“Zaev në stilin e Gligorovit ndaj shqiptarëve e nisi ardhjen në politikë” - Bota Sot
“Zaev në stilin e Gligorovit ndaj shqiptarëve e nisi ardhjen në politikë”

Maqedonia

“Zaev në stilin e Gligorovit ndaj shqiptarëve e nisi ardhjen në politikë”

Nga: N.H Më: 6 janar 2019 Në ora: 23:02
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, bën lëvizjet sipas porosive të atyre që i lëvizin telat prapa shpinës së tij, kështu ka deklaruar opinionisti Nijazi Muhamedi.

Sipas tij, i pari i qeverisë maqedonase në stilin e Gligorovit ndaj shqiptarëve e nisi ardhjen e tij në politikë dhe naivisht pati shpresë, dhe ende ka.

“Zaev i bën lëvizjet sipas porosive të atyre që i lëvizin telat prapa shpinës së tij, këshilltarëve të vet, disa nga të cilët nga partia e tij janë nga ata që dolën nga mënga e Gligorovit dhe e mësuan marifetin e manipulimit me udhëheqësit politik të shqiptarëve, por edhe mësuan edhe dobësitë morale se ku zakonisht mund të thyhen ata më lehtë për ta çuar ata "në mënyrë demokratike" ujin e vullnetit shqiptar në mullirin e injorimit maqedonas ndaj legjitimitetit të dinjitetit kolektiv shqiptar”.

“Zaev, pra, pikërisht në stilin e Gligorovit ndaj shqiptarëve e nisi ardhjen e tij në politikë dhe naivisht pati shpresë, dhe ende ka, se edhe hapjen e mbarimin e ndryshimeve kushtetuese do kalonte si "formulën magjike manipuluese të Gligorovit", i cili bile, si tregon edhe vetë ndonjë ish këshilltar i vet, si ekspert i së drejtës kushtetuese, në ndonjë pikë nuk ka guxuar t'i shkelë shqiptarët me arrogancë të hapur, sikur tash Zaev që e ka hapur ta zgjidhë herë me dredhi, herë kokëfortësi ose me presion nga jashtë, çështjen e shtetësisë së etnicizuar maqedonase, po edhe dy aspekte të tjera politiko-linguistike që Maqedoninë e tij Veriore e ridefinojnë nga brenda si shtet etnik ekskluziv të maqedonasve, që ekspertët e tij e kanë bërë duke formuluar draft-amendamentet përtej suazës së rekomanduar nga Marrëveshja e Prespës, ose duke bërë edhe një hap bile skandaloz dhe flagrant, duke formuluar edhe një amendament shtesë mbi ridefinimin arbitrar të Maqedonisë veriore si shtet ekskluzivisht të identitetit maqedonas,duke marrë për arketip kushtetues Ligjin për mbrojtjen e shtet-kombit izraelit si shtet ekskluziv të popullit ebre të Njetanjahut”, tha Muhamedi.

Analisti i njohur shton se në përpjekje për ta kontrabanduar këtë amendament si pjesë e pashkëputur e MP, Zaev provoi t'ua hedhë shqiptarëve paq e me pak kundërshtime, duke u nxjerrë debate kotni.

Image
Nijazi Muhamedi

“Në përpjekje për ta kontrabanduar këtë amendament si pjesë e pashkëputur e MP, ai provoi t'ua hedhë shqiptarëve paq e me pak kundërshtime, duke u nxjerrë debate kotni mbi "jetën për të gjithë" pas integrimit në NATO dhe UE, por edhe duke injoruar edhe amendamentet e shqiptarëve. Duke besuar në mënyrë injorante se votën e partive shqiptare e ka si pulën në tra, ai edhe debatin publik e bëri sa për sy e faqe ndër shqiptarët dhe me aktorë kukulla të shoqërisë civile dhe "akademike", krejt me besimin e verbër prap se do funksionojë edhe lidhja tinëzare e kabinetit të tij me Tiranën, dhe do t'ia vinte kapakun dredhisë politike të tij”, thotë analisti politik.

Ai thotë se thirrja e kryeministrit të Maqedonisë drejtuar Kasamit, për njohësit e paanshëm dhe që kanë ndjekur veprimet dredharake të Zaevit, ishte si një diçka që mund të funksionojë mirë në lidhjen tinëzare me Tiranën.

“Por, thirrja e tij drejtuar Kasamit, për njohësit e paanshëm dhe që kanë ndjekur veprimet dredharake të Zaevit, ishte një indicie se diçka ka mundur të funksionojë mirë lidhja tinëzare me Tiranën, si shumë herë Gligorovit dhe si disa herë ky dhe se ulja në tryezë "negocimi" formal me njërin nga përfaqësuesit e shqiptarëve që "e kish menduar se do ta ketë në tra si pula bashkë me të tjerët, sikundër i doli puna me Bilall Kasamin e" Besës", i doli e pashmangshme. Ky takim mandej sikur e ka esëlluar pak se jo e ka patur me gabim t'i fusë gjithë më një thes dhe gabim edhe besimin manipulues se gjithë punën me shqiptarit, në fund të ritualeve politiko-demokratike manipuluese me shqiptarët do ta mbarojë me tinëzarit telefonike me Tiranën”, ka thënë ai.

Krejt në fund, ai nënvizon se lëvizja taktike e Zaevit me Bilall Kasamin do të bëhet e qartë pas të martës.

“Ndërkaq, ai poashtu ka të ngjarë që ka nuhatur se afrimi i disa figurave të diasporës shqiptare në Amerikë për të mbështetur amendamentet shqiptare përmes opozitës shqiptare mund të jetë shenjë e një vendosmërie shqiptare, e cila nuk ka mundur të injorohet me aq lehtësi ta kollajshme. Si do mbarojë kjo lëvizje taktike e Zaevit me Bilall Kasamin punët do jenë të qarta pas të martës, pasi Zaev mori tash një ndërmjet kohë që të reflektojë pak më ndryshe, e jo të mashtrojë gjithherë ndryshe në raport me përfaqësuesit politik të shqiptarëve”, ka përfunduar analisti politik, Nijazi Muhamedi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...