Flisni me adoleshentët në çdo kohë

Life style

Flisni me adoleshentët në çdo kohë

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Adoleshenca është një fazë delikate e zhvillimit fizik dhe mendor të njeriut. Është periudha e moshës mes fazës së fëmijërisë dhe pjekurisë. Një adoleshent është një person pak a shumë mes moshës 13 dhe 19 vjeç, ku fillon të zhvillohet më dukshëm edhe mënyra seksuale, edhe pse është pak e vështirë për përcaktimin e moshës së saktë të adoleshencës.

Brenda perspektivave në fushën e psikologjisë, sociologjisë, filozofisë, historisë dhe edukimit, adoleshenca shikohet si një tranzicion mes pavarësisë dhe vartësisë, dhe më e rëndësishmja, përgatitja për të ardhmen e tyre që mes edukimit, arsimimit dhe këshillimit adekuat. Edhe pse një përcaktim i moshës së adoleshencës ndryshon varësisht nga kultura të ndryshme.

Konsiderimi i një moshë të pjekur gjithashtu ndryshon në shoqëritë e ndryshme mirëpo nuk përcaktohen vetëm përmes parimeve të shkruara dhe verbale – adoleshenca karakterizohet nga pavarësia nga figura autoritare, që ajo është nën kujdesin e tij apo të saj.

Aftësitë njohëse janë mahnitëse kur ka të bëjë me të menduarit rreth të menduarit në vetvete, kur fëmija vetëdijesohet se është adoleshent, mund të paraqesë fenomene të cilat janë të pritshme të ndodhin, sepse ato shërbejnë më mirë për vetëkontrollin. Kjo është e rëndësishme dhe për njohjen sociale, e cila është faktor i rëndësishëm për adoleshentin. Kjo fazë karakterizohet në atë që adoleshentët janë njerëz si unë dhe ju, dhe kuptojnë se njerëzit nuk kanë kontroll mbi aktivitetin e tyre mendor. Fëmija në atë moshë shndërrohet një makinë thithëse për akumulimin e informacioneve, prandaj duhet përkujdesur që burimet e informacioneve të jenë të sakta dhe të sigurta, duke mos e privuar nga mundësia të eksplorojë domenin e njohjes dhe dijes dhe si fazë e perspektivës, adoleshentët kuptojnë se mendimet e një individi mund të ndikojnë te një person tjetër pozitivisht dhe negativisht.

Shumë dimensionaliteti i tyre është i mbushur me ndryshime të shumta, ku bashkëpunimet ndërdisiplinore përqendrohen te zhvillimi sa më i shëndoshë i adoleshentit, në ndryshimet në marrëdhëniet me prindërit dhe bashkëmoshatarët, e cila paraqet një sfidë të vërtetë, sepse paraqiten dhe përplasjet mes brezave, kultura të ndryshme, modalitete të ndryshme të komunikimit. Duke u krahasuar më fëmijët e shkollës fillore, ata janë të prirur që t’u binden urdhrave, t’i pranojnë ato dhe autoritetin.

Një shembull që mund të ofroj, është me rrobat dhe aksesorët që veshim, si përvojë personale, duke ditur se ne femrat e kemi shumë problem se çfarë do të veshim dhe nga ana psikologjike është një stres shumë i madh. Në shkollën fillore isha një vajzë e bindur për shumë gjëra, ndër to dhe për rrobat që mami m’i përgatiste për t’i veshur në mëngjes dhe ndihesha shumë mirë, sepse mami ishte shumë e kënaqur. Me kalimin e kohës, duke menduar me ‘kokën’ time fillova të zgjidhja dhe të refuzoja: Jo atë, jo këtë. Nuk e vesh këtë se është e shëmtuar! Duke krijuar ato mosmarrëveshjet e vogla me mamin, sepse me babin isha dakord pothuajse për çdo gjë. Kjo është periudha moshore që tregon sesi t’i ikësh autoritetit pa të ndëshkuar apo qortuar.

te-rinj1Ata e kuptojnë se nëse rregullat ekzistojnë, janë sepse është një arsye që ato janë aty, por thonë dhe mendojnë që “rregullat janë bërë për t’u thyer” do thoshte nj adoleshent pak më ‘rebel’. Mirëpo kjo është shumë më ndryshe te një adoleshent, i cili i analizon rregullat dhe tregon momente të rezistencës. Periudha para adoleshencës paraqitet si pranueshmëri e rregullave dhe autoritetit dhe kjo i bën ata më të menaxhueshëm dhe dirigjueshëm kundrejt adoleshentëve dhe nëse besojnë që autoriteti është i vlefshëm, adoleshentët janë të prirur t’i kundërvihen.

Adoleshenca e përshkruar nga Piaget është si një fazë e jetës në të cilën individi mendimet e veta i drejton drejt një forme abstrakte dhe egocentrike, e cila i lejon personit të gjykojë në një perspektivë më kulminante. Idetë, konceptet janë definitive, sepse baza e krijuar ndikon në jetën e dikujt. Dhe formimi i personalitetit është me rëndësi. Nuk duhet të harrojmë se, karakteri është struktura skeletore ndërsa personaliteti është mishi, gjaku që e mbushin atë strukturë skeletore.

Mendimin konstruktiv Piaget e shpjegon me aspektin sasior të zhvillimit, duke ditur se aftësitë e adoleshentëve janë relative dhe kjo konsiston tek ajo që, sado që mund t’i bëjnë gabimet, ata mund t’i përmirësojnë ato dhe kjo është detyra jonë si të rritur që ata të mos bien pre e gabimeve trashanike, edhe pse kultura ndryshon nga mosha në moshë. Përpunimi i perspektivës se adoleshentit mund të paraqitet selektive, sepse procesi mund të ndalet te një stimul dhe kjo e pengon, duke e paraqitur si një ndalesë e pakalueshme për adoleshentin.

“Problemet në sjellje ndikojnë te mënyra e të menduarit te një person, sesi ata ndihen në vetvete dhe mënyra sesi i mendojnë gjërat. Problemi më i zakonshëm është depresioni, i cili shfaqet në disa lloje. Edhe mosha e re mund të ketë depresion, sepse mënyra sesi i shpreh ndjenjat nuk është e njëjtë si te një i rritur. Ajo gjithashtu është e rëndësishme në njohje sociale, duke rezultuar në rritjen e analizës së vetvetes.

Nëpërmjet përvojës jashtë rrethit familjar, ata kanë mësuar se rregullat janë absolute, por në fakt janë relativiste. Përvoja apo aspekti empirik luan rol kyç, sepse rrit kapacitetin për njohuri. Normativa e tyre varion nga një adoleshent te një tjetër. Rreziku që paraqitet në moshën e adoleshencës është më delikat se në moshat e hershme, sepse paraqesin sjellje të rrezikshme (aksidente me makinë, seksi i pambrojtur, vandalizmi, vjedhje, alkooli, substancat narkotike etj.) Një lloj eksplorimi negativ që për ta paraqitet në formën më të keqe. Kjo ndikon në formimin e identitetit të tyre apo nëse e përshkruajmë si zhvillim i njëjësisë që formësohet, që nuk duhet të humbasë vetërespekti.

Në të njëjtën kohë, aftësitë për të konsideruar ndërgjegjësimin e të tjerëve, mendimet, gjykimet, pasqyrohet më një nivel të lartë të vetëdijes, si rrjedhojë, adoleshentet pësojnë ndryshime radikale në perceptimin e vetës. Nëse është fizik shndërrohet në vlera në mendime dhe opinione. Duke eksploruar, ai mund të refuzojë cilësitë që përpiqet për të drejtuar veten drejt një ideali të përsosur.

Në mjedisin e adoleshentëve nuk kërkohet pjesëmarrja në vendime familjare edhe pse ata janë të aftë për një gjykim të tillë, mirëpo kjo ndikon paksa negativisht tek ata, sepse ushtron trysni dhe presion. Edhe pse nuk kërkohet mendimi i adoleshentëve në vendimmarrjen e familjes, ky paragjykim bie poshtë në ditët e sotme, sepse së paku është të dëgjojmë opinionin e tyre për çështje ku ata mund të përfshihen apo janë të përfshirë.

Një gjë të tillë e kemi shumë të shprehur në familjet tona, që pak e nga pak po zëvendësohet, sepse vihet në pikëpyetje vetëvlerësimi që kanë, i cili luan tek të rinjtë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet shoqërore që mund të ndërtojnë me të tjerët, në familje, shoqëri, në ambiente ku ata frekuentojnë rregullisht. Hayns referon se, meshkujt komunikimin dhe frekuentimin e tyre social e zhvillojnë përmes aktiviteteve të përbashkëta, femrat ketë praktikë e zhvillojnë përmes komunikimit verbal, duke qenë shumë të prira për “muhabete mes shoqeve”.

Duke e analizuar këtë fenomen, vihet në pah aktiviteti fizik me atë gojor, veprimtaria me rëndësinë e fjalës. Fenomeni që na shqetëson më së shumti si shoqëri në ditët e sotme është qasja e adoleshentëve ndaj masmediave dhe internetit, shfrytëzimi i aparateve elektronike dhe mençuria e tyre sjell një kthesë të rëndësishme në mënyrën e rritjes së adoleshentit dhe këshillimit të tij\saj. Si rezultat që ata kalojnë shumicën e kohës, ekspozimi ndaj rrezikut është me i lartë, duke dobësuar aktivitetin psikofizik të tyre, sepse ndikon në zhvillimin social të adoleshentëve dhe në keqfunksionimin e tyre ku gjithashtu zhvillon një përtaci të madhe tek ata.

Duke qenë të ekspozuar ndaj fenomeneve të tilla, praktikisht lindin metoda të reja të trajtimit të tyre, sepse gjëja më e rëndësishme është që, adoleshenti të ruajë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin.

Reflektime për çështje të ndryshme na dërgojnë në ngritjen e shumë pyetjeve, që shumicës prej tyre nuk mund t’u japim përgjigje, sepse ose nuk kemi përvojën e duhur ose na mungon bagazhi me informacione. Mirëpo, atë që nuk mund të harrojmë është fëmijëria dhe adoleshenca, si përvojë e pashlyeshme empirike në kujtesën tonë. Ashtu si ndryshon kultura nga kultura, ndryshon dhe koha nga koha, e për pasojë përjetimin dhe zhvillimin e adoleshencës, sepse koha është relative dhe kjo vjen në përmirësimin e saj përsa i përket situatave të caktuara. Në rastin tonë, ndryshe është konceptuar një këshillë për adoleshentin para 10 apo 20 viteve dhe ndryshe ndodh në ditët e sotme, sepse nuk jemi ne që vendosim për kohën, mirëpo është koha që na sjell në vorbullën e saj. Në praktika të ndryshme mund të them se, ne ishim më të mbyllur dhe me të shtypur. Ndaj me plot bindje them që, rrëfimi dhe inkurajimi është vlera më e madhe që mund t’i ofrohet një adoleshenti, ndaj kjo nuk duhet mohuar.

“Flisni me adoleshentët” është slogani dhe detyra jonë si prindër, si shoqëri, por edhe si punonjës të shëndetit mendor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat