Ostracizmi - përjashtimi nga grupi

Life style

Ostracizmi - përjashtimi nga grupi

Nga: Rudina Koromani Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 12:13
Ilustrim

24 vjet më parë1997, psikologu Kip Williams u angazhua me kolegët e tij të Universitetit të Toledos në një eksperiment…

Çdo ditë, për pesë ditë rradhazi, Williams varte rastësisht një "O" të kuqe të ndezur mbi derën e zyrës së dikujt, duke treguar se të tjerët në grup do të injoronin kolegun për atë ditë - pa folur, pa kontakt me sy, pa njohje.

Ata donin të shihnin nëse mund të mësonin diçka për ostracizmin, duke mbledhur të dhëna studimore. Eksperimenti i bëri të gjithë të ndjeheshin të mjerë, përfshirë ata që bënin izolimin.

Eksperimenti tregoi se sa të ndjeshëm janë njerëzit ndaj refuzimit shoqëror. “Nga një këndvështrim evolucionar, ka kuptim”,- thotë profesor Williams, tashmë një ekspert i njohur i ostracizmit :”Ne kemi evoluar në grupe shoqërore, dhe, si kafshët e tjera shoqërore, nga majmunët e deri te bletët, mbijetesa jonë varet nga përfshirja dhe pranimi. Grupet përdorin ostracizmin për të hequr anëtarët joproduktivë ose përçarës, kështu që anëtarët janë shumë të ndjeshëm ndaj zbulimit të ostracizmit në mënyrë që të mund të shpëtojnë pozitën e tyre shoqërore nëse u nevojitet”.

Por mënyra se si ne njerëzorët reagojmë ndaj ostracizmit dhe refuzimit social ndryshon nga kafshët.

Ne mund të bëhemi servilë dhe të përpiqemi të rregullojmë përçarjen. Mund të tërhiqemi. Ose mund të bëhemi të zemëruar dhe agresivë, siç është rasti i nxënësve që ndiheshin të refuzuar nga bashkëmoshatarët e tyre dhe u përfshinë në të shtënat në shkollë.

Megjithëse puna e Williams shqyrton në mënyrë specifike ostracizmin - një formë ekstreme e refuzimit shoqëror - studiues të tjerë kanë një pikëpamje më të gjerë, duke shqyrtuar të gjitha llojet e ndërveprimeve negative sociale, duke përfshirë ndarjet, ngacmimet, të qenit i fundit i zgjedhur për ekipin, ostracizmin në vëndin e punës, ostracizmi në grupet politike e kudo.

Përjashtimi i Berishës nga grupi politik i demokratëve, i paraprirë nga përjashtime të mëparshme të disa figurave qëndrore të saj është shembulli më i fundit lidhur me ostracizmin dhe efekteve shkatërruese qe pasojnë fenomenin. Agresioni verbal që po shoqëron fenomenin aktual në vendin tonë me shumë gjasa fsheh dhe agresion sjellor në luftën mes palëve të përjashtuara dhe grupeve që mbështesin përjashtimin.

Studimet mbi refuzimin social zbulojnë se njerëzit humbin ekuilibrin pasi janë lënë jashtë, kjo pasi njerëzit janë të motivuar nga një nevojë themelore për t'u përkitur. Kur kjo nevojë pengohet, njerëzit paguajnë një çmim psikologjik. Kuadri klinik sheh mjaft shqetësuese mprijen emocionale që ndodh me individët që kanë përjetuar ostracizmin, pasi fenomeni ndodh gjithmonë në mënyrë të papritur e të paparashikuar.

Fenomeni ka marrë një vëmendje të konsiderueshme në psikologjinë sociale në dekadat e fundit.

Provat eksperimentale sugjerojnë se reagimet psikologjike negative ndaj ostracizmit janë të fuqishme dhe të përhapura. Ostracizmi është përvojë tejet e dhimbshme për atë që e përjeton, pasi cënon katër nevoja themelore të individit: përkatësinë, vetëvlerësimin, kontrollin dhe ekzistencën kuptimplote.

Kur ostracizmi përjetohet në mënyrë kronike, individët priren të përgjigjen dhe të përballen duke u përpjekur të forcojnë nevojat e kërcënuara, ose duke u përpjekur të përmirësojnë statusin e tyre të përfshirjes: duke forcuar përkatësinë dhe vetëvlerësimin, duke qenë më të pëlqyeshëm, më të këndshëm dhe më të përulur njëkohësisht

e duke ushtruar më shumë kontroll dhe vëmendje: duke u bërë më provokues por ndonjëherë edhe më agresiv dhe të dhunshëm ose duke minimizuar rriskun për episode të mundshme të ostracizmit përmes kërkimit të vetmisë.

Ekspozimi i vazhdueshëm ose afatgjatë ndaj ostracizmit rezulton në ulje të përpjekjeve për të përballuar dhe shkallë më të lartë të tjetërsimit, depresionit, pafuqishmërisë dhe ndjesisë së të qënurit i padenjë.

Sot studjuesit mund të parashikojnë përmes studimit të faktorëve të rriskut dhe faktorëve mbështetës se si mund të jetë reagimi i dikujt që përvojon ostracizmin, por gjithsesi duhet kuptuar se dhimbja mund të lehtësohet nga morfina, por dhimbja e ostracizmit social nuk mund të hiqet … ajo thjesht tjetërsohet e del në forma nga më të paparashikuarat të cilat mund të dëmtojnë vet individin që e përvojon dhimbjen por mund të dëmtojë papritur ata që e kanë shkaktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat