Studimi: Kemikalet që ndodhen në kozmetikë çojnë në vdekje të hershme

Life style

Studimi: Kemikalet që ndodhen në kozmetikë çojnë në vdekje të hershme

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

Ekspozimi ndaj një grupi sintetik të kemikaleve, të quajtura ftalate, mund të kontribuojë në rreth 100,000 vdekje të parakohshme çdo vit, në mesin e amerikanëve të moshuar, thotë një studim i ri i publikuar të martën në gazetën Environmental Pollution.

Ftalatet përdoren për të prodhuar materiale plastike më fleksibile, dhe mund të gjenden në qindra produkte, siç janë ato kozmetike, detergjente, paketime të ushqimeve, sapunë, shampo dhe produke të tjera.

Kemikalet janë të njohura për ndërhyrje në sistemin hormonal të trupit të njeriut.

Çrregullimet e sistemit endokrin janë lidhur me "probleme të zhvillimit, riprodhimit, trurit, imunitetit dhe probleme të tjera", sipas Institutit Kombëtar të Shkencave të Shëndetit Mjedisor.

Agjencia, megjithatë, vëren se vlerësimi i problemeve të mundshme shëndetësore te njerëzit që lidhen me ftalatet, ka qenë i vështirë pasi njerëzit janë të ekspozuar ndaj ndërprerësve të shumtë endokrin në të njëjtën kohë.

Mirëpo, studimi i ri i udhëhequr nga hulumtues të Universitetit të New Yorkut, Shkolla Grossman e Mjekësisë, vlerëson se ftalatet mund të jenë të lidhura me diku prej 91,000 deri në 107,000 vdekje të parakohshme të qytetarëve amerikanë, të moshave mes 55 dhe 64 vjeç.

Studimi ka vlerësuar, se vdekjet e tilla mund t’i kushtojnë shtetit mes 40 dhe 47 miliardë dollarë çdo vit.

Për të arritur deri te ky përfundim, hulumtuesit kanë analizuar të dhënat e më shumë se 5,000 të rriturve të moshave mes moshave 55 dhe 64 vjeç, mes viteve 2001 dhe 2010. Pjesëmarrësve u janë marrë mostrat e urinës për t’i matur nivelet e tyre të ftalateve.

Studimi gjeti se njerëzit që kishin nivel më të lartë të ftalateve, ishin më të predispozuar për vdekje të parakohshme, nga çfarëdo shkaku, e sidomos nga problemet me zemër.

“Gjetjet tona tregojnë se nivelet e larta të ftalateve janë të lidhura me vdekje të hershme, veçanërisht tek ata me sëmundje të zemrës”, ka deklaruar Leonardo Trasande, udhëheqës i studimit.

Hulumtimi ka theksuar nevojën për një studim më të thelluar në këtë drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat