Reformat e suksesshme do ta përshpejtojnë procesin e ratifikimit të anëtarësimit në NATO

Maqedonia

Reformat e suksesshme do ta përshpejtojnë procesin e ratifikimit të anëtarësimit në NATO

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 13:14
Radmilla Shekerinska

Maqedonia sot ulet si vend i ftuar i takimit të ministrave të Mbrojtjes, anëtarësim i plotë pritet për një vit kur do të përfundojnë ratifikimet në të gjitha vendet anëtare, por Maqedonia mund të tentojë të ndikojë në shpejtësinë, lajmëron korrespondentja e M.I.A-s nga Brukseli.

Zyrtar i lartë i Aleancës sot në mëngjes i sqaroi procedurat vijuese të anëtarësimit në Maqedonisë në NATO.

Pas pranimit të notës verbale nga Shkupi në NATO, Maqedonia do të emërohet zyrtarisht Maqedonia e Veriut në tavolinën e aleateve të Aleancës,  ku gjendet sot ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. Anëtarësimi i plotë do të ndodh pasi të gjitha vendet anëtare do ta ratifikojnë Protokollin për anëtarësim. Nga Aleanca askush nuk pret që të krijohen probleme politike në këtë pjesë pasi Greqia e ratifikoi javën e kaluar.

Mesatarisht ky proces zgjat rreth një viti, që do të thotë se Maqedonia do të bëhej anëtare e plotfuqishme deri në pranverë të vitit 2020. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të përshpejtohet procesi, por kjo varet nga kapaciteti i Maqedonisë që t’i bind aleatet e saja të ardhshme,  sqaroi zyrtari i NATO-s. Këtë mund ta bëjë para së gjithash përmes intensifikimit të reformave dhe duke treguar se është partnere e çmueshme anëtarësimi i së cilës duhet që sa më shpejtë të hyjë në fuqi.

“Është e rëndësishme për vendin që të vazhdojë të bëjë presione për reformat dhe t’i bind vendet tjera se meriton që të bëhet anëtare, t’i bind se neni 5 duhet të zbatohet”, deklaroi zyrtar i NATO-s.

Për NATO-n ka tri fusha kyçe të reformave, ndërsa kjo është sundimi i së drejtës, reformat në mbrojtje dhe në shërbimet e zbulimit. Në periudhën e ardhshme do të jetë me rëndësi për vendin që të sigurohet se sistemet për këmbim të informacioneve janë të sigurta dhe të fuqishme. Aspekt tjetër me rëndësi është kontrolli ndaj zbulimit, mënyra në të cilën menaxhohet me informacione të ndjeshme, si dhe se ka mjaftueshëm resurse njerëzore dhe se ato janë të trajnuara në mënyrë adekuate për detyrat të  cilat vijojnë.

NATO-ja do t’i ndihmojë Maqedonisë deri në anëtarësimin e plotë që t’i vendosë të gjitha sistemet e nevojshme që ato të jenë funksionale në ditën e anëtarësimit.

Sa i përket disa spekulimeve të caktuara se SHBA-ja me administratën e Donald Trampit do të mundej që në çfarëdo mënyre të kundërshtojë ose të parandalojë anëtarësimin e Maqedonisë në periudhën e ardhshme, NATO-ja hedh poshtë skenarë të këtillë dhe përkujton se jo vetëm që SHBA-ja tregon mbështetje të fortë për zgjerimin e NATO-s, por kjo mbështetje ishte konfirmuar para pak kohësh në të dyja partitë politike amerikane.

Më 10 korrik të vitit të kaluar Senati amerikan votoi rezolutën për mbështetje të NATO-s, ndërsa ditën tjetër të njëjtën e bëri edhe Dhoma Përfaqësuese. Të dyja rezolutat kaluan gati njëzëri, pa dallim të përkatësisë politike të deputetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat