Akuza dhe kundërakuza nga LSDM dhe OBRM-PDUKM për rrahjen e Janakieskit dhe Ristovskit

Maqedonia

Akuza dhe kundërakuza nga LSDM dhe OBRM-PDUKM për rrahjen e Janakieskit dhe Ristovskit

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 11:25
VMRO-DPMNE

Dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë lëshuar akuza dhe kundër akuza në lidhje me incidentet e djeshme në burgun e Shuto Orizares, ku u sulmuan fizikisht dy ish-ministrat eVMRO-DPMNE-së, Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski.

Sipas partisë në pushtet LSDM shkruan Telegrafi Maqedoni, incidentet e djeshme janë orkestruar nga Hristijan Mickoski dhe Nikolla Gruevski. Ata thonë se këta dy të fundit dëshirojnë të defokusojnë vëmendjen e opinionit nga fakti se ish-kryeministri Nikolla Gruevski, është i dyshuari kryesor për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit.

“Dështoi përpjekja e Hristijan Mickoskit, Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së përmes skenarit të dhunshëm të krijojnë krizë, ta defokusojnë vëmendjen e opinionit nga fakti se pikërisht kreu i VMRO-DPMNE-së është i dyshuari kryesor për organizimin e dhunës së përgjakshme të 27 prillit. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të institucioneve dështoi provokimi, dështoi skenari i paramenduar i Mickoskit dhe Gruevskit. Dështoi teatri i Mickoskit me të cilin përpiqej të shkaktojë incidente në spitalin “8 Shtatori””, thonë nga LSDM.

Ndërsa nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, thonë se dita e djeshme do të mbahet mend si ditë e zezë për demokracinë e Maqedonisë. Ata thonë se pushteti ka prekur fundit dhe se rrahja e Janakieskit dhe Ristovskit është akt i despotizmit dhe frikës së pushtetit nga humbja nga qytetarët.

“Nuk kaloi asnjë ditë pasi VMRO-DPMNE paralajmëroi se pushteti po bënë torturë dhe dëshminë për këtë e pamë dje. Njerëz të rrahur në paraburgim, sikur gjendemi në Korenë e Veriut, e jo në territorin e Evropës. Mile dhe Spiro, si të gjithë qytetarët të cilët zvarriten nëpër burgje në bazë të fjalëve “tha-ka thënë” dhe për shkak pikëpamjeve të kundërta politike me ato të pushtetit janë viktima të përndjekjes politike. Zoran Zaevi, Renata Deksoska dhe drejtorët e Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve dhe burgu “Shuto Orizarë” duhet të marrin përgjegjësinë menjëherë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, pasi u arrestuan dhe u paraburgosën si të dyshuar për organizimin e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, dy ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski u sulmuan fizikisht në burgun e Shuto Orizares.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat