë që ishte në Kosov, kurrë s’mungonte në asnjë demonstratë që mbahej. Gjithnjë e gjente kohën dhe mundësinë për të qenë në Kosovë, në kohën kur organizoheshin protesta e demonstrata.

Babai shpesh i thoshte:

-Mos, djali im, se shumë veta kanë rënë në burgje! –por ai ishte prezent në çdo demonstratë…

Viti 1987 ishte më i vështiri për Fatmirin, ngase atëherë i kanosej rreziku, pasi që dolën në shesh fotot e tij si pjesëmarrës i demonstratave masive të atij viti.

Në një bisedë të zhvilluar kohë më parë, Fatmirit i kujtohej fare mirë se ishte ditë e marte e muajit prill, kur në mbrëmjeiI kishte shkuar lajmi se me deomos duhet ta braktiste vendlindjen për një kohë, derisa të harrohej kërkesa e përndjekjes së tij, që bëhej nga milicia fashiste serbe. Ishte hera e dytë tashmë që Fatmirit po i gjendeshin fotot, me të cilat dëshmohej pjesëmarrja e tij nëpër demonstrata.

Po atë natë, në shtëpi i kishte shkuari xhaxhai i tij, me ç’rast i kishte kërkuari babait të Fatmirit, që i biri (Fatmiri ) sa më shpejt që t’ishte e mundur, të largohej brenda disa orësh, sepse për ndryshe, tërë familja do të përndiqej dhe do të ndodhte një masakër e paparë. Xhaxhai i kishte tërhequr fotot nga milicia përmes një shqiptari që punonte në SUP, por s’dihej se mos ato foto ishin edhe te dikush tjetër, në stacionin e milicisë së asaj kohe. Ishte afër mbrëmjes, ora 18.00, kur Fatmiri iu desht të largohej, njëherë nga shtëpia dhe pastaj të depërtonte disi në Prishtinë, e më pas, nga Prishtina të ikte për në Maqedoni të Veriut dhe nga atje, të udhëtonte me “Akropolis” për në Kroaci, që ishte strategji e tij për mosrënien në sy të policisë në Llap.

Në këto rrethana politike të disfavorshme për shqiptarët, autoritetet serbe po luanin një skenar me qëllim që t’i largonin të rinjtë nga Kosova, prandaj edhe s’pyesnin shumë për ta, ngase i donin shqiptarët jashtë Kosovës.

Ashtu u largua edhe Fatmir Çitaku, duke e braktisur vendlindjen e dashur, i bindur se prapë, një ditë, nëse do të ishte gjallë, do të kthehej në atdheun e tij.

Ai thoshte me mendjen e tij se po largohej nga vendi, duke lënë familjarë e njerëz të mirë, por Kosovën po e mirrte me vete si mall e dhembje dhe si amanet e dëshirë të flaktë për ta ndihmuar e për ta nderuar, mu ashtu, siç e ndihmon biri nënën.

Edhe pse u rrit në një varfëri të madhe, u poqa dh u urtësua para kohe. Po të ishte Lasgushi dëshmitar i andrallave të tij, do të mund të vjershëronte: ‘’Fluturoi edhe shtërgu i fundit’’

Le të shpresojmë dhe të punojmë që të mos ketë kurrë shtegtime drejt viseve të huaja, sepse atdheu dhe ky truall do të kenë nevojë për bijtë e tij.

Krejt në fund, ne po sjellim këtë libër, kushtuar rrugëtimit të tij dhe të së vërtetës, që përmban në vete ecejaket e gjithë kohërave, që nga viti 1981 e deri te vitet e pasluftës, nëpër të cilat kaluan vëllezërit dhe motrat e gjakut shqiptar, sikurse kaloi edhe vetë Fatmir Çitaku duke vepruar e kontribuuar për të drejtën dhe për lirinë e popullit tonë.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat