Shën Valentini - Dita e Dashurisë

Life style

Shën Valentini - Dita e Dashurisë

Nga: Beqir Sina - New York City Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 14:37
Ilustrim

NEW YORK: Sot ( e Ejte 14 Shkurt 2019) festa e Shën Valentinit festohet kudo si Dita e Shenjtë e Dashurisë. Por ftesa dhe fuqia e dashurisë që gjendet në mesazhin e Shën Valentinit duhet parë edhe në këndvështrime të tjera përveç asaj që nënkupton një marrëdhënie burrë-grua. Dashuria është Zoti vetë duke nënkuptuar njeriun, imazhi i Zotit. Dashuria kërkon solidaritet dhe paqe, unitet të familjes dhe krejt njerëzimit. Edhe kështu mund ta festojmë këtë ditë...

14 Shkurti është rasti tipik kur festohet një festë që, pavarësisht origjinës së paqartë apo të pasaktësuar nga historia, e forcon traditën çdo vit e më tepër. Lajmi më i vjetër nga Shën Valentini është një dokument zyrtar i Kishës në shek. V-VI, ku shkruhet data e tij e vdekjes. Edhe në shekullin e VIII, një tjetër dokument tregon disa të dhëna për martirin: torturat, prerja e kokës, varrosja dhe veprimet e despotëve Prokuli, Efebi dhe Apollon, martirizimi i mëvonshëm i tyre dhe varrosja. Zyrtarisht Shën Valentini ka lindur në Interamna Nahars, që sot njihet si Terni, në vitin 176 dhe vdiq në Romë më 14 shkurt 273. Ai ishte një peshkop roman i martirizuar. Valentini ia dedikoi jetën komunitetit të krishterë të qytetit të Ternit ku njiheshin persekutimet ndaj ndjekësve të Jezu Krishtit. Të tjera dokumente të shekullit VI thonë se Shën Valentini u bë i famshëm prej shenjtërisë së jetës që bënte, për bamirësitë dhe përulësinë, për mrekullitë që bëri, prej të cilave u ftua në Romë nga një farë Kratoni, orator grek e latin, për t’i shëruar të birin e sëmurë prej vitesh. Pasi djaloshi u shërua, Kratoni u konvertua në të krishterë, bashkë me familjen, dhe studiuesit grekë të letrave latine, Prokuli, Efebi dhe Apolloni. Shën Valentini është nga peshkopët e parë të Ternit që u shënjtërua nga Shën Feliciano, peshkop i Foligno-s, në vitin 197.

Shën Valentini konsiderohet si mbrojtës i të dashuruarve sepse legjenda thotë se ai ishte i pari religjoz që celebroi bashkimin e një legjionari pagan me një vajzë të krishterë. Thonë gjithashtu se një ditë, ndërsa shëtiste, Shën Valentini dëgjoi pranë një gardhi, dy të rinj, të fejuar, që ziheshin. Ai këputi një trëndafil dhe iu afrua çiftit, u dhuroi trëndafilin duke iu lutur të pajtoheshin. Valentini u lut që dashuria e tyre të ishte e përjetshme. Kështu grindja u mbyll dhe pas pak kohësh çifti i kërkoi Valentinit të bekonte martesën e tyre. Kur kjo histori u përhap, shumë njerëz filluan të vizitonin peshkopin e Ternit më 14 të çdo muaji, ditën dedikuar bekimeve. Më pas data u vendos vetëm për 14 shkurtin, sepse pikërisht me 14 shkurt të vitit 273 Shën Valentini vdiq.

Kulti

Shën Valentini u varros në varrezën e Bazilikës aktuale. E sigurta është se kjo varrezë ekzistonte më parë dhe ishte pagane. Në këtë zonë janë gjetur dokumente dhe objekte antike më të hershme se shek. IV-V. Më interesanti ndër to është sakrofagu i quajtur “rrjeshti i dëshmitarëve”, i shek.IV, aktualisht i ruajtur në Pallatin Carrara. Ky është sakrofagu tradicional paleokristian, skenë e jetës së Krishtit. Bazilika e parë u ndërtua në shek. IV, jashtë mureve të qytetit, në një zonë varrezash dhe sipër varrit të martirit. E shkatërruar nga barbarët bashkë me qytetin, bazilika u rindërtua në shekullin VII. Në këtë periudhë ajo iu besua benediktinëve. Në vitin 742 aty u zhvillua takimi historik mes Papa Zaharisë dhe mbretit të vjetër lombard, Liutprando. U zgjodh bazilika e Shën Valentinit sepse aty adhurohej figura e martirit, të cilit i atribuoheshin cilësi të mrekullueshme.

Njohja

Në vitin 1605, peshkopi Xhovani Antonio Onorati mori leje nga Papa Paolo V për të filluar kërkimet e trupit të Shenjtit. Ndërkaq në Romë kishin filluar prej kohësh kërkimet e martirëve të parë të Kishës, verifikimi i vërtetësisë dhe ekzistencës së tyre. Trupi i Shën Valentinit u vendos në një varr me mermer rozë, i zbukuruar me relieve. Koka ishte e ndarë nga trupi, çka vërtetonte mënyrën me të cilën ishte vrarë. Ai u dërgua në Katedrale sepse askush në qytet nuk donte që trupi i martirit të prehej në kishën mëmë. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Kongregacioni i Riteve, i cili ishte dakort që reliket të ishin objekt adhurimi për njerëzit pikërisht aty ku ishin varrosur. Kështu u vendos ndërtimi i Bazilikës së re. Punimet për ndërtimin e saj filluan në vitin 1606 dhe zgjatën disa vjet. Në vitin 1678 trupi i shenjtit u vendos aty ndërsa në vitin 1625 duka Leopold i Austrisë vizitoi Bazilikën dhe dhuroi fonde për ndërtimin e një altari më të madh mermeri, i cili përfundoi në vitin 1632. Pas altarit, i ndërtuar mbi varrin e Shën Valentinit, është vendosur kori me “rrëfimin” e tij dhe në qendër një kanavacë ovale, vepër e shekullit të XVII.

Legjenda

Thuhet se tentativa e Kishës katolike për t’i dhënë fund riteve popullore pagane që i bëheshin pjellorisë, është origjina e festës së të dashuruarve. Deri në shek. IV p.k. romanët paganë i bënin homazhe, me rituale të përvitshme, zotit Lupercus. Emrat e grave dhe burrave që adhuronin këtë zot viheshin në një urnë dhe përziheshin rastësisht. Një fëmijë zgjidhte disa çifte, të cilët përgjatë gjithë vitit jetonin bashkë, deri kur riti i fertilitetit mbyllej. Vitin tjetër, me fillimin e festimeve, rituali vazhdonte me të tjera çifte. Të vendosur për t’i dhënë fund kësaj praktike të vjetër, etrit e prekusorëve të Kishës kërkuan një Shenjt të “të dashuruarve” për ta zëvendësuar me Lupercus-n e çthurur. Kështu gjetën një kandidat me emrin Valentin, një peshkop, që ishte martirizuar rreth 200 vjet më parë.

Ajo çfarë tregohet për Shën Valentinin...

Në Romë, në vitin 270, peshkopi Valentin i Interamnas, mik i të rinjve të dashuruar, u ftua nga perandori i çmendur Claudio II, i cili u mundua t’i mbushte mendjen peshkopit që të hiqte dorë nga kjo iniciativë dhe të kthente sërish ritet pagane. Shën Valentini e refuzoi me dinjitet madhërinë e tij dhe me kujdes u mundua ta konvertonte Claudion II në të krishterë. Thuhet gjithashtu se ndërsa ishte në burg, në pritje të ekzekutimit, Shën Valentini ra në dashuri me vajzën e verbër të gardianit Asterius dhe falë fuqisë së tij i kishte kthyer mrekullisht shikimin. Pas kësaj ai kishte firmosur mesazhin e tij të lamtumirës: “I yti Valentin”, një frazë që jetoi gjatë edhe pas vdekjes së autorit.

Por si për çdo legjendë të trashëguar ndër shekuj, edhe kjo e Shën Valentinit ka disa variante. Kështu një tjetër legjendë thotë se i njëjti prift, Valentini, u quajt i dashur nga të gjithë për letrat e shumta dashamirëse që mori kur ishte në burg. Një tjetër Valentin ishte një peshkop italian në vitet 200, një kohë kur kisha po jetonte persekutime të mëdha. Detyra e tij ishte të ndihmonte të krishterët t’i shpëtonin persekutimit dhe t’u siguronte atyre rite si martesat, të cilat ishin të ndaluara nga Perandoria Romake. Ai u burgos pikërisht sepse udhëhiqte fshehurazi ceremoni martesash dhe për këtë, Valentini u dogj në turrën e druve. Thonë gjithashtu edhe se Shën Valentini adhuronte trëndafilat dhe lulet me aromë të mirë, të cilat ua dhuronte çifteve të fejuar duke iu uruar bashkim të lumtur.

Histori më të reja

Thuhet se Shën Valentini është zgjedhur si festa e të dashuruarve falë veprës së Geoffrey Chaucer (1343-1400), i cili në poemën “Parlamenti i zogjve” e lidh këtë ditë me fejesën e Rikardit II të Anglisë me Anën e Bohemisë. Në Francë dhe Angli besohej se në mes të shkurtit fillonte faza e çiftëzimit të zogjve, gjë që ndikoi në përcaktimin e 14 shkurtit si festën e të dashuruarve.

Festimet

Në Terni është themeluar fondacioni Shën Valentin që kujdeset për kultin e Shenjtit përgjatë gjithë muajit shkurt. Programohen aktivitete kulturore, arti dhe shkencore, spektakle dhe argëtim. Prej këtej ka lindur edhe shoqata “Shën Valentino Festival”, i promovuar nga komuna dhe dioqeza për organizimin e eventeve valentiniane edhe përgjatë pjesës tjetër të vitit.

Në vendet anglosaksone tradita karakteristike e festimit të Shën Valentinit është shkëmbimi (që nga shekulli XIX), i pusullave të dashurisë, “Valentine”, me simbole romantike (zemra, pëllumba, Kupid). Pusulla më e hershme i përket shekullit XV, e shkruar nga Charl Orleans, asokohe i mbyllur në Kullën e Londrës, pas humbjes së betejës së Agincourt (1415). Charl i drejtohet bashkëshortes me këto fjalë: “Jam i etur për dashuri, Valentina e ëmbël ti”. Në mes të viteve 800, në Shtetet e Bashkuara, Esther Howland filloi të prodhonte biletat e Shën Valentinit në mënyrë industriale. Me kalimin e kohës, tradita e pusullave të dashurisë kaloi në plan të dytë, krahasuar me shkëmbimin e kutive me çokollata, buqetave me lule dhe bizhuteritë.

Ndërsa në Gjermani të dashuruarit shkruajnë pusulla, blejnë dhurata, në përgjithësi jo shumë të shtrenjta, dhe lule për partnerin. Në Hollandë dhe Angli ka nga ata që dërgojnë pusulla pa emër. Në Japoni tradita thotë se janë vajzat ato që u dhurojnë kuti me çokollata djemve, edhe pse jo domosdoshmërisht të fejuarit. Vlejnë edhe për miqtë dhe kolegët. Dhe ndërkohë që burrat marrin çokollata për Shën Valentin, duhet ta kthejnë dhuratën duke u dhuruar grave çokollata të bardha një muaj më pas, pra me 14 mars. Në Spanjë, ditën e Shën Valentinit trëndafilat e kuq rrjedhin lumë. Në Shtetet e Bashkuara, Shën Valentini festohet nga të gjithë: edhe fëmijët shkëmbejnë pusulla duke përshkruar heronjtë e filmave vizatimorë.

Kuriozitete

-Femrat blejnë rreth 85 përqind të dhuratave për Shën Valentin.

-Dhurata më e bukur e Shën Valentinit është Taxh Mahali, i ndërtuar prej perandorit mysliman, Shah Xhahan, për nder të gruas së tij të vdekur.

-Çdo Shën Valentin, në Verona të Italisë, në ballkonin e Zhulietës dërgohen një mijë letra dashurie.

-220 mijë propozime për martesë bëhen zakonisht çdo Shën Valentin.

-Rreth 110 milionë trëndafila të kuq dhe një miliard çokollata shiten dhe dërgohen gjatë tri ditëve, para festimit të Shën Valentinit.

Lutja e të dashuruarve

Në zemrën time Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm; që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për atë që më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për atë që më rri përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo. Kështu duke filluar nga sot, shpirtrat tanë të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat